Jo radhë herë në histori, ka ndodhur që opinioni i shumicës të jetë i gabuar, dëshirat e saj të jenë të yshtura nga synime individuale negative, fuqia e rrokullisjes që ajo shumicë e verbër dhe e harbuar prodhon kundër objektivit të synuar, të jetë e rrezikshme për të gjitha palët e interesit në atë vend. Është ajo që historianët dhe filozofët e denoncojnë si Tirania e Shumicës. Të gjithë e dimë forcën shkatërrimtare që solli në Shqipëri marrja përpara prej manipulatorëve të PKSH, e shtresave të varfëra të Shqipërisë në vitin e fundit të Luftës së Dytë Botërore, drejt një objektivi që krahas lirisë që po vinte vetvetiu nga disfata e gjithanshme e fashizmit, futi në humnerën ma të madhe vendin që sapo ishte rindertue shtetërisht pas errësirës 5 shekullore otomane. Ishte individi djallëzor, që manipulonte turmat dhe i mbarështronte ato me ligësi dhe egërsi shkatërrimtare, ndërkohë që mendonte vetëm për vete dhe pushtetin që do merrte pas kësaj. Është një fenomen që përsëritet dhe vendi ynë nuk bën përjashtim. Nga ana tjetër, askush më mirë nuk e njeh sulmin e piketuar se sa një “minoritet i përbuzur”, etiketuar, goditur, diferencuar nga urrejtësit, që ka pësuar pogromet e qeverisë së turmës së udhëheqësit e ligësisë diktatoriale dhe përzënien e heshtur nga Atdheu të pasuesve të tyre të tranzicionit.
Shqipëria është një vend në të cilin, kuptimi mbi të djathtën, konservatorizmin në politikë, ngjizjen e partive politike të mirëfillta konservatore europianiste, ka marrë që në fillesat e viteve kur ka startuar një lloj demokracie ala shqiptare, 1920 dhe 1991, kuptime të ndryshme nga tradicioni i vendeve Perëndimore. Kjo sepse, në vitet 1920’ forcat kulturalisht europianiste, demokratike dhe reformuese, për shkak të prapambetjes së thellë të vendit, qenë minoritare, sikurse ishte e tillë edhe pjesa e shoqërisë së emancipuar e asaj kohe; ndërsa në vitet 1990 forca e Desidencës së Vetedijshme kundër diktaturës, në pjesën më të madhe, ose ishte vrarë, ose ajo që mbijetoi, iu bashkua lëvizjes për përmbysje të dhjetorit 1990, por gradualisht u përthith, u përkul dhe u shkri, nga forca mazhoritare e individëve dhe grupimeve shoqërore që nuk kishin lidhje me konservatorizmin reformativ pro europian. Sikurse në vendet e tjera të Europës Lindore Post-Komuniste, edhe këtu pushteti u mor tinzisht nga një grup i paformatuar ideologjikisht me bagazh demokratik, konservator, jo komunist, të cilët formuan partitë politike për të fituar zgjedhje mbi premtime imagjinare, për terapi shoku, reforma demokratizuese, por që në fakt privatizuan, grabitën, rrënuan sa mundën të drejtën e pronësisë në të mirë të vetes, e orientuen vendin më së shumti strategjikisht nga Lindja, duke dhunuar veçantitë e një vendi multikulturorë dhe thelbin e Arbnisë. Pyetja është ku gjenden gjurmët e së djathtës ndër këta? Pse u humb shansi i artë i vendosjes se Shqipnisë në binarët e lirisë, demokracisë që pranon debatin, kritikën dhe perëndimizimit?
Aq është e vërtetë kjo sa, sot, po të kërkosh edhe me muaj, përfaqësues të familjeve të tradicionit të konservatorizimit reformativ, pro europian, të themeluesve të shtetit, administratës, parlamentit, gjyqësorit dhe diplomacisë, brenda radhëve drejtuese të rangjeve të larta dhe të dyta të Opozitës, nuk do të gjesh gati asnjë që të të kujtojë linjën përbashkuese origjinale të Qendrës së Djathtë Demokratike të Shqipërisë së Vjetër. Edhe kur ka ndodhur në periudha të caktuar të jenë, Mjeshtrat e Mëdhenj “të Bërmudes” (Kryetari i PD harron sërish të numërojë vetën) kanë gjetur mënyrat për t’i futur në kallëpin e tyre ideologjik majtist, rural, i kanë programuar me konstruktin e tyre edukativ dhe komunikativ, urdhëruar, përdorur kundër interesave komunitare përfaqësuese dhe më pas i kanë flakur, duke i lënë të llomotisin. Aq e kanë fshirë nga kujtesa politike modulin tradicional të së djathtës shqiptare, sa në Opozitën e Shqipërisë së vitit 2021, ose ndër kritikët e Opozitës së sotme nga vetë opozita, është arritur deri aty sa si model nostalgjik i së Djathtës kujtohet dritëshkurtësisht qeverimi i disa njerëzve mirëfilli të majtë në vitet e qeverisjeve hibride të PD. Sulmi e programuara të këtyre ditëve, nga dy skaje të ndryshme, ndaj dy njerëzve të respektuar publikë, Alizoti dhe Zekthi, është shumë kuptimplotë. Në cilën parti të mirëfilltë konservatore në Europë ndodh përdorimi i targetimeve të befta private ndaj analistëve të medias, për shkak të opinioneve të lira?! A është ky një indikator i primitivizmin dhe sfondit anarkist të urdhërdhënesve brenda një partie popullore europiane të paarrirë?

Në vend të rindërtimit të një Opozite të mirëfilltë konservatore, që përthithte brenda gjirit të saj njerëzit e dijes, forcat intelektuale dhe qytetare me vetëdijshmëri të thellë kombëtare, me besim tek institucionet që reformohen nën udhëzimin pro perëndimor, me respekt ndaj traditave tona shoqërore të mëkuara dhe bartura me shekuj, të integruara në idealin e lirisë, udhëheqësi i Opozitës (kuptojini si grup vendimarrës faktike në këtë rast), të cilit i mungon një regjistër i qartë, kulturor dhe politik djathtist, bëri të kundërtën. Ai/Ata mbolli/mbollën djallëzisht klimen e përbuzjes intelektuale, përjashtimit me metoda të ulëta dhe të pabesa të të gjithë oponentëve brenda Grupit Parlamentar 2017-2021, që u orvatën të promovonin debatin konstruktiv dhe vendosjen e PD mbi linjat e mendimit dhe analizës së strukturuar politike, lanë totalisht jashtë vëmendjes njerëzit e të djathtës së vërtetë shqiptare, emigrantët dhe fëmijët e tyre të shkolluem, të nxjerrun jashtë vendit edhe nga politikat e tyre të mbrapshta, krijuan një ekip humbës, përmbajtjen e të cilit qytetarët po kanë rastin ta shohin çdo ditë në sallën e Parlamentit.
Askush nuk ka kuptuar mendjelehtësinë që karakterizoi sjelljen e udhëheqjes së opozitës që nga shtatori 2020, kohë kur kërkohej saktësi dhe shpejtësi korrektuese, në hedhjen e skuadrave opozitare në terren; njëlloj sikurse asnjë njëri me dy pare mend në kokë nuk ka kuptuar zbaticen e gjithanshme që karakterizoi veprimin institucional dhe politik opozitar për gati 4 vite, zigzaget e qendrimeve të pakuptimta, urdhërat për dalje nga Parlamenti, ndërkohë që mijëra demokratë, populli i thjeshtë pa mbrojtje priste me kot nga “Lideri i Shpresës” zgjerimin dhe lumturimin e Shtëpisë së Përbashkët të Lirisë.
Marrëveshja 5 qershorit 2020 injoroi zgjidhjen e nji numri problemesh që lidheshin me rivendosjen e sistemit të konkurencës politike në balancë. Aso kohe në një artikull që pata botuar paralajmërova se: -Sistemi zgjedhor nuk ndryshoi, veçse u ndërlikue deri në absurd ai që ishte. Komunitetet dhe krahinat do të vazhdonin të ishin edhe ma tutje të papërfaqesueme në organin ma të naltë të pushtetit shtetnor; -Rishperndamja e kolegjeve elektorale nuk u krye; – Ndarja territoriale dhe administrative nuk u korigjua. Disbalancat krahinore do të vijonin dhe diskriminimi i fshehtë do të mbijetonte i perforcuem tanima nën nji ligj të ri me konsensuse bekim ndërkombëtar; -Emigrantët sërish nuk do të kishin të drejtë për të votue. – Financimi i fushatave elektorale do të mbetej sërish në sferën informale; – Sistemi i Patronazhit, që kishte ndërtue PS, për “komunikimin dashamires” para-elektoral me shtresën e popullsisë, që pret shitjen votës, do mbetej edhe ma tutje i pacenuem; etj.. Në atë kohë, kur bëra këto verejtje, disa prej skifterevë të modelit partiak Frikë-Respekt-Mercenarizëm, m’u sulen, sepse me këtë deklarim po u cënoja zgjidhjen magjike, me të cilën kishin arritun, sipas mendjes së tyne, të nënshtronin Edi Ramën dhe të përgatistnin fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Ishte koha kur projektoheshin eliminimet politike të brendshme ndër shtëpitë e udhëheqjes. Pazari dhe ecejaket e mesazhereve nuk pranin. Askush nuk bzante. Të gjithë prisnin me zemër të ngrirë Listën Magjike të 30 minuteshit të fundit të arkitektit të Albanian Squid Game.
Humbja e zgjedhjeve të prillit 2021 ishte sërish një moment për reflektim, për tërheqje dhe dorëheqjen politikanëve humbës, arkitektë të barabartë deshtimit të tretë. Mirëpo jemi në një kohë gënjeshtrash dhe protagonistët shtërnguan radhët për të përforcuar bastionin me shpresën se të bashkuar do ia dalin, jo vetëm para revoltës së demokratëve, por para së gjithash ndaj korrektorëve ndërkombëtarë që po afronin ne tavoline Vetingun e Vertetë me Radhë Hierarkie: konsensualisht u ra në një mendje të riciklohej ai që kishte marrë përsipër rolin formal të udhëheqësit, atë që nuk kuptoi se zgjedhjet e 25 prillit ishin një mision, edhe pse flitet që e shkruajti përkufizimin e misionit; regjizorët u urdheruan t’ia përgatisnin edhe spektaklin e kuvendit, që sot po na thuhet se ishte i stisur nga një njëri i vetëm. Në qershor 2021 atë e rizgjodhën formalisht në krye dhe më 17 korrik 2021, në Tiranë u mblodh Kuvendi Kombëtar i PD.
Ky forum i naltë i demokratëve, do të duhej të kishte si objektiv kryesor analizën e situatës në Shqipërisë Politike të vitit 2021, gjendjen organizative dhe impostimin në skenën publike shqiptare të partisë më të madhe opozitare, pas 8 vitesh jashte qeverimit.
Çdo analizë zgjedhore politike mbështetet si rregull, nga synimi me i shkue në thelb fenomeneve dhe me i pre në rranjë shkaqet e mbrapshtisë pozicionale të tejzgjatun, ndërsa nga pikëpamja e metodës së shqyrtimit, puna bazohet, jo nga ndërtimi paraprak i hipotezave abstrakte periferike, të dhanuna me zori si aksiomatike, por nga pyetjet hulumtuese, që lindin natyrshem nga vëzhgimi i skenës ku ndodhemi.
Në ditën e kuvendit, unë prita në fakt që udhëheqësia e sapo rikonfirmueme e PD, t’i drejtonte, kuvendarëve, opinionit publik në vend, demokratëve, një analizë të thellë autokritike mbi gjithë atë çfarë kishte udhëhequn në politikë në katër vitet e shkuara dhe të paraqiste dorëheqjen. Por, me keqardhje konstatova, se asgja e tillë nuk ndodhi, veç një përroi të pafund fjalësh të denja për nji nxanës bishntues.
I përforcuem siç duket nga ajo fitore minoritare e qershorit, drejtuesi nuk shpjegoi se si shkoi Opozita në zgjedhjet me randësi historike për Shqipërinë dhe si u përgatit ajo për ndaljen e rrugës së regjimit për t’u ripërsëritur. A kishte një strategji paraprake mbi modelin se si do të arrihej ndryshimi në aspektin e programit frymëzues, bindës për pjesën e shoqërisë që mendon; të burimeve njerëzore të vendosuna në dispozicion të tërheqjes së elektoratit pa rezerva kah Opozita, mbrojtjes së votës përmes një kuadri ligjor? A punoi Opozita për të kompensue zbaticen e krijueme nga vendimarrjet bojkotuese të shkurtit dhe qershorit 2019, me djegien e mandateve dhe mospjesëmarrjen në zgjedhjet krahinore? A ia arriti Opozita të krijojë një përfaqësi elitare në pikëpamje politike, mbas dështimit të farsës së damshme të Komisionit të ish komunistëve inatçorë të thirrur nga ai në verën dhe vjeshtën 2020? Si e ndërtoi ai këtë përfaqësi në pikëpamje të analizimit të krahinave dhe komuniteteve të Shqipërisë dhe a u shmang nga lideri, fenomeni i Shitblemjes Qesim të vendeve në parlament? A pat udhëheqësi ndërhymje private në këtë proces vendimarrjeje nga konsorciumet që korruptojnë anëkënd politikën dhe familarët e politikanëve të fortë? Kush ia cakton atij drejtuesit e grupeve, mbi çfarë metode dhe kriteresh? A ia arriti udhëheqësi të ndërmerrte nji studim mbi mënyrën se si do të përfaqësoheshin komunitetet përbërëse të Shqipërisë në organin e lartë sovran? A i lexoi ai raportet e shkrueme në gushtin e vitit 2020 nga të deleguemit e tij ndër qarqe? Si e kompensoi dhe e korigjoi ai dëmtimin që solli Edi Rama në trajtimin e qytetarëve të Shqipërisë së Veriut, që vuajnë ende nën peshën e diskriminimit socialist në fondet zhvillimore, në përfaqësimin adekuat intelektual dhe në ruajtjen e raporteve, apo vazhdoi sërish me kutin e tij të vjetër të shfaqur pa dashje në “Der Standard” për formalizimin e numrave dhe marrjen e përfaqësuesve për figurantë? A ishte në planet e tij krijimi i një përfaqësie elitare demokrate, apo donte sërish të kavardisej me zonjat dhe zotnitë e modelit gjysëm intelektual, fjalëshumë, vështirësisht të kuptueshëm, fluturakë, konfuzë, manovratorë dhe bishtnues? A krijoi opozita një raport luajal dhe të qendrueshem besimi me partnerët strategjikë të Shqipërisë, para së gjithash me SHBA? A u shqyrtuen në aspektin e garancisë së sigurisë shtetërore kandidatët, apo thjesht të dhënat që u mblodhën, u depozituan në “dhomën e fshehtë” të mbajtjes në mend për të goditur nesër?
Kjo tanësi pyetjesh të rendit të parë, sjell nji rend të dytë sish, që kishin nevojë për përgjigje, jo për të kalue radhën, as më për të fshehë thelbet, por për të ndihmue analizën strukturore, impostimet politike të forcës politike në raport me ndërkombëtarët dhe interesat e sigurisë së një vendi të NATO-s, më pas për të inicuar korigjimet e nevojshme që duhet të kryejë opozita për të realizue misionin e saj të ristabilizimit të vendit në binarët e ligjit, të drejtës, parlamentarizimit dhe europianizimit, pa shikime mbrapa. Mbi të gjitha kjo lidhet me vlerësimin e sigurisë dhe besueshmërisë së burimeve njërëzore të PD në raport me qënien shtet anëtar i NATO-s, rishikimin e qendrimeve politike jashtë parlamentare, përtej kufizave të kushtetutshmerisë të ndjekun deri më tash, interesave të koordinueme strategjike të Shqipnisë, madje edhe me reflektimin dhe kërkesën falje për gabimet e bame.
Në vend të të gjithë këtyre shpjegimeve, dëgjuam, retorikë boshe, sentenca të bezdisshme vajtuesish, që justifikohen pa fund për paaftësine e ndritshme për ta udhëhequr Opozitën drejt një fitorjeje që aq shumë e pret populli shqiptar. Zënësi i zyrës dhe garantuesi i vetëm i qënies së tij në këtë rol deri më 9 shtator 2021, heshtën, u përshëndetën publikisht duke dhënë sinjalin se status quo-ja do të ruhej. Për fat të keq nuk u tha asnjë fjalë, kur të gjithë pritnin vendimarrje. Nevoja e mbajtjes së PD-së, si mburojë ndaj një llogarie të larget, siç duket, nuk lejoi askënd të shihte lëvizjet e liderit në prapaskenë dhe për rrjedhojë, zotëria i ri mbeti në “fronin”, kur ndershmërisht duhej të zbriste vetë. Po kush zbret vetë nga nga maja e dhurueme ose e xanun në Shqipni?!
Ishte/është e qartë se Opozita e Djathtë ka pra, jo vetëm një problem me Edi Ramën dhe organizatën që ai drejton, por ajo kishte/ka në radhë të parë një problem me udhëheqësinë, që duket dhe shfaqet në seli, që nuk ka respektin minimal për investimin e përbashkët të demokratëve dhe nuk e njeh parimin, se vendimi përfundimtar në një familje politike respektohet kur në atë njësi mbizotëron rregulli, arsyeja, kriteret dhe interesat e bashkësisë. Mirëpo në rastin tonë problemi qendron në zotërimin pa rivalë të zyrës qendrore ku do të duhej të ndërtohej politika zyrtare e Opozitës, nga personazhe shumë interesante, që në vetvete mishërojnë karakteristikat më të spikatura të asaj pjese të brezit të rinisë së viteve 1990, që kryen shkollime kalimtare të tejzgjatura, të paçertifikuara, e që më pas u hodhën të shqyejnë çdo karrike shtetërore, përmes ndërmjetësimeve me lidhje të shkurtër.
Ajo që ndodh sot me Opozitën është logjike dhe lidhet me mungesën e nji udhëheqësie civile, të formueme me patriotizëm të kultivuem nga rranjët e lindjes në Shqipni, me kulturen demokratike të degjesës së oponencës dhe atë të respektimit të njeriut dhe ligjit; me drejtimin e punëve nga njerëz që erdhen nga asgjaja dhe e përdorën shansin e madh për drejtimin e punëve në vend, për të përmbysun të drejtën dhe rendin pronësor para diktatorial, në dobi të nji rrethi familjar dhe shërbëtorësh politikë, duke e kthyer drejtimin politik të vendit drejt krijimit të strukturave politike antikushtetuese dhe kontrolluese të ndryshimit për interesa të ngushta.
Sot jemi para një konflikti që ka për objektiv kontrollin mbi vendimarrjen e Opozitës për mbrojtje individuale, pavarësisht se në anën formale na shfaqet si një përpjekje e Shumices partiake jashtë vendimarrjes legale, për të zhvendosur nga pozicioni, Pakicën partiake, që kontrollon selinë, vulën dhe përfaqësinë në Parlament.
Kulti i Individit, parë si i shumëfishtë, pagabueshmëria e tij, që merr përpara turmat, të demoralizuarit dhe të përjashtuarit, është forca motorike e ndryshimit. Në asnjë rast forcë korigjuese nuk shfaqet arsyeja, gjetja e zgjidhjeve të përshtatshme për një Opozitë të Djathtë, që ka nevojë jetësore qendrimin e bashkuar, vendosjen e njerëzve të urtë, qytetarë, të dijes, patriotë dhe miq të Perëndimit në drejtim.
Flitet për mbledhje Kuvendi, ndërkohë që nuk kanë qenë në gjendje për vite të organizojnë në kushte normale, me mandate legale, me liri fjale, debati intelektual, pa ndërhyrje të jashtme në sallë, një mbledhje të Këshillit Kombëtar. Përveçse nuk zotnohet çelësi i legalitetit procedural për mbajtjen e tij, mungon dija se si mbahet një kuvend i një partie konservatore, të të cilit rang janë folësit, si do të jetë i strukturuar debati në pikëpamje ideologjike, politike dhe organizative, rregullat e qendrimit ne sallë dhe kush duhet të jetë aty. Populizmi edhe kësaj radhe duket se mbisundon common sens-in, në njërën anë, ndërsa hermetizmi, dritëshkurtësia, zemërvogëlsia, frika sundon në anën tjetër.
Ndërkohë populli opozitar, anëtarësia gelthet për zgjidhje racionale, pro-aleate, që ruan njësinë, rikompozon PD në njësinë drejtuese, në mendimin politik, veprimin taktik dhe strategjinë e re të udhëheqjes së vendit drejt korigjimit governativ mbi binarët e lirisë. Vijimi i mëtëjshëm mbi këto vektorë përkundërt, të imponuem nga kultet e ngritura në një kohë që nuk ekziston ma, do të jetë rrënimtar. Unë e kuptoj se në organizatë kanë niveluar dhe mesatarizuar kandidaturat, kanë kompromentuar me lugë çorbe të prishur potencialet e pakta, kanë përzënë këdo që përbënte rrezik konkurencë për zotnuesit, por kjo nuk do të thotë që zgjidhje imediate nuk ka.
Jo larg nesh, në Prishtinë, partia e Ibrahim Rrugovës, si Phoenix u ringrit për t’i dhanë shpresë Republikës Demokratike Dardane. Çfarë e pengon PD të japë një zgjidhje senatoriale tranzitive? Mos vallë, ambicjet e përdorimit domosdo të organizatës për shërbime individuale mbrojtëse? Kjo është e papranueshme!
Unë mendoj se ma e mira është një zgjidhje e modelit të LDK, që do të thotë një elitar/grup elitar, pse jo edhe i Modelit Oxbridge të edukimit, qoftë edhe në mënyrë të përkoheshme, në krye të PD, për t’i dhanë shpresë, organizim Opozitës, por edhe rivendosje pa mëdyshje Euro- Atlantikase të Djathtës shqiptare.
Prova e parë e PD, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mund të jetë shumë afër dhe askush nuk ka të drejtë ta përçajë atë. Tërheqja reciproke mënjanë dhe përzgjedhja e modulit tranzitiv të udhëheqësisë elitare mbetet, sipas gjykimit tone, nje alternative e realizueshme për t’u dhënë demokratëve shpresë dhe popullit shqiptar një alternativë qytetare, të moderuar, jo populiste por elitare, negociatore të pranueshme nga partneret strategjike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: