Mikpritja italiane për presidentin e Iranit, Hassan Rouhani, ka bërë që autoritetet të mbulojnë statujat nudo. Rouhani dhe kryeministri italian, Matteo Renzi, kanë biseduar të martën në Muzeun Capitoline të Romës, pasi firmat italiane kanë nënshkruar marrëveshje biznesi me Iranin.

Por, disa skulptura nudo atje janë mbuluar për të shmangur ofendimin e presidentit iranian. Ky veprim ka shkaktuar pakënaqësi tek politikanët opozitarë. “Gjëra të çmendurish”, ka thënë lideri i Legas, Matteo Salvini. “Zgjedhje e denjë për terroristin më të keq islamik”, shton dozat e zemërimit, Fabio Rampelli i Fratelli d’Italia. Ndërsa për Forza Italia ky gjest “Është nënshtrim”. “Respekti për kulturat e tjera nuk mund dhe nuk duhet të jetë mohim i kulturës sonë”, tha Luca Squeri.

Italia po ashtu nuk ka shërbyer verë në drekat zyrtare, një gjest që Franca, ku Rouhani do të udhëtojë po ashtu, ka refuzuar ta bëjë. Irani, si republikë islamike, ka ligje të rrepta që rregullojnë konsumimin e alkoolit.

Rouhani ndodhet në një udhëtim katërditor në Itali dhe Francë. Kjo është vizita e parë shtetërore e një presidenti iranian në Evropë në afro dy dekada. Më herët, ai u ka thënë udhëheqësve të biznesit në Romë se “Irani është vendi më i sigurt dhe më i qëndrueshëm në gjithë rajonin”.

Rouhani ka takuar po ashtu në Vatikan Papa Françeskun, me të cilin kanë shkëmbyer dhurata. Rouhani i ka sjellë Papës një qilim të kuq persik, ndërsa Papa i ka dhënë një medalje me Shën Martinin.

Papa ka thënë se ky gjest paraqet shenjë të vëllazërisë. Rouhani është në kërkim të investimeve të huaja, pas heqjes së sanskioneve ndërkombëtare kundër Iranit, më 16 janar. Sanksionet janë hequr në bazë të një marrëveshjeje bërthamore, e cila fillimisht ka obliguar Teheranin të kufizojë aktivitetin e tij nuklear.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: