Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kallëzojë penalisht kryetarët e bashkive dhe përgjegjësit e zyrës së gjendjes civile nëse organizojnë regjistrime fiktive për zgjedhjet e 30 qershorit.

Në një konferencë për shtyp, Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri tha se, ky fenomen, i cili është vërejtur në zgjedhjet e kaluara është lehtësisht i verifikueshëm dhe do të monitorohet.

“Në proceset e mëparshme zgjedhore jo vetëm vëzhguesit, por edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konstatuar se në disa bashki të vendit është përhapur fenomeni i transferimit artificial të vendbanimit të mbështetësve të atyre që kandidojnë për kryetarë të bashkive, me qëllim ndikimin e paligjshëm mbi rezultatin e votimit, nëpërmjet votave të këtyre votuesve artificialë”, tha ai.

“Ndryshimi artificial i vendbanimit përbën shpërdorim të pastër detyre, por ka pasoja të rënda edhe mbi sistemin demokratik, sepse cënon rëndë raportin e zgjedhësve me pushtetin e zgjedhur, si atje ku votojnë zgjedhësit e zhvendosur artificialisht, ashtu dhe atje ku ata fshihen padrejtësisht nga lista”, u shpreh Zguri, duke theksuar se, “KQZ do të kallëzojë penalisht kryetarët e bashkive dhe përgjegjësit e zyrave të gjendjes civile, kurdoherë që të vihet përballë këtyre fakteve, sapo që ato të konstatohen dhe pa pritur përfundimin e procesit zgjedhor”.

Zguri i bëri thirrje edhe kryetarëve të mazhorancës dhe opozitës që të deklarohen kundër këtij fenomeni.

“Ftoj dhe lidershipin e mazhorancës dhe atë të opozitës të deklarohen publikisht kundër, me qëllim që t’i heqin çdo mbështetje politike fenomenit. Zgjedhjet e datës 30 qershor janë ushtrim shumë i rëndësishëm demokracie, por këtë radhë ato janë më shumë se kaq, janë gur prove për Shqipërinë në procesin e vet të integrimit në Bashkimin Europian”, tha Zguri.

Ndërsa për zgjedhësit Zguri apeloi që të kontrollojnë emrin në listën e zgjedhësve.
“I bëjmë thirrje zgjedhësve që të kontrollojnë emrin në listën elektronike të zgjedhësve të kontrollojnë emrin në faqen zyrtare të internetit të KQZ. Deri në 21 maj 2019 është e hapur mundësia për tiu drejtuar gjendjes civile për të saktësuar të dhënat e tyre. Pas kësaj date listat bëhen përfundimtare. Zgjedhësit që nuk e kanë emrin në listë mund të votojnë vetëm me vendim gjykate”, tha Zguri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: