Lëvizje të mëdha në futbollin italian. Në pritje se ku do të vijojnë karrierën e tyre, dy emra “big” të trajningut italian si Massimiliano Allegri dhe Antonio Conte, pasi mbyllën aventurat e tre respektivisht tek Milan dhe Napoli, e hëna solli dy marrëveshje të tjera të përfunduara, për të cilat pritet vetëm zyrtarizimi. Maurizio Sarri është shumë pranë të marrë drejtimin e Atalantas. Trajneri toskan pritet të firmosë një kontratë trevjeçare me klubin bergamask sapo të mbyllë zyrtarisht aventurën e tij me Lazio.

Sarri do të marrë vendin e Raffaele Palladino, ndërsa në Bergamo do të ribashkohet edhe me Cristiano Giuntoli, i cili pritet të bëhet drejtori i ri sportiv i klubit. Një dyshe që ka shkruar histori më parë te Napoli dhe që tani synon të hapë një cikël të ri te Atalanta.

Ndërkohë, te Lazio po përgatitet epoka e re. Pas tensioneve të shumta me presidentin Claudio Lotito dhe kritikave të forta për merkaton, Sarri është drejt largimit përfundimtar nga kryeqyteti italian. Në vendin e tij pritet të ulet Gennaro Gattuso, i cili ka arritur një marrëveshje paraprake me bardhekaltërit për një kontratë dyvjeçare.

Pas fitores ndaj Pisa, Sarri nuk i fshehu zhgënjimet: “Në Formello askush nuk të dëgjon”, deklaroi trajneri italian, duke konfirmuar krisjen përfundimtare me drejtuesit e klubit.

Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi, por skenari duket i qartë: Sarri drejt Bergamos, Gattuso në Romë dhe një verë e nxehtë ndryshimesh në Serie A, aty ku Milan dhe Napoli janë në kërkim të trajnerëve, por mbi të gjitha një trajner do duhet të marrë timonin edhe të kombëtares italiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: