Pavarësisht reshjeve të shiut dhe motit të paqëndrueshëm, edhe kjo fundjavë ka sjellë sërish fluks të rënduar trafiku në qytetin e Elbasanit, duke krijuar radhë të gjata automjetesh dhe lëvizje të ngadalta në akset hyrëse dhe dalëse të qytetit.
Situata është kthyer tashmë në një fenomen të zakonshëm për fundjavat, ku Elbasani shndërrohet në një nga pikat më problematike të qarkullimit në vend, sidomos për automjetet që lëvizin nga Tirana drejt juglindjes apo anasjelltas.
Sipas të dhënave të specialistëve të qarkullimit rrugor, numri i mjeteve që përshkojnë segmentet kryesore të qytetit gjatë fundjavës arrin deri në rreth 30 mijë automjete, një shifër dukshëm më e lartë krahasuar me ditët normale, ku qarkullojnë mesatarisht nga 18 deri në 25 mijë mjete.
Fluksi më i madh është regjistruar në hyrjen nga aksi i Tiranës, në zonën e Bradasheshit, si dhe në daljet drejt Librazhdit e Korçës, ku drejtuesit e automjeteve janë përballur me vonesa të shumta dhe lëvizje të ngadalta për disa kilometra.
Edhe pse reshjet e shiut pritej të ndikonin në uljen e lëvizjeve, duket se qytetarët nuk kanë hequr dorë nga udhëtimet e fundjavës, duke bërë që rrugët të mbeten të mbingarkuara gjatë gjithë ditës.
Ekspertët e transportit theksojnë se infrastruktura aktuale e Elbasanit nuk e përballon më volumin e lartë të automjeteve, sidomos gjatë fundjavave dhe periudhave festive. Ndërtimi i Bypass-it të Elbasanit gjatë dy viteve të ardhshme shihet si një nga zgjidhjet kryesore për të lehtësuar qarkullimin dhe për të shmangur bllokimet e vazhdueshme në qytet.
Ndërkohë, policia rrugore ka shtuar prezencën në terren për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur aksidentet apo bllokimet totale në akset më problematike.
