PRISHTINË- Këngëtarja britanike me famë botërore e lindur në Kosovë, Rita Ora, në një artikull të revistës diplomatike franceze “La Lettre Diplomatique” ka shprehur mbështetjen e saj të fuqishme për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). Në vijim artikulli i Rita Ora të shkruar për revistën diplomatike Franceze “La Lettre Diplomatique”.

“Jam një yll i popit. Jam refugjate. Në të vërtetë jam një bebe refugjate. Si fëmijë jam rritur në një banesë me një dhomë të cilën e kam ndarë me prindërit e mi dhe motrën më të madhe. Nga dritarja kam mundur të shoh Varrezat Brompton. Ishte e frikshme. Nuk e di se çka ishte më e frikshme – varrezat apo të qenit refugjat…

Prindërit e mi u larguan nga Kosova në kërkim të një jete më të sigurt. Fakti i të qenit një person i zhvendosur nga vendi, bartja e etiketimit “refugjat,” më ka dalluar thellësisht. Refugjatët rrallë se kanë një zë.

Fatmirësisht, unë e kam një – në kuptimin e plotë të fjalës dhe në mënyrë metaforike. Zëri më dha famë. Unë jam e privilegjuar dhe motivuar në mënyrë të barabartë për ta përdorur zërin tim në emër të refugjatëve. Edhe pse paqja dhe siguria janë ato që ne i synojmë, – parakushtet për një jetë normale, – jo gjithkush gëzon këto të drejta legjitime; ato nuk jepen, ato duhet të ruhen. Organizatat ndërkombëtare luajnë një rol të madh në këtë drejtim.
Ekziston edhe një aspekt tjetër i tregimit. Njerëzit e suksesshëm dhe ata të cilët i shikojnë ata kanë tendencë të besojnë se janë të veçantë, se janë bërë vetë të suksesshëm. Kjo është në një masë të madhe e vërtetë.

Megjithatë, ne nuk duhet të harrojmë fuqinë e mundësive të ofruara tek ne. Madje edhe më të mirët prej neve, në një vend të shkatërruar nga lufta, do të ishin këmbëzbathur pranë një vije kufitare, të zënë duke u munduar të mbijetojnë.

Prandaj, unë i përkrah përpjekjet e autoriteteve të vendit tim të lindjes në angazhimin e Kosovës në të gjitha forumet multilaterale – duke përfshirë UNESCO, në mënyrë që të sigurohet se populli i Kosovës, rinia e Kosovës, kanë qasje në më shumë mundësi. Gjithashtu, të drejtat e tyre do të mbrohen më mirë.
Jam e kënaqur që Kosova, vendi im i origjinës, ka zgjedhur rrugën e bashkëpunimit. Kjo i mundëson qytetarëve të jenë më të vendosur për të ecur përpara, të jenë më të egër për progres dhe sukses. Unë gjithmonë e kam dashur muzikën, isha e vendosur për arritjen e suksesit, por i falënderohem të gjithë atyre që më përkrahën. Ata më ndihmuan në shkrimin e tregimit tim.

Është e rëndësishme për Kosovën që të mbështetet në rrugën e saj drejt integrimit. Kjo nënkupton aftësinë e komunitetit ndërkombëtar për njohjen e përpjekjes, mbështetjes së saj dhe arritjen e kompromisit. Duke bërë kështu, komuniteti ndërkombëtar tregon një vizion të botës. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë duhet të jetë pjesë e këtyre përpjekjeve. Së bashku mund ta përcaktojmë shekullin 21″. (KosovaPress)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: