NGA ARMIR MEHAJ*

PUKË- Tuneli i Gjegjanit, i cili u bllokua një ditë më parë duke lënë të izoluar më shumë se 10 mijë banorë të zonës dhe më gjerë është zhbllokuar tashmë dhe përgjatë segmentit rrugor Fushë- Arrëz- Gjegjan-Mirditë mund të qarkullohet, ndonëse në hyrje-daljet e tunelit drejtuesit duhet te tregohen të vëmendshëm, pasi rreziku nga shembje të tjera mbetet evident.

Gjatë inspektimit të aksionit për zhbllokimin e rrugës nga kompania që mirëmban këtë segment rrugor, zëvendës kreu i Bashkisë së majtë, Artan Zaja shprehet se aksi Fushë-Arrëz- Gjegjan- Mirditë kërkon ndërhyrje të menjëhershme, premtim i dhënë dhe nga qeveria aktuale e votëbesuar dhe nga pukjanet.

“I apelojmë qeverisë shqiptarë të ndërhyjë sa më parë të jetë e mundur, pasi ky është një problem serioz për banorët. Deri tani në këtë rrugë kanë humbur jetën 35 persona, ne nuk mund të vazhdojmë ti lëmë njerëzit në bashkëjetesë me rreziku, ndaj apeli im është i drejtpërdrejt ndaj qeverisë dhe ministrit Haxhinasto. Rruga është një premtim i bashkisë dhe qeverisë ndaj duhet bërë realitet. Bashkia është në krahun e banorëve”, u shpreh zëvendëskryetari Zaja.

Tuneli i Gjegjanit mbetet një rrezik tashmë i paralajmëruar, pasojat e të cilit tani nuk mund të jenë asgjë më pak se sa neglizhencë e vetë shtetit, qeverisjet e të cilit duket se nuk e vlerësojnë jetën e këtyre banorëve ashtu si dhe të shqiptarëve të tjerë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb