Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit online me shqiptarët e Diasporës, komentoi nismën ‘Ballkani i Hapur’, duke thënë se është një projekt që ka në thelb influencën ruse.

“U themelua në Novisad para tre vitesh si mini-shengen nga Serbia, Shqipëria e Maqedonia, aleancë trelaterale. Harta që u paraqit atë ditë, nga kjo trojkë, Vuçiç-Rama-Zaev, paraqiste Kosovën haptaz pjesë të territorit të Serbisë. Këtë hartë e publikoi në Facebook-un e tij edhe Rama. Më vonë tha se ma publikuan gabimisht asistentët. Ky projekt sipas Vuçiç disa ditë pas samitit të Novisadit, u quajt Jugosllavia e vjetër plus Shqipërinë, rikthim te doktrina apo ideja se Ballkanin e stabilizon hegjemonizmi serb. Hegjemonizëm që u vendos në dekadën e dytë të shekullit të shkuar dhe përfundoi me luftërat më të përgjakshme të përsëritura në rajon. Për më tepër ky projekt me influencë ruse.”-tha Berisha, duke shtuar: Në Novi Sad Vuçiç deklaroi se bëhej fjalë për një traktat 720 faqe. Ju garantoj se asnjë faqe nuk është publikuar në asnjë media zyrtare apo private. Këta zotërinj, Vuçiç bashkë me ndihmësit e tij e trajtojnë traktatin dhe problematikën e tij si diçka personale të tyre, sikur nuk ka të bëjë me qytetarët, prodhimin apo ndikimin politik.  E kam thënë , një tregti e lirë në BE dhe sipas atij modeli ka në themel kuotat respektive. Këta nuk kanë asnjë lloj standardi dhe norme, kanë strikt hegjemoninë serbe, kërcënimin se nëse nuk ka Ballkan të Hapur do të ketë luftë, paçka se Kosova është e mbrojtur nga NATO. Deri tani Kurti ka rezistuar në mënyrë të vendosur. Ne si opozitë do qëndrojmë fuqishëm kundër këtij projekti që është në interes të vendosjes së mbizotërimit serb në rajon dhe influencës ruse”.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb