Gjatë protestës kundër qeverisë, një qytetar i moshuar ka bërë apel për reagim nga intelektualët, pedagogët, mësuesit dhe shoqëria civile, duke kërkuar që të mos heshtin përballë situatës politike në vend.

Ai tha se heshtja e njerëzve me zë në shoqëri mund të ketë pasoja të rënda dhe u bëri thirrje atyre që të shprehen publikisht.

“Kam një thirrje për njerëzit e mençur të këtij vendi: të flasin, sepse heshtja e tyre mund të jetë më e keqe se veprimet e njerëzve të këqij”, u shpreh ai.

Qytetari iu drejtua gjithashtu prindërve, duke ngritur shqetësimin për të ardhmen e të rinjve dhe mundësitë e punësimit për fëmijët e tyre.

“Si do të ndihen prindërit kur fëmijët e tyre të mos gjejnë punë?”, tha ai, duke bërë apel edhe për pedagogët dhe mësuesit që të reagojnë për të ardhmen e brezave të rinj.

Ai falënderoi të rinjtë që, sipas tij, kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në nisjen dhe vazhdimin e protestës.

Gjatë fjalës së tij, qytetari komentoi edhe përplasjet politike në vend, duke kritikuar lidhjet mes figurave kryesore politike dhe duke thënë se shumë prej vendimeve të rëndësishme për Shqipërinë janë marrë nga të njëjtët aktorë politikë ndër vite.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: