Pas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim edhe Banka Botërore ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë këtë vit duke u bërë institucioni i dytë ndërkombëtar financiar që parashikon këtë ulje. Në raportin e fundit ‘Lufta në Rajon’ për Europën Qendrore dhe Azinë Banka Botërore ka ulur projeksionet nga 3,8% në 3,2%.Sipas Bankës Botërore çmimet e larta, inflacioni tej parashikimeve dhe lufta në Ukrainë janë rreziqet kryesore të ekonomisë së Shqipërisë gjatë këtij viti.

“Lufta në Ukrainë mund rrisë më tej inflacionin, prishja e zinxhirit të ofertës, shqetësojnë tregjet financiare dhe zbehin perspektivat e rritjes ekonomike të Shqipërisë”.

Këto projeksione nxjerrin në pah faktin se rritja e çmimeve do të vijojë edhe për dy vite të tjera duke dëmtuar 40%-shin më të varfër të popullsisë, ku konsumi i ushqimit përbën më shumë se gjysmën e shpenzimeve. Lidhur me nivelin e lartë të borxhit publik i cili arriti deri në 80 % e PBB, banka botërore ka paralajmëruar se rifinancimi i tij mund të jetë në rrezik dhe se qeveria mund të detyrohet që të reduktoj shpenzimet e saj kapitale.


“Në nivelin aktual, borxhi i lartë i qeverisë është në rrezik të konsiderueshëm rifinancimi. Duke pasur parasysh inflacionin aktual dhe shtrëngimin e pritur të politikës monetare në ekonomitë me të ardhura të larta, ulja e borxhit publik të Shqipërisë dhe forcimi i besueshmërisë së politikës së saj fiskale janë jetike”.
Banka Botërore paralajmëron se në skenari bazë , borxhi publik pritet të bjerë lehtësisht në 78.1 për qind të PBB-së në vitin 2022 dhe në mënyrë më të konsiderueshme në periudhën afatmesme. Megjithatë, bilanci fiskal mund të përkeqësohet më tej, nëse mjedisi ndërkombëtar do të jetë i pafavorshëm, duke e detyruar qeverinë të shkurtojë shpenzimet kapitale për të parandaluar një rritje të raportit të borxhit ndaj PBB-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb