Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra lidhur me pretendimet për largimin nga puna të kryepolices së Tiranës, duke kritikuar çdo përpjekje për ta lidhur qëndrimin në detyrë të punonjësve me mbështetjen ndaj postimeve të Erion Veliajt.

Në një deklaratë, Rama shtron pyetjen se si mund të largohet nga puna një drejtuese që, sipas tij, e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak, për shkak se nuk ka bërë “like” apo “share” postimeve të Veliajt nga burgu.

“Si mund të largohet një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si të tjerë drejtues dhe punonjës, pse nuk u bëjnë ‘like’ e ‘share’ dorëshkrimeve të Lali-t nga burgu imagjinar politik, apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij?”, është shprehur Rama.

Kryeministri ka kritikuar gjithashtu avokatin e Veliajt, duke pretenduar se ai i drejtohet zyrtarisht Bashkisë së Tiranës me cilësinë e drejtuesit politik, ndonëse, sipas Ramës, është një prej dy personave të përjashtuar së fundmi nga kjo strukturë.

Në reagimin e tij, kreu i qeverisë theksoi se nuk do të tolerohen më sjellje arrogante ndaj qytetarëve dhe se askush nuk duhet të vihet nën presion për bindjet apo qëndrimet e tij politike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: