Pjesa e katërt
Publikohen dëshmitë e panjohura të Bedri Çokut me origjinë nga fshati Muçias i rrethit të Lushnjes, i cili që në moshën 19 vjeçare teksa kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Gjirokastrës, u arrestua nga dy oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe pas një gjyqi publik “demaskues” me akuza të montuara në kinemanë e atij qyteti, u dënua për agjitacion e propagandë së bashku me vëllanë e tij, Çaushin, për të vetmin “faj” se babai i tyre, kishte vuajtur disa vjet si i burgosur politik në kampet e punës së detyruar nga ku ishte liruar në vitin 1959. Dëshmitë e rralla të Bedri Çokut që bëri 24 vjet në burgjet e Spaçit, Burrelit e Qafë Barit dhe së bashku me dy vëllezërit, Esatin dhe Çaushin si dhe babanë e tyre, Azemin, vuajtën plot 64 vjet burg në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u liruar vetëm në shkurtin e vitit 1991. Kujtimet e Bedri Çokut të përshkruara me mjeshtëri në librin e tij “Kryengritja që tronditi diktaturën”, e cila i kushtohet kryesisht Revoltës së Spaçit në majin e vitit 1973, ku ai si një nga organizatorët kryesorë të saj, hedh dritë për herë të parë duke bërë publike disa ngjarje dhe fakte të panjohura nga ajo revoltë ku u ngrit flamuri pa yllin e kuq të komunizmit, e deri tek puna e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Kampeve dhe Burgjeve pas viteve ’90-të, ku ai “arrestoi” shokun e tij të ngushtë, bashkëvuajtësin e kampeve dhe burgjeve të diktaturës dhe e dërgoi në qelitë e ‘Burgut 313’ të Tiranës, ku vuanin dënimin pjesa më e madhe e ish-Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së me në krye Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën.

Kryengritja që tronditi diktaturën

(Bazuar mbi një histori të vërtetë)

“Për të ngritur flamurin, pa yllin komunist, unë shpreha mendimin se, në pamundësi për të gjetur një çarçaf të kuq, të çanim duart dhe, me gjakun tonë, të lyenim copën e bardhë…! I pari që çau dorën me thikë, ishte vëllai im, Çaushi, i dyti Gëzim Medolli, Bedri Çoku, Gjet Kadeli, Ulsi Pashollari, e të tjerë…”

Shpresonim shumë të Sigurimi dhe Bashkëpunimi Europian i cili po realizohej me një shpejtësi marramëndëse nën kujdesin e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me të drejtë i gjithë njerzimi po priste me padurim çastin e madhe historik. Firmosjen për Mirkuptimin e Popujve të Europës, shteteve demokratike perendimore dhe atyre komuniste të Lindjes, të cilat vuanin ende nga regjimet diktatoriale, për të vendosur së bashku një rend të ri paqeje dhe bashkëpunimi në botë. Shpresonim se edhe Shqipëria me këtë rast. Do të firmoste në Helsinki këtë Akt për fatet e njerzimit, si përfaqësuese e kësaj Organizate Politike Ndërkombëtare. Kishim bindjen se vendi ynë edhe pse i pakrahësueshëm me vëndet e Lindjes, me hir, a me pahir, do t’i bashkohej Traktatit të Paqes dhe Bashkëpunimit me Europën (OSBE).
Autori

Vijon nga numri i kaluar

Kryengritja

Ai nuk pranoi të pikturonte flamurin e kryengritjes, ndërkohë që Gjet Kadeli, me zanatin e vet të zdrukthëtarit, i kishte bashkuar dy riga prej dërrase dhe me to sajoi shtizën e gjatë. Nga padurimi, vendosëm që atë sajesë, si flamur, ta ngrinim mbi tarracën e pallatit. U nisëm me të në dorë, duke e valëvitur në ajër. Më kujtohet që me ne erdhi Lukja, Gëzim Medolli, Naim Pashai, Murat Marta dhe disa të tjerë, por pa mbërritur në katin e dytë të pallatit, me bezen e kuqe pa shqiponjën, nga poshtë erdhën zëra se, Mersin Vlashi, nga Burreli, piktor dhe skulptor autodidakt, kishte shprehur gatishmërinë për t’a pikturuar shqiponjën. Ai ishte bashkë me Dervish Bejkon, i cili, si ç’më tha më vonë Mersini, ai e kishte marrë për të pikturuar flamurin. Bashkëfshatar i Ahmet Zogut, Mersini e filloi dhe e mbaroi shqiponjën, me përkrenaren e Skënderbeut, gati për një çerek ore. Shqiponja e Mersin Vlashit, edhe sot kur e kujtoj më ngjallë emocione të mëdha. E ngritëm Flamurin Kombëtar, pa yllin famëkeq komunist, mbi tarracën e pallatit trekatësh dhe, për kënaqësinë tonë, ai, magjishëm, filloi të valëvitej sikur shqiponja e pikturuar në të, të ishte vetë flladi i shpirtrave tanë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

I frymëzuar nga kjo ngjarje e veçantë, e paharruar dhe historike për jetën time, mbajta fjalën e rastit, në ballkonin e katit të tretë, duke i’u drejtuar qindra të burgosurve, të cilët të entuziazmuar brohorisnin dhe qanin nga gëzimi…! Flamuri i Skënderbeut dhe i Ismail Qemalit, që po valvitej i lirë dhe krenar, mbas kaq vitesh nën robërinë komuniste, i deformuar keq e i përçudnuar me simbolet e internacionalizmit proletar, shkaktoi pa hezitim entuziazëm të jashtëzakonshëm. Edhe pse disa muzikantë me kitarat e tyre të cilët krijonin ansamblin muzikor të drejtuar nga ish trompisti i Ansamblit të Shtetit, Ali Hoxha, patën mundësi të ekzekutonin himnin e Flamurit Kombëtar, por… nga frika nuk e bënë. Atë e bënë vetë të burgosurit e tjerë që e kënduan hymnin, me zërat e tyre të ngjirur nga thirrjet kundra diktaturës dhe drejtuesve të shtetit e të qeverisë…! Më dolën fjalët nga goja, sikur brenda meje të ishte shpirti hyjnor, kur thashë pikërisht ato fjalë, të cilat Naim Pashai, i ka përsëritur besnikërisht në romanin e tij, “Jetë e Pajetuar”:

“Të dashur bashkëvuajtës! Ky është flamuri i larë me gjakun e qindra mijërave shqiptarëve, në luftërat shekullore për liri e drejtësi. Ky është flamuri i idealëve të të parëve tanë dhe i yni…!

“Duartrokitje dhe urra-të e forta’, shkruan Naimi Pashai, ‘tundi ato gryka malesh. Emocione të jashtëzakonshme. Lot, mall, gëzim, përqafime dhe urime midis njëri – tjetrit”.

Flamuri u valëvit dy ditë e dy net mbi tarracën e pallatit. E, për ta ruajtur, qoftë dhe me jetën e tyre, dolën vullnetarë, Shuaip Ibrahimi nga Shkodra, Ndrec Çoku, nga Mirdita dhe Jonuz Norja nga Shijaku dhe të tjerë, të cilët, për fat të mirë nuk u arrestuan nga policia, si ç’u arrestuan shumë nga kryengritësit e tjerë. Ngritja e Flamurit na shtoi ndjesinë patriotike, por edhe detyrën sublime për t’a mbrojtur atë, deri në vdekje. Tani ishin me qindra të mallëngjyer në kamp, që vështronin mbi tarracën e epërme, të gatshëm për t’u flijuar, nëse dikush do të guxonte ta ulte nga piedestali Flamurin Kombëtar, që mbretëronte krenar pas disa dekadash i përçudnuar…!

Me ngritjen e tij, jo vetëm në kamp, por edhe jashtë rrethimit, situata mori pamje tjetër. Shija e lirisë dhe e krenarisë na nxitën për të vepruar më tepër nga ç’kishim bërë deri tani, ndërkohë që matanë telave me gjemba, gëlonin zhurmat e makinave ushtarake me përforcime dhe armatime të rënda. Edhe pse “Mëngjesi i Flamurit” shkaktoi shtrëngimin e trefishtë të rrethimit tonë, nga ushtarët e Korpuseve të Burrelit e të Shkodrës, solli lajmin e trisht se, lëfytet e çezmave brenda në kamp, ishin gëdhirë të thara nga mungesa e ujët të pijshëm. Oficerët e diktaturës ishin kujdesur, gjithashtu, të bllokonin edhe furnizimin me bukë e ushqime. Megjithatë, këto masa të egra nuk arritën, assesi, të ulnin zjarrin e shpirtrave tanë për të vazhduar qëndresën kundra diktaturës.

Ujë i pijshëm u zgjidh, njëfarësoj, pasi do të përdornim atë që ndodhej nëpër depozitat e dusheve. Fatmirësisht, përgjegjës i tyre ishte poeti Ylber Merdani, pinjoll i një familje antikomuniste, i cili i vuri përnjëherë depozitat në përdorim të kryengritësve. Madje, Merdani ndihmoi dhe për të fshehur dorëshkrimet tona kundra regjimit, në prozë a poezi, nëpër ato vende që ai i njihte mirë brenda territorit të depozitave.

Ndërsa për ushqime, do të përdornim, “si në rrethim”, ato në magazinën e ushqimeve personale, me kursimet e çdonjërit nga ne. Për këtë arsye, në kushtet e reja që u krijuan, organizatorët e kryengritjes, padyshim ngritën edhe çështjen e dyqanit të shtetit brenda rrethimit të kampit, i furnizuar me sheqer, vaj, djathë, sallam dhe asortimente të tjera, ku të burgosurit blinin me lekët e tyre, sipas llogarisë që mbahej dhe kontrollohej nga komanda. Lekët ishin ato që vinin nga familjet e të burgosurve, ose të fituara nga puna skllavëruese. Kurrësesi, nuk do të ishte në nderin e kryengritjes, nëse dikush, i uritur, apo një grup prej syresh, do të shpartallonin dyqanin e shtetit.

A nuk do të ishte veprim ky, baras me vjedhjen ose grabitjen që mund të bënte, bie fjala, një farë Ferit Lopa me shokë, të dënuar disa herë për vjedhje, dhe jo pa asnjë qëllim gjendeshin midis kundërshtarëve të regjimit, vetëm se pse, me gjasë, e kishin përligjur vjedhjen e zbuluar në flagrancë, për shkaqe ekonomike, pakënaqësi kjo që, sipas nenit 73, konsiderohej agjitacion e propagandë kundër pushtetit (jo)popullor. Të dënuar të tillë s’kishin asgjë të përbashkët me “statusin” e të burgosurit politikë…!

Edhe pse mbi kamp, përfaqe malit të zhveshur të Spaçit tashmë dukeshin grykat e zeza të kundërajrorëve, si turinjë përbindëshash, gati për të vjellë zjarr mbi çdo avion që mund të fluturonte i paautorizuar, mbi ato qindra metra katrorë të “pushtuar nga armiku”, si dhe qindra ushtarë me kaska çeliku në kokë, në pozicione frontale, për një luftë të vërtetë me të dënuarit e mbetur pa bukë, pa ujë. Gjithsesi, vendimi i prerë i drejtuesve të kryengritësve, ishte: “Dyqani i shtetit, do të ruhej pa u prekur, me çdo kusht e me çdo çmim!”

Për zbatimin e këtij vendimi u përzgjodhën dy nga djemtë që ngjallnin më shumë besim për të afruar në këtë mision, të fortët e kampit, për të cilët ishte bindja se do ta realizonin me korrektësi, “Vendimin e Nderit”. Ata ishin: Murat Marta nga Elbasani dhe pogradecari trupmadh, Dervish Bejko, paçka se të dy këta bënin dhe detyra të tjera shumë më të rëndësishme për kryengritjen. Prekja e dyqanit pa diskutim që do të deformonte përmbajtjen e kryengritjes.

Edhe pse u diskutua nxehtësisht “pro” dhe “kundra” ruajtjes së dyqanit, sidomos me njerëzit pa ndihma familjare, ai mbeti i paprekur, njashtu siç e kishte lënë vetë shitësi, një hallexhi nga Rrepsi, që vinte deri në Spaç për të ushqyer kalamajtë e vet…!

Ngritja e flamurit, jo vetëm jashtë rrethimit, shkaktoi ngjarjet që u thanë më sipër, por edhe brenda kampit ndodhën ndryshime të mëdha. Të burgosurit e mënjanuar dhe mosbesues, deri para ngritjes së flamurit, veçanërisht të burgosurit e vjetër e të moshuar, me këtë rast u afruan seriozisht me kryengritjen. Gjendja e rëndë e krijuar me klikën qeveritare, pasi flamuri u ngrit pa yllin komunist, i detyroi burrat e ditur e patriotë, ta shihnin të domosdoshëm krijimin e një Këshilli Krahinor, me njerëzit e mençur e me përvojë, në situata të tilla të nxehta, si në rastin tonë, ku vihej në rrezik, jo vetëm jeta e njerëzve brenda në kamp, por edhe dhimbja e dinjiteti i të afërmeve të tyre. Ndërsa çështja kombëtare, pa asnjë dyshim që pati sfondin e vetë më të rëndësishëm.

Bashkimi Krahinor, për mendimin tim, ishte një tjetër arritje e madhe në ditët e asaj ngjarjeje, që kulmoi me vendimet e mençura e të drejta, për kohën dhe rrethanat e krijuara, duke i gërshetuar të dyja çështjet e rëndësishme: Fatin e njerëzve dhe vlerat kombëtare! Por cilët ishin vendimet? Bashkimi Krahinor u formua me katër vetë për çdo krahinë të vendit, në ndonjë rast edhe tre, ndërsa Këshilli i tij merrte vendime me një përfaqësues nga çdo krahinë. Vendimi i parë u morë me vota unanime për të mos u dorëzuar dhe për të mbrojtur flamurin, deri në vdekje.

Vendimi i dytë lidhej me qëndrimin që do të mbahej për spiunët dhe informatorët e shumtë të komandës, të cilin Këshilli Krahinor e pa të arsyeshme që, në kushte lufte ata të mos dënoheshin me vdekje, siç e kanë zakonisht ligjet ushtarake. Dënimi me vdekje i tyre do të ishte gabim fatal, sipas këshilltarëve, jo vetëm për fatet e kryengritjes, por edhe për të nesërmen, për fatet e kombit, kur Shqipëria do të çlirohej nga komunizmi i kontrolluar nga rusët e serbët.

U arsyetua se, në fund të fundit, ata ishin fatkeq. Një pjesë ishin bërë informatorë të detyruar nga format më antinjerëzore të Sigurimit të Shtetit, kurse pjesa tjetër që ndodheshin rastësisht në burg, pa asnjë përndjekje të mëparshme, ishin trembur e mashtruar vazhdimisht. (Fatkeqësisht duhet thëne që, kategorinë e fundit po e shfrytëzojnë dinakërisht edhe sot mediat e sistemit pluralist, për të bërë politikën e gënjeshtërt ndaj të së vërtetës, për të burgosurit politikë, kundërshtarë real të diktaturës dhe luftëtarë të demokracisë.) Ndërsa, për personat që e kishin në gjak spiunllëkun, u la që të gjykoheshin në një moment tjetër, kur të vendosej në Shqipëri Shteti i së Drejtës.

Përfundimisht, pas shumë peripecishë, Këshilli Krahinor doli me parullën: “Pajtim!” Por, me kusht që të gjithë këta të cilësuar informatorë të komandës dhe të tjerë që njiheshin si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, do të detyroheshin të dilnin para bashkëvuajtësve dhe të denonconin me zë të lartë pa reshtur, qeverinë dhe regjimin që i kishte deformuar moralisht…! Ndryshe, do të merrnin dënimin që meritonin.

Fatmirësisht një pjesë e mirë e tyre pranuan vendimin e Këshillit Krahinor dhe dolën haptas para bashkëvuajtësve, denoncuan shtetin e diktaturës së proletariatit, mallkuan regjimin dhe udhëheqësit komunistë për mashtrimet e përdorura, që ata kishin dëmtuar moralisht e fizikisht shokët e miqtë e tyre, me shpifje dhe sajesa, sipas interest të Sigurimit të Shtetit, i cili i burgoste, i internonte, apo i eliminonte. Pjesa tjetër numëroheshin me gisht, që s’mund të dilnin për të zbatuar vendimin e Këshillit Krahinor.

Ata kërkuan falje për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore jo të mirë, ose ngaqë ishin në ditë zie për të afërmit e vdekur ditët e fundit…! Arsyet e tyre u pranuan. Ditën që kampi u gëdhi me flamurin, që valëvitej mbi tarracë, pa yllin e internacionalizmit proletar, matanë telave të përforcuar me qindra ushtarë e policë, rreth orës nëntë, u shfaq me megafon në dorë, drejtori i përgjithshëm i policies së shtetit, Kasëm Kaçi. Bëri thirrje që të dorëzoheshim e të dilnim në punë dhe madje kërcënoi me ndërhyrje të ashpër, nëse do të vazhdonim revoltën. E mori reston, përnjëherë, nga thirrjet tona të fuqishme kundra komunizmit dhe klikës që drejtonte vendin. “Liri, demokraci”, “Rroftë Europa e Bashkuar”, “Rroftë Amerika demokratike”, “Poshtë diktatura komuniste”!

Në një çast qetësie, si jehonë nga një humnerë e thellë, papritur u dëgjua zëri i ngjirur i Lukes, drejtuar ushtarakut të lartë, kryepolicit të Republikës: – “Kasëm Kaçi, Kasëm Kaçi! Njihemi bashkë shumë mirë. Luka jam, ai që më internove në kënetën e Nartës…! Je një letër e djegur, o qelbësirë! Prandaj, largohu sa nuk është vonë! Nuk të beson njeri ty, o këlysh i Enver Hoxhës”!

Iku Kasëmi, me bisht ndër shalë. Por situata u acarua më tepër, jo vetëm nga fjalët e Lukes, por edhe se prapa kuzhinës, midis telave dhe rojeve nëpër karakolle, shpërthyen dy nga granatat tona, si jehonë e fjalëve fyese për ushtarakun e lartë të shtetit. Menjëherë erdhi kundërpërgjigja e rrethuesve me një seri breshërish automatikësh e mitralozash…! Njerëzit brenda kampit u platitën përtokë. Kaloi gati një orë që thirrjet tona nuk pushonin, duke kërkuar ndihmë nga shtetet perëndimore, duke hedhur parulla kundra diktaturës, kur, paritur në sfondin e shtetrrethimit, përballë komandës, shfaqet një njeri i shoqëruar nga një goxha shpurë…!

Ngulet para kampit dhe vështrimin e hedh drejt, jo mbi ne, por përtej telave të rrethimit, mospërfillës e moskokëçarës, sikur të ishte njeri i ardhur nga hapësirat e kozmosit. Ishte Fiçor Shehu, zëvendësministri i Brendshëm i qeverisë dhe një nga drejtuesit kryesorë të Sigurimit të Shtetit. Ai filloi të fliste me një gjuhë të zbutur, duke menduar se ne do të ndërprisnim thirrjet kundra qeverisë dhe do të dëgjonim broçkullat e tij. Përkundrazi. Pikërisht pse ishte ai aty, ne i shtuam thirrjet më shumë. Ai kërkoi një përfaqësi për të biseduar me të. Por e siktërrisëm, duke i treguar se ai ishte po aq i “rëndësishëm” sa ç’ishin dhe të tjerët përreth tij. Por, për çudinë e të gjithëve, pa biseduar me askënd, dy nga të burgosurit, pavarësisht nga njëri – tjetri, kaluan portën e zonës së ndaluar dhe shkuan përballë Fiçor Shehut.

Kishte zëra se, kreu i Sigurimit të Shtetit, Kadri Azbiu, ndërkohë ishte parë të hynte në zyrat e komandës. Gjithsesi, biseda e tyre me Fiçor Shehun nuk dëgjohej nga thirrjet e fuqishme. Ndërkohë, shokët e mi, që ishin dhe anëtarë të Këshillit Krahinor, më këshilluan të shkoja unë te Fiçor Shehu, për të mos i lënë ata të dy të flisnin në emrin tonë.

Kur kalova portën dhe u gjenda përballë Fiçorit, thirrjet e të burgosurve u fashitën. U futa qëllimisht midis të dyve dhe e ndërpreva bisedën e Paulin Vatës me zëvendësministrin. Vata kishte qenë i dërguar në Jugosllavi me mision nga shteti shqiptar, por ngaqë kishte dështuar në misionin e fshehtë, jugosllavët e zbuluan dhe e burgosën. Menjëherë, sapo mbaroi dënimin e dhënë nga shteti jugosllav, e tërhoqën në Shqipëri, ku e dënuan për “tradhti ndaj atdheut”, sipas ligjeve në Shqipëri. Kurse tjetri, që s’kishte folur fare, ishte Nuri Stepa nga Tirana, njeri i ndershëm dhe korrekt.

I gjendur papritur midis të dyve, P. Vata e ndërpreu bisedën me zëvendësministrin, por veshët e mi kapën disa fjalë të tij, që i nënkuptova se ai e kishte thjesht çështje personale me të, ngaqë ndjehej i tradhtuar nga shteti shqiptar, veçanërisht nga organet e Sigurimit të Shtetit. E shoh të arsyeshme të bëj një ndërhyrje për të pasqyruar vërtetësinë e këtij çasti, nëpërmjet dëshmisë së një të ridënuari tjetër në kryengritjen e Spaçit, dhënë për “Shijak Tv”, Spiro Nasho. Njeri me karakter që nuk kërkonte kurrë lehtësira. I dashur dhe i respektuar nga bashkëvuajtësit. Kjo është një pjesë e intervistës së tij:

“Ditën e dielë në Spaç erdhën njëzet e katër makina me ushtarë e municione. I shoqëronte Kasem Kaçi, Drejtor i Policisë së Shtetit. Ai na lexoi vendimin e qeverisë, që thoshte: ‘Në qoftë se deri nesër, ora nëntë, nuk dorëzoheni, shteti do të përdorë të gjitha mjetet që disponon diktatura e proletariatit. Do t’ju shtypim me zjarr e hekur, nëse e kërkon nevoja’. Pas kësaj policia bëri një tentativë tjetër për të hyrë në kamp, por e kishte të pamundur, pasi ne ishim të organizuar e të bashkuar mjaft mirë me njeri-tjetrin. Pastaj erdhi Fiçor Shehu, i shoqëruar nga Kasem Kaçi dhe komandanti i kampit, Haxhi Gora. Ata thanë se ishin 600 policë që rrethonin kampin tonë dhe prisnin urdhrin për të na sulmuar. Fiçori kërkoi një përfaqësi për të biseduar me të. Në takim, brenda telave, vajti P. Vata dhe N. Stefa. Por pas pak shkoi dhe Bedri Çoku, një djalë i pamposhtur. Por… trim mbi trimat u tregua Hajri Pashaj, kur u ballafaqua me Fiçor Shehun, duke i thënë se ishte djali i Zenel Braushit, bashkëfshatarit të tij, që, dikur, ai me shokë i “hiqnin kapelen”. Pastaj Hajriu e fyeu rëndë Fiçorin, kur ky i tha se yt atë ishte një kriminel që merrej me plakat e fshatit…! Debati me Fiçorin i solli atij edhe vdekjen në moshë aq të re…”

Unë i parashtrova zëvendësministrit kërkesat dhe pikëpamjet tona lidhur me revoltën dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar, pa yllin komunist. Fiçori vazhdonte të këmbëngulte që ne të ulnim Flamurin e të dilnim në punë, madje filloi të bënte dhe kërcënime se do ta paguanim shtrenjtë nga ç’e mendonim, nëse do të vazhdonim kështu. Por këmbëngulja ime për të mbrojtur të drejtat dhe idetë tona lidhur me punën e detyruar dhe trajtimin çnjerëzor, shoqërohej me thirrjet miratuese të të gjithëve. I tërbuar, Fiçor Shehu kërcënoi se do të urdhëronte ushtrinë të sulmonte me gjithçka që dispononte, madje dhe me napalm do të na mbyste, nëse do të ishte nevoja për të na shfarosur Krejt…! /Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb