TIRANE – Riselda tregon, se nuk ka frikë nga komentet e pahijshme deri dhe fyerjet. Ajo thotë se, në fakt ata që kalojnë në ekstrem, thjesht nuk e kuptojnë natyrën e saj ironike. Fakti pse luan me “ndjenjat” e atyre që nuk kanë mundësitë e saj ekonomike është, sepse ajo mendon se “këto punë janë me fat dhe jo me inat.” Ajo është prononcuar për “shije.al”, se përtej rrjeteve sociale dhe vanitetit, që na shfaq aty, është një nënë dhe bashkëshorte e përkushtuar, që megjithëse e impenjuar në disa punë gjen kohën të gatuajë. Gjithashtu i pëlqen të eksperimentojë dhe t’i kushtojë rëndësi çdo detaji në shtrimin e tavolinës. Edhe në prononcimin e saj për ne të “shije.al”, ajo nuk i ka kursyer fjalitë ngacmuese, që me siguri do të përfliten gjatë në rrjet.

Cila është marrëdhënia juaj me kuzhinën? Jeni së shumti një kuzhiniere e mirë apo shijuese e devotshme?
Unë jam tepër e lidhur me kuzhinën. Parapëlqej t’i gatuaj të gjitha llojet e ushqimeve, sidomos pastat dhe antipastat. Kuzhina për mua ka një rëndësi tepër të madhe dhe sigurisht që i kushtoj shumë përkushtim dhe kohë. Mua nuk më bën njeri naze në kuzhinë, sepse përveç shijes që i jap ushqimit, nuk harroj kurrë ta përziej me “Versace”, “La Praire”, “Roja” dhe “Amouage” (qesh).
Përtej shakave, se nuk mund të rri dot pa u bërë shok ne provokimin, di të them që përveçse i fal tepër kënaqësi familjes sime me artin e të gatuarit, i fal dhe kënaqësi shpirtërore vetes sime nëpërmjet kuzhinës.

Po pjesa e paraqitjes dhe servirjes sa rëndësi ka për ju?
Përtej këtyre detajeve i kushtoj shumë rëndësi edhe servirjes, apo detajeve tepër të kushtueshme të seteve të pjatave, gotave dhe çdo detaji tjetër përreth, që përbën të gjithë këtë lloj atmosfere magjike, që ka lidhje me kuzhinën, të ushqyerit dhe të ndjerit mirë dhe bukur. Çdo detaj estetik, duke filluar që nga mbulesat e tavolinës apo qëndrimin e picetave , shtrimin e tavolinave për miq apo për festa të veçanta nuk i kam neglizhuar kurrë. Më japin një ngrohtësi shpirtërore këta elemente dhe investoj shumë në këtë botë arti, kaq domethënëse dhe kaq interesante për mua.

Po luksi është i rëndësishëm dhe pjesë e kësaj paraqitjeje?
Më pëlqen që çdo gjë që ka lidhje me kuzhinën të jetë tepër e kushtueshme, tepër luksoze dhe tepër atraktive. Këtë kulturë apo stil të jetuari e kam të trashëguar nga mamaja ime. Asaj i kanë pëlqyer gjithmonë këto detaje dhe më ka mësuar që të vogël, se është tepër e rëndësishme për një femër apo grua, që të dijë të kujdeset për kuzhinën, botën e saj, marrëdhënien me gatimin, si edhe përkushtimin maksimal ndaj servisjes dhe mënyrës, se si duhet t’i shërbejmë familjes apo miqve tanë të dashur.

Cilat janë pjatat dhe recetat që gatuan Riselda Sejdija?
Unë i gatuaj të gjitha llojet e pjatave në shtëpi, përveç rizotos me perime që mbetet një ndër pjatat më të pa preferuarat për mua dhe familjen time. Është e vetmja pjatë, që çuditërisht nuk është futur dhe përdorur asnjëherë në repertorin tim të gatimit. Përveç të gjitha pjatave, që gatuaj pjata më e fortë për mua personalisht, mbetet: dy feta bukë të thekur, vaj ulliri, kripë, rigon, djathë i bardhë, dy qepë të njoma dhe një gotë qumësht “Parmalat”. E kam shprehur edhe herë tjetër në intervistën time për revistën “Shije” këtë menu timen kaq origjinale, pa komplekse dhe tepër të shijshme që nuk do e ndërroja me asnjë gjë në botë.

Cilat janë pasionet tuaja përveç gatimit?
Përveç gatimit, më pëlqen shpesh herë të bëj edhe punët e shtëpisë sime të dashur, edhe pse nuk kam shumë kohë në dispozicion. Më pëlqen të sistemoj sendet e mia personale, të risistemoj garderobën, njëkohësisht edhe plot gjëra të tjera. Megjithëse kjo nuk mund të ndodhi shumë shpesh, pasi kam impenjime të tjera gjatë ditës. Me gatimin mjafton të jem e lidhur dhe mos të lejoj dikë tjetër të fusi duart. Ndërsa puna që nuk do të kisha dashur ta bëja asnjëherë dhe që do të urreja ta bëja, do të ishte që, thjesht nuk do të doja t’i fusja kurrë hundët në punën e tjetrit.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: