NGA FATMIRA NIKOLLI*
Shumëkush mund të mendojë se veprat ku shfaqen punëtorë me kazma, ndërtimi i hidrocentraleve, apo ku grushtet e partizanëve ngrihen lart triumfues, janë tashmë vetëm pjesë e së shkuarës, si vepra të ideologjisë komuniste, si pjesë e propagandës. Por, çerek shekulli nga rrëzimi i ideologjisë, dëshmitë e propagandës ngjallin interes.

Ndërsa është damkosur në Lindje, arti pamor i realizmit socialist po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e Perëndimit, e bashkë me këtë, ato vepra po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta.
“Realizmi socialist, është socialist në përmbajtje e kapitalist në çmime”, – shkruan kritikja Yulia Vinogradova në “Rusia beyond the headlines”. Artikulli i saj, tregon në fakt se si, arti i Lindjes komuniste po merr gjithnjë e më shumë vëmendjen e qendrave botërore të artit. 24 vepra të kësaj fryme, kanë kapur shifrën e 7.7 milionë dollarëve në “Sotheby” në Londër.

Në majin e 2014-ës, një ekspozitë me vepra të Viktor Popkov, e çelur në “Somerset House”, u vizitua vetëm ditën e parë nga 3.000 njerëz.

Shihet pra qartë, se realizmi socialist po shijon ringjallje. Publiku, po rizbulon piktorët që u kushtuan vëmendje draprit, çekanit, kooperativave, takimeve të udhëheqësve me popullin, uzinave, fabrikave, tornitorëve, brigadierëve, aksionistëve.

E ndërsa ekspozitat e artit të socrealizmit, mbahen në Londër, Berlin, New York e Romë, Tirana në më të shumtën e saj, duket se ka ende frikë ta shohë atë vetëm si art, pa e ndjekur nga pas ndonjë përcaktim si “punë të artistëve të regjimit” (apo: ata po ngjallin komunizmin). Aty ku hyn paragjykimi, gjykimi i shëndoshë del nga sytë këmbët. Por, a është kaq e ndritur sa në Perëndim e ardhmja e artit të Lindjes në vetë Lindjen? Një ekspozitë e GKA-së, do t’u përgjigjet disa pyetjeve.
Ekspozita e Galerisë
Kombëtare të Arteve

Të premten, më 27 shkurt, në Galerinë Kombëtare të Arteve çelet ekspozita “Punëtorët dalin nga studioja. Duke mos parë më realizëm socialist”, kuruar nga Mihnea Mircan. Ekspozita tregon vepra nga Irwin (grup artistësh, Slloveni), Armando Lulaj (Shqipëri), Ciprian Muresan (Rumani), Santiago Sierra (Spanjë), Jonas Staal (Holandë) dhe Sarah Vanagt (Belgjikë), si dhe një përzgjedhje ekskluzive veprash nga fondi i GKA. Sipas kuratorit Mihnea Mircan, “kjo ekspozitë është një përpjekje për të hedhur dritë mbi fragmente të veçanta të fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, dhe atyre projekteve të artit bashkëkohor që fokusin e kanë rreth nocionit të realizmit. Marrëdhëniet mes lirisë artistike dhe shërbimit politik, shtylla ku mbështetet prodhimi i artit realist socialist, shtrojnë një ekuacion për të cilin praktikat e angazhuara të artit bashkëkohor patjetër duhet të japin një përgjigje, edhe atëherë kur gjenden brenda një regjimi të ndryshëm të bashkëbisedimit politik.”
Vincent Van Gervenoi, është ndihmës i kuratorit të ekspozitës.

I ardhur në Shqipëri katër vite më parë si vëzhgues i zgjedhjeve, ai jeton tashmë në Tiranë dhe ka një shqipe të kënaqshme. Biseda me të, sillet rreth artit në dy kohë, dhe ndikimit të politikës në të. “Kemi menduar më shumë se një vit për këtë projekt që ka ndër mend të artikulojë lidhjen midis artit dhe politikës, e artit bashkëkohor në krahasim me artin gjatë kohës së komunizmit, jo vetëm nga realizmi socialist”, – thotë Van Gervenoi.

Ai nënvizon se për të kuptuar më shumë, janë zgjedhur artistë bashkëkohorë që punojnë me këtë çështje. “Ka një lidhje të ngushtë mes artit e politikës, sot dhe në të shkuarën. Kemi një kryeministër që është një artist, prandaj, pikërisht në Shqipëri ka një lidhje shumë të fortë dhe patjetër duhet bërë një investigim për këtë. Nga ana tjetër, këtu në një kohë kishte një lidhje të caktuar mes artit dhe politikës. Domethënë politika e kishte shumë të qartë se çfarë duhet të bëjë arti”, – thotë ai, duke iu referuar socrealizmit.

Për të dhe për kuratorin, ende sot, ka një ndikim të lartë të politikës në art.
Por ka edhe një pyetje tjetër që duket se do marrë përgjigje në këtë ekspozitë: çfarë duhet të bëjmë tani me artin e socrealizmit, duhet ta injorojmë? Van Gervenoi nënvizon se veprat e socrealizmit (të epokës komuniste) janë prodhuar në një mënyrë shumë specifike, për një qëllim shumë specifik, një qëllim që kishte ndër mend të prodhonte një pamje ideologjike. “Tani patjetër ato vepra nuk funksionojnë më në këtë mënyrë, se jemi në një politikë ndryshe, por çështja tani është: cili mund të jetë kuptimi i këtyre veprave nga ana estetike dhe historike, çfarë mund të na thonë? Për një mendim të tillë, duhet të ballafaqohen me artin bashkëkohor.”
Kështu ekspozita, përveç punëve të 6 artistëve bashkëkohorë, do të ketë edhe vepra nga fondi i GKA-së, vepra të përzgjedhura nga vetë artistët bashkëkohorë.
Pyetjes nëse mes veprave të fondit ka ndonjë vepër të kryeministrit Edi Rama, ndihmëskuratori Vincent Van Gervenoi i përgjigjet: “Nuk ka punuar në kohën e realizmit” (çka nuk është gjithë e vërtetë). Më tej ai sqaron se, veprat e tij, “nuk janë vepra që kanë këtë frymë”, pra nënkupton që nuk i takojnë socrealizmit.

Si ndikon politika sot në art? Në pamje të parë, liria shfaqet dehëse, por ka mendime se mënyra e ndikimit është transformuar. “Në komunizëm arti duhej të tregonte realizmin e ndërtimit të socializmit në Lindje. Arti ishte propagandë. Tani thuhet se arti është i lirë, të gjithë janë të lirë të prodhojnë ç’të duan, nudo, porno, performancë, çdo gjë. Por, kjo ide që arti duhet të jetë i lirë, është ide krejt politike, sepse me këtë ide që në botën perëndimore kemi një art të lirë, ne kemi ndër mend të sulmojmë vendet ku arti nuk është i lirë dhe ku shtypen të drejtat njerëzore”, – përgjigjet Vincent Van Gervenoi.

Për të, “të jesh i lirë”, është sot një imperativ politik, ndërsa mosndikimi është një mënyrë ndikimi.
Nga ana tjetër, askush s’do të mund të shkëputet kurrë nga arti i realizimit socialist, ashti siç nuk është shkëputur as nga pikturat në shpella, nga Mikelanxhelo, Da Vinçi apo Pikaso. Socrealizmi nuk është vetëm një epokë.

Ekspozita e realizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe Departamenti i Shqiponjave (me mbështetjen e Fondacionit “Prins Claus”, Holandë), do qëndrojë e hapur deri më 5 prill.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: