Nga: Dashnor Kaloçi*

Pjesëmarrja e ekipit tonë kombëtar të futbollit në finalet e Evropianit “Francë 2016”, padyshim që është një nga arritjet më të mëdha në të gjithë historinë e sportit shqiptar, që nga krijimi i tyre dhe deri më sot. Por duhet thënë e pranuar, se edhe para viteve ’90, mjaft ekipe klubesh, si “Partizani”, “Vllaznia”, “17 Nëntori”, “Dinamo” e deri tek “Flamurtari” i Vlorës, (i cili kaloi disa ture në Kupat e Evropës), kanë bërë paraqitje dinjitoze në mjaft takime ndërkombëtare, duke arritur rezultate mjaft të kënaqshme për kohën dhe vendin tonë nga më të prapambeturit në kontinent. Dhe njëherazi duke ngritur lart edhe emrin e Shqipërisë e krenarinë tonë kombëtare. Dhe jo vetëm futbolli, por edhe mjaft sportistë të tjerë si volejbollistët e “Dinamos” (meshkuj e femra), peshëngritës, atletë, qitës, etj., etj., morën medalje të arta dhe ngritën flamurin e Shqipërisë në mjaft stadiume të Evropës. Dhe të gjithë ata emra të mëdhenj të sportit, legjenda të tilla si: Boriçi, Halili, Pano, Zhega, Bizi, Rragami, Hafizi, Bajaziti, Çeço, Ballgjini, Përnaska, Zëri, në futboll; Fagu, Papavangjeli, Shaka, Radoja e Çaçi në basketboll; Rusi, Uka, Doçi, Tase, në volejboll; (meshkuj) Tase, Ibrahimi, Duni, (femra), Mihali e Toska, në atletikë, Karabolli e Mata në qitje, Gërnjoti e Janku në boks, Pampuri dhe Kondo në peshëngritje, Guri e Fishta në mundje, Muço e Dervishi në shah, Krifsa e Kërçiku në pinpong, e plot e plot të tjerë, që bënë epokë në periudha të ndryshme të karrierës së tyre, e që duhen faqe të tëra gazete për t’i përmendur të gjithë. Por, gjithashtu duhet thënë se ata sportistë i dhanë shumë sportit shqiptar, emrit të atdheut dhe morën pak prej tij, apo më saktë prej regjimit në fuqi të paraviteve ’90. Por, kjo ishte e keqja më e vogël, pasi shumë sportistë, me dhjetëra, emra të mëdhenj të sportit shqiptar, nga ata që përmendëm pak më lart e plot të tjerë u bënë objekt demaskimi, u përjashtuan nga sportet, u internuan, u futën deri edhe nëpër burgjet e atij regjimi. Dhe kjo jo vetëm për shkak të biografisë së tyre familjare, por edhe për shkaqe sa banale për atë kohë, aq edhe qesharake për brezin e të rinjve të sotëm, që nuk mund ta imagjinojnë dot sesi emrat të mëdhenj të futbollit shqiptar, si djemtë e “Flamurtarit” të Vlorës në gjysmën e viteve ’80-të, që bënë të dridhen gjigandët e “Barcelonës”, u ndaluan në pikat tona doganore për një çakmak, orë dore, paketë cigare, shall grash, radio-magnetofon apo rrallë dhe një aparat televizori. Dhe për këtë fakt, shumë prej tyre përjashtuan nga sporti përgjithmonë, apo u dërguan në shatrat më të thellë të vendit, si disa prej futbollistëve të “Vllaznisë”. Madje, nisur nga ajo që i priste këtë në Shqipëri, disa nuk u kthyen më fare dhe kërkuan azil politik, si disa futbollistë të “Vllaznisë” së Shkodrës në vitin 1977. Kjo gjë dëshmohet më së miri, edhe prej këtyre dokumenteve arkivore që po i botojmë të gjitha të plota në një cikël shkrimesh, duke filluar nga numri i sotëm. (Shënim, tituj në brendësi të shkrimit, janë redaksional).

(vijon nga numri i kaluar)

Mbledhja në Komitetin Qendror me drejtuesit e rretheve dhe Ministrinë e Brendshme dhe të Mbrojtjes “Me 12 dollarë dieta, futbollistët e ‘Flamurtarit’ sjellin televizorë dhe radio-magnetofona” Këto probleme duhet t’i shohin dhe t’i analizojnë thellë, të mos i marrin ato të shkëputura, kur në fakt janë të lidhura. Vijnë futbollistët e “Luftëtarit” dhe sjellin mallra mbi vlerën e dietës që kanë pasur. Akoma më keq ngjet me futbollistët e “Dinamos”, të cilët nuk janë një e dy, por gati gjysma e tyre, që sjellin sende të pajustifikuara me dietën e marrë. Dhe këto ngjasin, edhe pse para tyre, futbollistët e “Partizanit”, “Flamurtarit” e “Vllaznisë” kishin bërë veprime të dënueshme në këtë drejtim. Me 12 dollarë dietë gjithsej, futbollistët e “Flamurtarit” sjellin radio-magnetofona e bile edhe televizorë. Këtë veprim e bënë më vonë edhe sportistët e “Vllaznisë”, (kuptohet që në këto raste një skuadër ose bën kontrabandë dollari, ose kanë vjedhur. Në këtë drejtim, veprimi rëndohet akoma më shumë: disa futbollistë të “Flamurtarit’ mbajnë qëndrime të pafalshme në dogana, duke protestuar, duke mos pranuar të kalojnë në kontroll doganor e duke u përpjekur që të kalojnë sendet jashtë kontrolli.

“FUTBOLLISTËT E VLORËS, OSE BËJNË KONTRABANDË VALUTE, OSE VJEDHIN”
Kuptohet se këta futbollistë janë marrë me kontrabandë valute, ose kanë vjedhur. Ndryshe nuk mund të ngjasë. Dhe ç’masa kanë marrë rrethet, klubet sportive, deri tek organet e partisë dhe të pushtetit në rrethe, të cilët kanë dijeni për këto raste të turpshme? Masat e marra, (përfshirë këtu edhe organet e BFSSH-së në qendër) janë gjysmake dhe të buta, liberale, përderisa sportistë të tillë i shohim të falen shumë shpejt, madje të kthehen brenda disa javëve edhe në ekipet kombëtare. Pra, kuptohet se edhe organet e BFSSH-së dorëzohen përpara presioneve të klubeve sportive e të rretheve për këta lloj sportistësh, që padrejtësisht quhen “të pazëvendësueshëm” e “talent”, në një kohë që nga sondazhet e bëra, janë provuar se këta nuk janë as “të pazëvendësueshëm” dhe as “talent” nuk janë. Para së gjithash, ne duam njeriun e formuar politikisht, qytetarin e ndershëm e mandej sportistin e dalluar. Në të vërtetë, nuk mund të jetë sportist i shquar, ai që nuk është para së gjithash njeri i formuar, besnik i atdheut të tij, patriot i ndershëm dhe një i ri përparimtar dhe militant.

“LOJË E RËNDË, 500 KARTONË TË KUQ E TË VERDHË NË NJË SEZON”
Të vjen keq, por është fakt se disa qëndrime që shohim në fushat tona, i dënojnë rreptë edhe organizmat borgjeze në vendet e tyre, për klubet e tyre. Në fushat tona sportive, në mjaft raste vërejmë kundërshtime të lojtarëve ndaj vendimeve të gjyqtarëve, që shkojnë deri në kërcënime. Vetëm gjatë sezonit të kaluar futbollistik u janë dhënë mbi 500 kartonë të verdhë e të kuq në dyja kategoritë e kampionatit kombëtar, duke zënë kështu një nga vendet e para në Evropë. Është fakt se kemi edhe gjyqtarë indiferentë e tolerues, ashtu siç kemi edhe ndonjë paaftësi në gjykim nga ana e tyre. Por, nuk është kjo kryesorja. Themelore është qëndrim i padenjë, arrogant jashtë normave të moralit tonë proletar të disa sportistëve, të cilët “përkëdhelen” jo në pak raste edhe nga disa shokë me përgjegjësi dhe nga tifozë të sëmurë.

“FUTBOLLISTË RRUGAÇË, DHUNË NË FIER, KAVAJË, PEQIN, PUKË DHE LAÇ, ARMIKU I KLASËS I SHFRYTËZON”
Akte rrugaçërie kemi pasur në disa rrethe si në: Fier, Kavajë, Laç, Pukë, etj. Kohët e fundit në Peqin, një grup tifozësh sulmuan makinat e sportdashësve nga Gramshi. Pra, sporti nga disa futbollistë rrugaçë dhe nga mjaft tifozë të këqij, kuptohet si një mjedis ku ata paskan të drejtë t’u lënë vend histerizmit e pasioneve të sëmura lokaliste e përçarëse, këto shfaqje të shëmtuara i shfrytëzon edhe armiku i klasës. Pas asaj që ndodhi me “Partizanin” në Lisbonë, u dhanë orientime dhe porosi të prera. U botua edhe një artikull në gazetën “Sporti Popullor”, i cili u punua në të gjitha klubet e shoqëritë sportive të vendit. Por, a mund të themi se pas kësaj duken ndryshime të dukshme? A mund të flasim për një kthesë rrënjësore në këtë drejtim? Vështirë se kjo pyetje merr një përgjigje pozitive, kur shfaqje të tilla vazhdojnë pothuaj me të njëjtin ritëm.

(Shkrimin e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: