Nga: MIMOZA KOÇIU*
Dy kryeministra me pamje të relaksuar, deklarata të paqta bashkëpunuese, kortezi reciproke me shumicë, e madje edhe nota humori para mediave. Dukej e pabesueshme, që veç gjashtë muaj më herët, në një dalje të ngjashme në Pallatin ‘Serbia’, para mediave në Beograd ku kryeministri i Shqipërisë mikpritej nga kryeministri i Serbisë, fjala kyçe kishte qenë “provokacija” dhe “Kosova”. Provokimi duket kishte mbetur në Beograd, ndërsa në Tiranë, tashmë me role të shkëmbyera, ku Edi Rama ishte mikpritësi, mysafiri Aleksandër Vuçiç e tha me plot gojën se nuk ishte ndjerë i provokuar dhe se e vlerësonte mikpritjen që kishte gjetur në kryeqytetin shqiptar. Madje, z.Vuçiç surprizoi me çlirësinë e tij teksa rrëfeu edhe një batutë që kishte pasur me z.Rama para konferencës, se “me këtë mikpritje kemi bërë hajgare dhe kur të vijnë kamerat do ndryshojmë rolet”. Ajo frazë reflektonte në fakt një dakordësi paraprake të dy kryeministrave për të përcjellë pikërisht këtë imazh të pacen, e se nga “provokimi” i para 6 muajve nuk kishte mbetur asnjë shenjë. E si për t’i vënë vulën, kryeministri Rama tha se shfaqja e një flamuri të Serbisë së madhe në Tiranë, thjesht do merrej si zbavitje, e aspak si provokim.
Provokimi kishte mbetur në Beograd, bashkë me episodin e shëmtuar të përplasjes fizike mes futbollistëve të dy vendeve më 14 tetor në ndeshjen e futbollit e vlefshme për ‘Europianin 2016’, që zgjati vetëm 41 minuta, e që nga fusha e blertë u eksportua e amplifikua në politikë, si për të treguar edhe njëherë, se fryma e të kaluarës është mjaftueshëm e fortë, për të prishur planet e së ardhmes. Plane që ishin formësuar në Berlin 6 javë para ndeshjes, kur kancelarja gjermane Angela Merkel, mblodhi së bashku vendet e Europës Juglindore, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën e Bosnje-Hercegovinën, si dhe Slloveninë e Kroacinë tashmë anëtare të BE, për të nisur një bashkëpunim konkret ekonomik e politik në funksion të integrimit në BE.
Hapi i parë në Berlin ishte materializimi i ftesës së Vuçiç për homologun shqiptar, që u pranua me kënaqësi para mediave nga kryeministri Edi Rama. Vizita në Beograd rezultoi një fillim i vështirë, tipik për të shkuarën e dy vendeve, por që nën kujdesin e kancelares u normalizua gradualisht, edhe në takime të tjera rajonale, për të mbërritur te kthimi i vizitës së Vuçiç në Tiranë, në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës. Një forum ku udhëheqësit e gjashtë vendeve pjesëmarrëse të konferencës së Berlinit, treguan se e kishin kuptuar mësimin e gushtit 2014: zhvillimi ekonomik përmes projekteve të përbashkëta, do i fuqizojë në rrugën drejt BE. Në Berlin, BE u kishte treguar edhe fondin përmes presidentit të kohës Barroso se ka në dispozicion 2.4 miliardë euro për financimin e projekteve të përbashkëta rajonale.
Sprova më e suksesshme e iniciativës së Berlinit është padyshim marrëdhënia Rama-Vuçiç, si një model që nëse Serbia e Shqipëria tejkalojnë të shkuarën, çdo vend tjetër mund ta bëjë. E këtu kancelarja Merkel ka goditur në shenjë.
Skeptikët se iniciativa e Berlinit do përfundonte njëlloj si iniciativat rajonale paraardhëse, duket që kishin nënvleftësuar këmbënguljen e znj. Merkel për t’ia dalë mbanë, duke përfshirë edhe aktorë të tjerë në lojë. SHBA-të kanë pasur rol po aq të rëndësishëm, edhe pse më në hije se Gjermania. Kryeministri Vuçiç do udhëtojë drejt Uashingtonit më 1 qershor, i ftuar zyrtarisht nga zv/presidenti amerikan Joe Biden. Kjo vizitë, së pari ka shtyrë në kohë edhe përgjigjen që Vuçiç duhet t’i japë platformës së Presidentit serb mbi Kosovën, që prej disa ditësh e ka në tryezë; e së dyti dëshmon se Shqipëria nuk do jetë gjatë partneri i vetëm besnik i SHBA-ve në Ballkan.
Por edhe Forumi Ekonomik i Vjenës pati simbolikat e veta politike nga vendet pjesëmarrëse. Aleksandër Vuçiç që i jep dorën Isa Mustafës, e ky i fundit që flet për projekte të përbashkëta me Maqedoninë, pak ditë pas konfliktit të Kumanovës, janë një tjetër dëshmi se Shqipëria nuk do mbetet faktori i vetëm referues i stabilitetit në Ballkan, e Merkel dhe Brukseli po e nxisin si model.
Austria që do mikpresë më 27 gusht të këtij viti, takimin e dytë të Konferencës së nisur në Berlin, ofroi paraprakisht në Tiranë një platformë profesionale komunikimi mes udhëheqësve të vendeve pjesëmarrëse, ku “këshilltarë” ishin aktorët e dikurshëm që realizuan mposhtjen e Millosheviçit.
Edhe kryeministri serb nuk u ndje i provokuar, që u evokua ajo periudhë e errët për Serbinë. Në fakt Serbia, me largpamësinë e njohur diplomatike, ia doli të realizojë pa shumë zhurmë në Tiranë një sukses të rëndësishëm, përmes ministrit të jashtëm Ivica Daçiç: rikonfirmimin për një mandat të ri të sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RÇ), diplomatit serb Goran Svilanovic. Ky këshill është krahu operacional i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), forumi më i rëndësishëm politik i Europës Juglindore, kryesimin e së cilit, Shqipëria ia dorëzon më 1 korrik Bullgarisë.
Këto lëvizje taktike diplomatike të secilit vend kanë bërë që të gjithë të mbeten të kënaqur për të mbresuar së pari kancelaren gjermane, kumbaren e stabilizimit të marrëdhënies Shqipëri-Serbi, si një model për të gjitha vendet e rajonit në radhë për t’u integruar në BE.
Kjo shpjegon përse vizita e Vuçiç në Tiranë kishte vetëm elementët simbolikë, por jo marrëveshje dypalëshe, siç e do tradita e vizitave zyrtare.
Rama dhe Vuçiç e përmbushën premtimin ndaj kancelares Merkel dhe kjo e fundit, për t’i përgëzuar personalisht, do i vizitojë zyrtarisht në Tiranë dhe në Beograd. Kancelarja gjermane bëri atë, që BE nuk ia doli dot të realizonte në mbi dy dekada komunikim, me vendet që nisën të ndërtonin me ritme tejet të avashta një sistem të ri në fund të viteve ’90-të. Por misioni nuk mund të quhet i kryer. Etapa tjetër janë detyrat e shtëpisë të secilit, plaga e tyre përbashkët: korrupsioni i lartë dhe kultura e pandëshkueshmërisë, një provë zjarri që si Rama ashtu edhe Vuçiç do u duhet ta kalojnë. Kancelarja Merkel do jetë aty, përherë e vëmendshme. Jo më kot për 5 vite radhazi renditet si gruaja më e pushtetshme në botë nga revista “Forbes”.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb