NGA: Brikena Meta/ Xhemil Beharaj*LUSHNJE-Duket se çdo fillim vere rezulton i suk sesshëm për policinë, e cila vendos të nisë operacionet antikanabis në shkallë të gjerë. Rreth 6000 rrënjë bimë kanabis sativa janë sekuestruar vetëm gjatë tremujorit të fundit të 2015-ës në disa prej zonave më problematike të Qarkut Gjirokastër si Kurvelesh, Picar, Zagorie që janë vënë nën krehrin e uniformave blu dhe specialistëve antikanabis. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, në këto zona u sekuestruan dhe asgjësuan mbi 4000 rrënjë bimë narkotike. Pohimi vjen nga Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës. Sipas zëdhënëses së këtij institucioni, Enerjeta Camani, ky operacion do të vijojë në të gjithë qarkun dhe në fazën e dytë të tij do të shoqërohet edhe me monitorim nga ajri.

Qarku i Gjirokastrës renditet një ndër më problematikët përsa i përket kultivimit të kanabisit. Pas operacionit antikanabis në Lazarat, që vijon të jetë në kontroll të vazhdueshëm të policisë, vëmendja e uniformave blu është përqendruar në zonat malore të Qarkut Gjirokastër, ku sipas informacioneve që vinë nga kjo drejtori, kultivimi i kanabisit është një praktikë në vijimësi. Një vit më parë, gjatë qershorit të 2014, policia e Gjirokastrës ka asgjësuar rreth 20 mijë fidanë kanabis në zonat e komunës së Kurveleshit. OPIUMI Rikthehet pas disa viteve kultivimi i bimës narkotike opium, por tanimë jo në fshatin Ngjeqar në Roskovec, por në Çermë të Lushnjes. Blutë e tri komisariateve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier janë hedhur në aksion total për gjetjen dhe asgjësimin e bimëve narkotike si dhe vënien në pranga të kultivuesve të tyre. Paraditen e djeshme zyra e luftës kundër kultivimit e trafikimit të lëndëve narkotike ka vënë në pranga Refat Arapin banues në Cermë të Lushnjes si dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi në kopshtet e tyre ka gjetur dhe sekuestruar sasinë prej 300 rrënjë bimë narkotike të llojit opium. Të dy këta shtetas akuzohen për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: