Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka folur lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Shqipërisë në BE dhe më konkretisht kriterin ekonomik që kërkohet nga vendi.

Ai u shpreh se diferenca ekonomike mes vendeve është e konsiderueshme dhe kjo do të sjellë edhe shtyrje në kohë të anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë.

Ai shtoi se reformat që kërkohen nga BE janë pretekst për zgjerimin, pasi Bullgaria dhe Rumania më herët janë anëtarësuar pa përmbushur kriteret ekonomike apo demokratike.

“Nuk pashë diçka ndryshe në samit. Për herë të parë u tha që vendet ballkanike kanë fuqi ekonomike sa 1/3 e mesatares së vendeve të BE. Ajo u shpreh se do ketë shtyrje në kohë të anëtarësimit pikërisht për shkak të diferencave të mëdha ekonomike mes BE dhe Ballkanit Perëndimor.

Po të shikojmë këto nuk janë gjëra të reja. Diferencat kanë qenë gjithmonë të mëdha. Anëtarësimet e reja nuk janë mbështetur në kriteret ekonomike, por kanë qenë tërësisht gjeostrategjike.

Anëtarësimi nuk kushtëzohet, por reformat përdoren si pretekst për të mos dhënë mesazhin e hidhur që nuk kemi arritur konsensusin e brendshëm për zgjerim të mëtejshëm. Edhe Bullgaria me Rumaninë ishin tepër larg kritereve, qoftë ekonomik apo dhe demokratik, por u anëtarësuan si vendim politik strategjik i BE-së për të zgjeruar kufijtë në lindje”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb