Me stil unik dhe mendje të hapur, Robert Aliaj është artisti kontrovers që sfidon kohën me pamjen e tij një- soj, nga viti në vit, e që preferon të flasë hapur në ekran. Në këtë sezon të ri televiziv, për të katërtin vit shfaqet i ulur në karrigen e jurisë që gjykon personazhet e njohura në kërcimet e tyre në “Dance with me”. Për përballjet televizive me ta, komentet e bashkëshortes e dy fëmijëve, dhe mënyrën si ai e sheh botën dhe si bota e sheh atë, Berti flet në këtë intervistë ndryshe për gazetën “Panorama”.

Për të katërtin vit të shohim në jurinë “Dance with me”. Si janë marrëdhëniet e tua jashtë kamerave me Valbona Selimllarin dhe Albi Nakon, pra kur jeni në një mendje dhe kur jeni ekstremisht kundër?
Jashtë kamerave ne kemi marrëdhënie miqsh. Duke qenë njerëz të lirë, unë nuk e kuptoj kufirin midis të qenët ose jo dakord. Secili ka mendimin e vet dhe kaq.

Që në fillim të spektaklit të kemi parë në një debat me një nga konkurrentet e spektaklit të kërcimit, Fjori Dardhën. Ka një paskuintë përplasja juaj televizive?
Ne jemi njerëz nga background-e të ndryshme dhe formim të ndryshëm. Unë nuk përplasem me askënd. Jam aty për të gjykuar dhe çdo qasje për të gjykuar gjykimin tim është thjesht antiprofesionale dhe mungesë e etikës së komunikimit dhe respektit. Bëhet për të provokuar skupin, për të tërhequr vëmendjen. Është një përplasje artificiale, e qëllimtë, për të rënë në sy. Nuk është interesante për publikun të dijë kush është kundër meje, kjo s’ka vlerë. Publikut duhet t’i interesojnë kërcime me nivel dhe të ndjera, qytetari dhe vlerësime të drejta.

Po ashtu kanë tërhequr vëmendjen komentet e tua drejtuar Linda Reit. Si të duket si bashkëbiseduese, kërcimtare dhe si femër?
Linda nuk është aspak bashkëbiseduese për mua, s’ka lidhje me dancin dhe nuk është femër në perceptimin tim. Por, prania e saj në “DWM” zbulon karakterin konservator të shoqërisë shqiptare. E them këtë, sepse askush nuk ka pranuar të jetë partner me të në show.

Të hënën e fundit shpërtheve dhe ndaj publikut në sallë. E ke menduar ndonjëherë sa për qind e publikut që të ndjek nga shtëpitë e tyre të kupton dhe të do? Dhe a ka nga ata që të urrejnë?
Mendoni ju që publiku është naiv, e që ne jemi katandisur në popull që urrejtjen e kemi virtyt? Ndërkohë që nuk ka asnjë arsye në botë që dikush të urrejë një tjetër. Kështu, sa i përket publikut, ai është i lodhur dhe i zhgënjyer me gënjeshtra e mashtrime, me falsitetin e shëmtuar, me manipulimin… Ata e kuptojnë që shpërthimin tim e provokojnë me zor, që është shpërthim kundrejt kësaj situate dhe publiku gjen veten aty. Sigurisht që të gjithë më ndjekin, secili për arsyen e vet. Ata që pretendojnë se më urrejnë, janë ata që nuk bëhen dot si unë, pasi edhe ylberin të kalojnë, janë bishti i qenit. Të jeni të sigurt që publiku adhuron drejtësinë, ndershmërinë, spontanitetin shpërthyes human.

Edhe pse është vetëm fillimi, mund të na zbulosh se cili çift ta ka rrëmbyer zemrën me lëvizjet apo emocionin që transmeton kur kërcen në skenë?
Asnjë çift nuk më ka tërhequr vëmendjen.

Ndonjëherë duket se komplimentet që u bën vajzave VIP kalojnë në ngacmime. Çfarë reagimesh merr nga dy fëmijët dhe bashkëshortja pas spektaklit?
Së pari, ky termi VIP ka një dozë neverie. Secili i shikon fenomenet nga perspektiva e halleve të tij. Komplimentet e mia si ngacmim i shikon ai ose ajo që e ka mendjen te ngacmimi. Familja ime është tolerante, secili ka hapësirat e tij. Pastaj nuk mund të gjykojnë, sepse nuk kemi televizor në shtëpi, nuk mund ta shohin.

Nisur nga komentet dhe pikët që u jep performancave VIP, çfarë konsideron tërësisht erotike, rrëqethëse apo të shëmtuar në një kërcim skenik?
S’ka gjë më erotike dhe rrënqethëse sesa shprehja e adhurimit të vërtetë në danc. Meqë shprehemi me një gjuhë trupore, çdo ndërthurje është magjike erotikisht. E kundërta është e shëmtuar. Por kur përsëritet termi VIP, mua më shkon mendja tek uturaku.

Robert Aliaj mendon se pëlqehet më shumë nga femrat apo nga meshkujt?
Ka ndodhur ndonjëherë që je keqkuptuar për prirjet seksuale dhe cila ka qenë përgjigjja që ke dhënë? Besoj që pëlqehem kryesisht nga femrat, pasi ato nuhasin mashkullin e vërtetë. Ata që mendojnë se thonjtë janë shenjë homoseksualizmi, duhet të jenë vetëm gomerë ose kërriça, shpesh njerëz të palarë. Nuk ka përgjigje, lërini njerëzit në hallet e tyre!

Ardhjet e tua në Tiranë janë sezonale dhe shoqërohen me revoltë ndaj sistemit social dhe politik. Çfarë ta vret syrin në këtë vend, dhe a ia vlen të jetohet këtu?
Mjafton të fluturosh dy minuta mbi atdheun tonë të dashur e merr përgjigjen.

***

Intervista Plus
Nëse jetën tënde do ta përfshije në një film 48- orësh, çfarë momentesh do të përfshije në të?
Familjen.

Kërcimtarja në “Dance with me” që të ka eksituar?
Nuk më eksiton botoksi, as silikoni.

Kujt do t’ia bëje ftesën “Dance with me” për një tango?
Galës, vajzës sime.

Cilën femër VIP do të refuzoje nga një ftesë e tillë?
Kjo fjala VIP më tingëllon si rrip.

Mund të na thuash moshën e shpirtit tënd?
Të jesh kurioz, eksplorator është mosha ime.

Mendimi më i çmendur që të kalon në mendje shpesh?
Të bëhem transparent.

Vetëm një martesë gjithë jetën, a është normale për një artist si ty?
Është një anomali totale.

Përveç rakisë që konsumon në spektakël, je nga ata që përdor drogat për të qenë energjik dhe në formë?
Rakia me doza të moderuara është stimuluesi im.

Cilin personazh do të doje ta pikturoje nudo?
Çdo femër.

Stilin e veshjes që ke, a mund ta përshkruash në mënyrën tënde?
New dark wave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: