Serbia është i vetmi vend në rajon që ende nuk ka ndërmarra sanksione ndaj Moskës, duke mos koordinuar politikën e jashtme me anë të Unionit Europian, edhe pse pretendon që në të ardhmen të jetë pjesë e BE-së.

Anastasija Malesheviç, një analiste ruse ka deklaruar se në situatën aktuale me Kosovën, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për Beogradin të mbrojë pozicionin e tij aktual ndaj krizës ukrainase dhe sanksioneve kundër Rusisë.

“Bashkimi Evropian dhe SHBA mund të bëjnë presion mbi Prishtinën për të gjetur një zgjidhje kompromisi me Serbinë, duke lejuar, për shembull, të mos aplikojë masat e reciprocitetit sipas dokumenteve të përkohshme kundër serbëve të Kosovës”, thotë Malesheviç, e cila është pjesë e Institutit të Moskës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

“Në këto rrethana, po bëhet më e vështirë për Beogradin të mbrojë pozicionin e tij aktual ndaj krizës ukrainase dhe sanksioneve anti-ruse,” është shprehur ajo.

Sipas ekspertes ruse, i ashtuquajturi reciprocitet është bërë doktrinë politike e Kosovës në vitet e fundit dhe administrata e kryeministrit Albin Kurti po promovon me qëllim forma të ndryshme të reciprocitetit.

“Dështimi i Brukselit si ndërmjetës për të ndikuar te shqiptarët e Kosovës dhe për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit, minon besueshmërinë e Bashkimit Evropian në sytë e Serbisë. Gjithnjë e më shumë, marrëveshjet e Brukselit dhe Minskut krahasohen si dy përpjekje të dështuara për zgjidhjen e krizës, ku BE-ja veproi si ndërmjetës dhe nuk arriti të ndikojë në palën e kontrolluar për ta bindur atë të përmbushë pjesën e saj të detyrimeve”, deklaroi ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb