Kryedemokrati, Lulzim Basha, në një konferencë shtypi nga selia blu, ka thënë se do të shkëputet nga trekëndëshi i Bermudës dhe se do t’i ofrojë shqiptarëve një të ardhme ndryshe. Ai tha se Rama po sillet si një i shpallur ‘non grata’ ashtu sikurse, edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

“Trekëndëshi do të merret me radhë dhe ku bie baza do të bie dhe brinjët e tjera. Dje pamë një non grata e një që pritet të shpallet para kryeministrisë. Dyert e PD janë të hapura për demokratët. Përdorimi i faktorit kriminal për të na intriguar nuk është gjë e re. Kjo metodë po përdoret edhe nga Berisha. Nuk është gjë e re, trekëndëshi i Bermundës do ka këtë qëllim, të trashëgojë Shqipërinë me këtë model”, tha Basha.

I pyetur për numrin e delegatëve që kanë qenë të pranishëm në Kuvendin e 18 dhjetorit, Basha tha:

“Nëse do të keni qenë të vëmendshëm të njerëzit, do kuptoni që e vërteta është ajo që kemi thënë ne. Nuk kam ndërmend të rikthehem në këtë diskutim”, tha kryedemokrati.

Ndër të tjera, kreu i PD, theksoi se edhe Edi Rama me veprimet që po bën do të shpallet së shpejti ‘non grata’. Ai bëri thirrje që Shqipëria meriton të shkojë përpara dhe të shkëputet nga individët që e kanë mbajtur peng këto 31 vite.

“Unë s’kam informacion, por besoj se duke ndjekur transparencën Edi Rama dhe shumë të tjerë meritojnë të shpallen non grata. Këtu s’ka asnjë dyshim. Po sillet si dikush që nga momenti në moment do të shpallet non grata. Misioni ynë s’ka të bëjë me Ramën e Sali Berishën, por me njerëzit. Rruga që ne kemi bërë gati është ajo e vettingut, e sistemit zgjedhor, e reformës territoriale, ajo që i rikthen pushtetin qytetarëve. Dy rrugë ka, e para është ajo e sistemit të ndershëm zgjedhor, e paraqitjes me detyrim të politikanëve për në SPAK. Kurse rruga tjetër është rruga e bashkëpunimit të hapur kriminal, siç po bën Rama. Këtë bëri dhe Berisha duke shpërthyer derën e PD. Kjo nuk pengon për të rikthyer shpresën për shqiptarët”, përfundoi Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb