TIRANË

Kryeministri Edi Rama tha sot se në kushtet e mbylljes së shengenit deri në 15 qershor mundësohet rritje e fluturimeve të Air Albania për të lehtësuar korridorin humanitar të riatdhesimeve.

“Nga e hëna nuk do jetë e nevojshme që për të riatdhesuarit karantinimi të kryhet në hotele por në shtëpi duke respektuar rregullat e domosdoshme”, u shpreh kryeministri.

Ai theksoi se deri në fund të kësaj jave që vjen të kemi një relaksim të mëtejshëm dhe pas 18 majit të fillojmë të lehtësojmë gjerësisht lëvizjen, qoftë brenda për brenda qoftë për të kapërcyer kufijtë.

“Çdo gjë që themi në këtë situatë ka gjithmonë një kusht. Numrat duhet të na ndihmojnë për të arritur atë që kemi lajmëruar. Nëse do kemi rritje të numrave do kemi hap mbrapa”, tha ai duke sjellë si shembull Korenë e Jugut.

“Në Korenë e Jugut është vendosur mbyllja e bareve dhe restoranteve sepse si rezultat i hapjes së tyre numri i të infektuarve kërceu përtej të arsyeshmes. Do ta shihni dhe në Shqipëri një rritje të numrave por nëse kalon përtej të arsyeshmes do të ketë sërish masa”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb