Kryeministri Edi Rama hodhi dyshime të forta se pagat e mbi 600 mijë shqiptarëve kanë dalë nga dora e njeriut. Në një konferencë nga Kryeministria, Rama tha se është shumë e lartë mundësia e infiltrimit dhe shfrytëzimit kriminal të sistemit, duke qenë se nuk lë gjurmë.

Referuar skandalit që ndodhi, Rama tha se nga sot AKSHI ka hyrë në një fazë të re, duke nisur me përdorimin e një teknologjie, në të cilën nuk ka asnjë mundësi të ndërhysh.

“Mundësia e infiltrimit dhe shfrytëzimit kriminal të sistemit përmes veprimeve mekanike është shumë e lartë, duke qenë se nuk lë gjurmë. Këtu kemi të bëjmë me faktorin njerëzor. Duke qenë se sistemi është relativisht i vjetër, atëherë ky ekspozim është më i lartë. AKSHI sot ka hyrë në një fazë të re, duke filluar të përdorët një teknologji shumë më të avancuar, që e bën krejtësisht të pamundur çdo lloj veprimi, edhe manual, mbi sistemin, pasi jo vetëm çdo veprim digjital lë gjurmë, por edhe çdo futje e çdo personi në sistem është e regjistruar. Çdo lloj lëvizje e mausit, miut digjital, është e regjistruar, dhe çdo lloj tërheqje të dhënash është e pamundur”, tha Rama.

Në sqarimin e saj, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj, tha pagat e qytetarëve shqiptarë nuk kanë dalë nga platforma “E-Albania”.

“E-Albania është një sistem i sigurt dhe nuk ka lidhje me asnjë rrjedhje informacioni. Qytetarët të përdorin shërbimet aty dhe të jenë të sigurt se përdorin vetëm të dhënat e tyre, asgjë tjetër. Që të ndërvepronin regjistrat në mënyrë të sigurt është krijuar platforma qeveritare e ndërveprimit, që bën të mundur që sistemet të komunikojnë mes tyre në kohë reale. 17 milionë transaksione të kësaj platforme, që bëhençdo muaj, përveçse reduktojnë dokumentet që i duhen qytetarët, realizojnë shërbimin në mënyrë të sigurt duke lënë logo të qarta. Kryefjala jonë në të ardhmen e afërt është ‘block-chain’. Do ta përdorim për sistemin e pronave, duke i bërë pronat e shqiptarëve të pandryshueshme nga askush më. Gjithë ky ekspozim digjital patjetër që shoqërohet me probleme. Problemi i parë është aksesi i atyre që duhet ta përdorin sistemin”, u shpreh ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb