Në Kavajë të gjithë e njohin familjen Lushkja. Me dekada të tëra ajo njihet si një familje kasapësh. Më herët, gjyshi i Regi Lushkjes, Ragipi, e më pas i ati, Bashkimi, u kanë ofruar bashkëqytetarëve të tyre mish pa hile, siç konfirmojnë edhe vetë kavajasit. Për shkak të një gjendjeje jo të mirë, babai i Regit, Bashkimi, i ka thënë lamtumirë profesionit.

00

“Panorama Sport” trokiti dje në dyert e shtëpisë së futbollistit kavajas, që të mërkurën u prezantua te Sherif Tiraspoli, duke bërë hapin e madh në karrierë, pas shkëlqimit për 6 vite te Laçi. Sapo na urojnë mirëseardhjen babai Bashkimi dhe nëna Eva, përballemi në korridor me një foto gjigante të Regit, me mbishkrimin: “Happy Birthday Champion”.

Sapo ia bëjmë të qartë arsyen e vizitës, nënës Eva i mbushen sytë me lot, teksa mbi tavolinë ka bluzën e Regit, dhuruar në sfidën e fundit me Partizanin, ku shkruhej “Lushkja 224 ndeshje”, duke iu referuar aktivizimit me kurbinasit për gjashtë vite në kampionat, Kupën e Shqipërisë dhe Kupat e Europës. Ulemi dhe nisim bashkëbisedimin me dy prindërit e Regit. Mesfushori ka edhe dy motra, të cilat kanë gëzuar familjen me dy nipa dhe dy mbesa. Me lot në sy, mamaja Eva na tregon se Regi u lind 5 vite pas vajzës së dytë dhe solli një gëzim të paparë në familje. Prindërit ishin mësuar disi me mungesën e Regit në shtëpi, pasi për shkak të aktivizimit te Laçi dhe grumbullimeve në prag të ndeshjeve, ndodhte që të kthehej edhe pas dy javësh në familje. Por, nëna e tij e përkufizon këtë situatë me një shprehje që e përdor shpesh: “Më mirë që i mbaja mallin, sesa hallin”.

Babai Lushkja

BABAI: GOLI NË BELGJIKË DHE ËNDRRA E REALIZUAR – Kanë përjetuar emocione të forta përmes ekranit të televizorit, por babai Bashkimi edhe më shumë në stadium, teksa shihte që djali i tij të duartrokitej nga mijëra tifozë dhe përqafohej pas çdo goli nga shokët e ekipit. Por, për Bashkimin emocionet më të mëdha i ka ndier teksa Lushkja i shënonte Anderlehtit me fanellën e Laçit në verën e vitit të kaluar në Ligën e Konferencës.

“Ndihem me fat si baba që Regi gjatë gjithë këtyre viteve, asnjëherë të vetme nuk më ka sjellë shqetësime. Porosia e vetme, sa herë nisej në stërvitje që i vogël, ishte: ‘Bir, luaj me shpirt, por respekto çdo kundërshtar, pasi edhe ata kanë prindër si ti’. Kam ndjekur me dhjetëra ndeshje të Laçit në stadium dhe televizion, por emocionet më të mëdha i kam përjetuar kur i shënoi Anderlehtit. Ndihesha i privilegjuar që sa herë shkelja në stadiumin e Laçit, dëgjoja vetëm fjalë të mira për Regin, së pari si njeri. Kjo më lumturonte si prind, pasi në fushë ishin të tjerë që e vlerësonin. Sa herë shënonte me Laçin, ndërsa të tjerët i bënin elozhe, unë si baba bëja të kundërtën. thosha: ‘Mirë bir, bravo, por fundja detyrën ke bërë, për atë ke vite që djersin’. Jam i lumtur që gjithë sakrifica e Regit këto vite iu shpërblye duke firmosur me një klub të madh si Sherifi. Ëndrra e çdo futbollisti shqiptar është të luajë jashtë për shumë arsye. Ndihem i shpërblyer nga im bir, që falë edukatës së punës, profesionalizmit dhe besimit në vetvete, ia arriti kësaj dite. Asnjëherë në jetën time nuk kam ndërhyrë te trajnerët apo presidentët për Regin, kurrë. Gjithnjë kam besuar tek edukata që i kam dhënë dhe pas çdo suksesi me Laçin, gëzohesha se shihja që Regi po rritej mes shokësh. Gëzohesha më shumë kur loja dhe golat e tij ngazëllenin mijëra tifozë të Laçit, aq sa ndonjëherë emocionet më tradhtonin dhe kthehesha në tifoz ultras, duke harruar se ata që më rrethonin e dinin kush isha”, tregon mes emocioneve babai i Lushkjes. PANORAMASPORT.AL

55

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: