TIRANË- Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi vijoi punën të martën me diskutimin e paketës së pr/ligjeve që do te shoqërojnë draftin e amendamenteve kushtetuese dhe që presin të marrin votën e Kuvendit në seancën e 21 korrikut.

Pas mbledhjes, anëtari i komisionit, Ulsi Manja bëri të ditur se sot përfundoi shqyrtimi nen për nen i pr/ligjit “Për funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, ndërsa u relatua projektligji tjetër, ai “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Të mërkurën, tha deputeti Manja, ky pr/ligj do të shqyrtohet nen për nen. Drafti parashikon krijimin e një gjykate dhe prokurorie, e dedikuar vetëm për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e korrupsionit e krimit të organizuar, si dhe të gjitha veprave penale nga zyrtarë të kaluar dhe aktualë të nivelit të lartë.

Ai sanksionon organizimin dhe funksionet e Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion (SPAK), e cila përbëhet nga Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, që do te krijohen dhe normohen, sipas neneve 148 e 148/dh të paketës se ndryshimeve kushtetuese.

Manja tha gjithashtu se maxhoranca mbetet e hapur për çdo propozim që vjen nga opozita, por dhe nga përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë në vend, qofshin këta gjyqtarë apo prokurorë.

“Komisioni ka vijuar punën normalisht për të gjitha pr/ligjet, pjesë e paketës, dhe shqyrtimi i tyre është bërë me praninë e ekspertëve më të mire, vendas e ndërkombëtarë. Natyrisht, edhe përfaqësuesit e opozitës kanë të drejtën të japin kontributin e tyre, me sugjerime dhe komente, por nuk besoj se do një jetë një diskutim nga e para i tyre, pasi kjo paketë, sidomos ligjet që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë penale, janë diskutuar me frymën e konsensusit edhe me opozitën. Por, gjithsesi janë të mirëpritura propozimet e saj, dhe jo vetëm, por edhe per aktorë të tjerë të sistemit të drejtësisë, mbetemi të hapur për sugjerime dhe komente”, tha Manja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: