TIRANA

Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim këtë të mërkurë kërkesën e shoqatës së Bashkive për shfuqizimin si antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe ripërsëritjen e tyre.

Në nisje të seancës, Këshilli i Ministrave kërkoi pezullimin e procesit, derisa në gjykatën e Tiranës të zgjidhej konflikti i lindur mes Voltana Ademit dhe Pjerin Ndreut, për kryesimin e shoqatës, si dhe njëherazi që pjesë e procesit të ishte edhe Shoqata për Autonomi vendore. Të dyja kërkesa u rrëzuan nga shtatë gjyqtarët kushtetues.

Në vijim, seanca plenare u ndërpre për një orë, duke iu dhënë mundësinë palëve për të njohur me dokumentat. Më pas përgjatë të paktën shtatë orëve, trupa e gjyqtarëve kushtetuese dëgjoi argumentat pro dhe kundër të palëve. Avokati Jordan Daci që përfaqëson Voltana Ademin tha se kërkesa e Shoqatës së Bashkive duhet pranuar pasi zgjedhjet vendore të 30 qershorit u zhvilluan pa një dekret të presidentit.

Ai sqaroi se asnjë akt tjetër nuk mund të zëvendësonte dekretin, por pavarësisht se kreu i shtetit firmosi për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, institucionet e injoruan atë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijoi me organizimin e procesit. Ai theksoi më tej se qytetarëve iu mohua e drejta për të zgjedhur, pasi në shumicën dërrmuese të bashkive kishte vetëm një kandidat si dhe u shklel e drejta për fshehtësi të votës. Lidhur me pjesën e dytë të kërkesës që lidhet me kushtetutshmërinë e partisë Bindja Demokratike që doli me kandidat për disa nga Bashkitë, avokati Daci tha se partia në fjalë nuk ekzistonte juridikisht në momentin kur u regjistrua për të marrë pjesë në zgjedhje. Pretendimet e shoqatës së Bashkive u mbështetën edhe nga Bledar Dervishi, Përfaqësuesi i presidentit.

Ai tha se kreu i Shtetit i anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, për të qetësuar situatën politike, pasi kishte marrë informacion se më 8 qershor 2019, po përgatiteshin skenarë për të destabilizuar vendin dhe djegur institucionin e Parlamentit.

Mimoza Arbri përfaqësuese e Kuvendit tha se presidenti ka detyrë vetëm të caktojë datën e zgjedhjeve dhe jo ta anulojë atë. Sipas Arbrit, institucioni i vetëm që mund të shtyjë apo anuloje zgjedhjet, kur vendi mund të ndodhet në situatë të jashtëzakonshme, apo raste të fatkeqësisë natyrore, është Kuvendi dhe jo Presidenti. Ajo tha se 55 deputetë të Kuvendit, miratuan një rezolutë ku ndër të tjera u shprehën se Ilir Meta kishte shkelur Kushtetutën duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit. Por gjetjet e Komisionit hetimor Manja, nuk u konsideruan nga Komisioni i Venecias, si shkelje aq të rënda sa mund të bënin shkak për shkarkimin e presidentit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb