Nga: ELBERTA SPAHO

ULZE- Që në fëmijëri mësojmë në shkolla e lexojmë në libra për bukuritë e rralla natyrore që ka vendi ynë, por kur i sheh nga afër ndryshon puna. Kështu ndodhi edhe gjatë një vizite që një grup gazetarësh nga Tirana zhvilluan në Parkun Natyror Rajonal “Liqeni i Ulzës”, me rastin e 2-vjetorit të shpalljes së Parkut Natyror, si edhe të festimeve për ditën e Shën Markut, një prej festave tradicionale të qytezës së Ulzës.

Rrjeti i organizatave për Mbrojtjen e Natyrës, veçanërisht shoqata “Miqësia-Ulëz” dhe Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), në bashkëpunim me Komunën Ulëz, organizuan disa aktivitete promovuese më datën 25 prill në këtë komunë, për të festuar këtë ditë në një ceremoni të përbashkët në prani edhe të kryetares së Bashkisë të Burrelit, Adelina Farrici, dhe përfaqësuesve të tjerë të pushtetit lokal.

Pas nisjes nga Tirana, ndalesa e parë ishte padyshim mbresëlënëse, në hyrje të Shkopetit në një lokal buzë liqenit. Natyra aty servirte bukuri që të kënaqin syrin, e sidomos në një ditë me diell. Një pjesë e gazetarëve do të përshkonin me varkë pjesën e mbetur të rrugës deri në Ulëz, duke shijuar nga afër bukuritë natyrore, liqenin me ujin e pastër, shkëmbinjtë që ngriheshin në të dyja anët, dhe gjelbërimin përreth.

Parku Natyror Rajonal i Liqenit të Ulzës, i shpallur si i tillë që para dy viteve, me një sipërfaqe prej 4206 ha, përfshin gjithë kurorën e liqenit të Ulzës dhe Shkopetit në lartësinë 400 m mbi nivelin e detit. Hartimi i projektit të menaxhimit të këtij Parku është bërë nga Instituti i Mbrojtjes së Natyrës me financim të Ambasadës Amerikane dhe në bashkëpunim me Komunën Ulzë.

Parku Natyror Rajonal (PNR) Ulëz shquhet për vlerat e ndërthurjes së elementeve natyrorë duke përbërë një biodiversitet të pasur dhe me shumëllojshmëri të specieve të florës dhe faunës, si dhe për peizazhin natyror duke filluar nga gryka e Shkopetit, aty ku fillojnë kufijtë e parkut, deri në kurorën e liqenit të Ulzës.

Ndalesat tona të herëpashershme na dhanë mundësinë t’i shohim edhe më nga afër këto bukuri natyrore, e padyshim të njihemi me një historik të pasur e mjaft interesant të zonës.

Ndalesa e fundit ishte pikërisht qendra e Ulzës. Sapo mbërritëm aty e gjetëm veten në një atmosferë të ngrohtë, pasi banorët e zonës kishin nisur festimet për ditën e Shën Markut. Përreth qendrës organizohej edhe një panair me prodhime tradicionale të zonës, gatime, si dhe punime artizanale e qëndistari.

Interesante në sytë e turistëve vendas e të huaj, është ruajtja me fanatizëm e veshjeve tipike tradicionale, të cilat janë padyshim një vlerë kulturore dhe atraksion turistik për vizitorët e huaj.

Mbresëlënës ishte edhe aktiviteti artistik i përgatitur nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare, të cilët recituan, kënduan, e kërcyen valle popullore.

Banorët e zonës së Parkut merren me peshkim, bujqësi, blegtori, punime druri, traditë e vjetër e zonës, si dhe me turizëm familjar. Gatimet tradicionale dhe prodhimet janë: tava e krapit, bukë misri e pjekur në çerep, petë me hithër, byrek me djathë dhe me gjalpë, raki rrushi, thane, kumbulle, verë e kuqe dhe e bardhë, si dhe fruta të thata apo lloje të ndryshme bulmetrash.

Pas një dite të mbushur plot aktivitete, largohemi nga Ulza me mendimin pozitiv se në këtë zonë mund të zhvillohet jo vetëm bujqësia dhe blegtoria, peshkimi dhe frutikultura, por edhe turizmi gjithëvjetor, në verë ai natyror, dhe në dimër ai i dëborës.

Por përtej atyre resurseve dhe bukurive natyrore që ka kjo zonë, Ulza ka edhe nevoja të mëdha, në mënyrë që të promovohet dhe të kthehet në një destinacion të vërtetë turistik.

Rruga e dëmtuar që të çon në Ulëz pengon turistët që të shkojnë në destinacionin e dëshiruar, dhe padyshim kërkohet më shumë vëmendje nga pushteti lokal dhe qendror për t’i dhënë frymëmarrje të re kësaj zone.

Ulza po ashtu ka nevojë për guida turistike për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm kryesisht familjar, pasi edhe kapacitetet e zonës nuk janë të tilla që të përballojnë flukse të mëdha turistësh.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: