Konfliktet e armatosura dhe dhuna detyruan më shumë njerëz të zhvendoseshin brenda vendeve të tyre gjatë vitit 2025 sesa fatkeqësitë natyrore, duke shënuar një rekord të ri global me 32 milionë zhvendosje të reja, kryesisht në Iran dhe Republikën Demokratike të Kongos.

Sipas raportit vjetor të përgatitur nga Internal Displacement Monitoring Centre dhe Norwegian Refugee Council, në total 82.2 milionë njerëz jetonin të zhvendosur brenda vendeve të tyre në fund të vitit 2025, niveli i dytë më i lartë i regjistruar ndonjëherë pas rekordit të vitit 2024.

Drejtoresha e IDMC-së, Tracy Lucas, deklaroi për AFP se “numrat mbeten në nivele historikisht të larta”, duke i cilësuar trendet e reja të zhvendosjes si “një zile alarmi”.

Raporti thekson se gjatë vitit të kaluar u regjistruan 65.8 milionë zhvendosje të reja të brendshme, përfshirë edhe njerëzit që janë detyruar të largohen disa herë.

Nga këto, 32.3 milionë zhvendosje u shkaktuan nga konfliktet dhe dhuna, një rritje prej 60% krahasuar me vitin 2024, ndërsa 29.9 milionë të tjera erdhën si pasojë e fatkeqësive natyrore, si përmbytjet dhe zjarret.

Sipas raportit, është hera e parë që konfliktet e armatosura tejkalojnë fatkeqësitë natyrore si shkaku kryesor i zhvendosjes së brendshme.

Irani dhe Republika Demokratike e Kongos përbënin afro dy të tretat e zhvendosjeve të reja të lidhura me konfliktin, me rreth 10 milionë raste secili.

Ndërkohë, Sudani vazhdon të mbajë numrin më të lartë të personave të zhvendosur për të tretin vit radhazi, me mbi 9 milionë njerëz të detyruar të largohen për shkak të luftës civile. Pas tij renditen Kolumbia, Siria, Jemeni dhe Afganistani.

Drejtori i NRC-së, Jan Egeland, deklaroi se “zhvendosja e dhjetëra milionë njerëzve është dëshmi e dështimit global në parandalimin e konflikteve dhe mbrojtjen e civilëve”.

Raporti evidenton gjithashtu se, megjithëse zhvendosjet nga fatkeqësitë natyrore ranë me 35% krahasuar me nivelet rekord të vitit 2024, ndryshimet klimatike po shtojnë rrezikun në shumë vende të botës.

Zjarret masive në pyje detyruan pothuajse 700 mijë njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre gjatë vitit 2025, ndërsa raporti bën thirrje për investime të mëdha në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Organizatat humanitare paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet edhe më tej për shkak të uljes së financimeve ndërkombëtare, veçanërisht pas shkurtimeve të ndihmës nga SHBA-të, tradicionalisht donatori më i madh global.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb