Protagonizmi i bujshëm në debatin për kundërshtimin e paktit detar me Greqinë, e pagëzoi me cilësimin Koloneli i Detit.

Në këtë shfaqje të jashtëzakonshme, Myslim Pasha kumtonte patjetër me profesionalizmin e spikatur si inxhinier gjeodet e hartograf, por jo vetëm. Se të tillë ka jo pak, por preferuan të vegjetojnë pa e prishur qetësinë vetjake. Diferencën në këtë rast e bënte ai aspekt i spikatur, që Myslim Pashën e veçonte jo vetëm nga kolegët e profesionit. Si njeri me shpirt të lartë atdhedashurie dhe përgjegjësi qytetare, që rrezaton te të tjerët sakaq si mjeshtër i letrave, poet, prozator e së fundi dhe si romancier.

Dhe një krijues i talentuar si ai, nuk kishte si t’i rrinte përskaj atij debati të ndezur, që vinte në diskutim një çështje kapitale. Ky është Myslim Pasha, i cili na vjen më së fundi me “Statujën”, veprën e tij të re, një rrëfim rrëqethës për kujtesën dhe shfigurimin e njeriut në diktaturë. Janë ngjarje që shfaqen në një sfond tronditës, me zanafillën domethënëse të zbulimit të një varri të vetmuar te vendi i statujës së Enverit, kur kundërshtarët e tij nuk kishin as gropë, as shenjë e gur varri.

Përtej fabulës intriguese, Koloneli i Detit rrëfen për “Panorama” se gjithçka te “Statuja” e merr shtysën nga një ngjarje reale, kur përgatitej harta e Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë, në Myzeqe.

“Në kohën kur nisa të kontrolloj si ishte hartografuar dhe vizatuar qendra e Fierit, – shpjegon ai, – syri më shkoi atje ku gravitacioni kërkonte, tek ajo dërgesë që lëshonte një fluks vdekjeprurës: Në mes të lulishtes së qytetit, kundruall Teatrit ‘Bylis’, sapo ishte inauguruar një statujë e Enver Hoxhës. Kur më shkoi maja e rapidografit aty, në vend që të shihja simbolin e statujës së udhëheqësit, pashë simbolin e një varri të vetmuar, pra Enver Hoxha ishte vizatuar si një varr i vetmuar”. Po çfarë tregon tjetër mjeshtri Pasha për motivet që e kanë shtyrë për ndërtimin e arkitekturës së romanit “Statuja”…

Zoti Myslim, fabula e romanit “Statuja” që është botuar këto ditë, është thjesht një trill artistik, apo ka të bëjë me ndonjë përjetim personal?

Alber Kamy pat thënë se, “të krijosh, do të thotë që të jetosh dy herë…Vepra është i vetmi shans për të ruajtur ndërgjegjen e tij, për të ngulitur aventurat e veta…” Kjo është kuptimplote, sigurisht. S’mund të flas për vlerat artistike të “Statujës”, kjo i takon lexuesit dhe kritikës. Por ajo që pyesni ju lidhet me përvojat jetësore, për të cilat mund të flitet natyrshëm. Pra, ka një rrjedhë si ajo e ujëmbledhësve që formohen nga pema ujore, e cila formëson lumenjtë për t’u derdhur në ujanën e madhe. Është e padiskutueshme që çdo krijues përpiqet që të përsërisë realitetin e jetës së tij. “Konkretja është vetvetja!” “Statuja” lidhet me buronjën e përvojës së kohës së jashtëzakonshme, që rrodhi pas Luftës së Dytë Botërore, kur filloi të ndërtohet shoqëria socialiste sipas modelit sovjetik. Ishin përmbysur Klasat, po kjo s’kish qenë e mjaftueshme, ishte mbjellë një urrejtje në shoqëri dhe lufta e klasave ishte erupsioni vdekjeprurës dhe shtysa e përfytyruar e fitoreve që do të kish kjo shoqëri në të ardhmen. Kjo shoqëri, në një Shqipëri aq të varfër, u fut në kuadrate të mëdha rreshtore pune dhe edukimi ideologjik. Në këto kushte filloi që të flitej për Njeriun e Ri…për Lej Fenin kinez. Shkurte Pal Vatën, Hekluran Zenunn etj. Po skicohej Njeriu i Ri…mirëpo eshtrat e të përmbysurve dhe varret e mohuara kishin sizmikën e tyre tërmetore.

Është fjala për fabulën e romanit, për lëndën vetjake të autorit te “Statuja”…

Ju më pyesni për fabul dhe unë ju rrëfej se ajo ka lindur në një realitet të njohur në Detashmentin Topografik të Shtabit të Përgjithshëm, ku kam shërbyer për shumë vite. Fiksioni pas fabulës ka bërë punën e tij në gatimin e përvojës që lidhej me këtë fabul, për të krijuar një unitet artisti. Nëse autori e ka arritur apo jo, kjo është tjetër gjë.

Diçka më konkrete për hartografin, i cili zbuloi varrin e vetmuar te vendi i statujës së Enverit…

Është një histori e hershme, një befasi e jashtëzakonshme hartografike, një greminë e hapur… simbolike. Po përgatitej harta e Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë, në Myzeqe. Kur i erdhi radha që të kontrolloja se si ishte hartografuar dhe vizatuar qendra e Fierit, syri më shkoi atje ku gravitacioni kërkonte, tek ajo dërgesë që lëshonte një fluks vdekjeprurës. Në mes të lulishtes së qytetit kundruall Teatrit ‘Bylis, sapo ishte inauguruar një statujë e Enver Hoxhës. Kur më shkoi maja e rapidografit aty, në vend që të shihja simbolin e statujës së udhëheqësit, pashë simbolin e një varri të vetmuar, pra Enver Hoxha ishte vizatuar si një varr i vetmuar.

Ja, kjo ishte zbulesa e vdekjes, kur Enver Hoxha ishte idhulli dhe kreu okult i Shqipërisë së izoluar komuniste. Informacioni që shkoi tinëz deri në disa figura ideologjike të kohës, ishte tepër sekret se mos i afrohej udhëheqësit.

Fiksioni letrar i mëtutjeshëm është munduar që të shfrytëzojë këtë fabul konkrete, po nuk e di se a e ka plotësuar dot unitetin artistik apo jo. Rrëfimet që vijnë më poshtë janë prurje të panoramës ideologjike të kohës që kanë zënë vend, në një shoqëri të kuadratuar, me personazhe në trushpëlarje, me tipare fanatike, kur vetvetja dalëngadalë s’ishte më vetvetja.

Në roman përshkruani në mënyrë perfekte gjendjen paranojake të Enver Hoxhës gjatë ushtrimit të pushtetit, a keni pasur rastin ta takonit dhe çfarë përshtypjeje kishit atëherë?

Para së gjithash, duhet kuptuar koha historike e breznisë sime. Ne përfaqësojmë atë brezni, që lindi pas Luftës së Dytë Botërore. Baballarët tanë ishin pjesë e një shoqërie dhe sistemi shoqëror aq të prapambetur e në vuajtje, sa e kam të vështirë ta përqas. Ne hapëm sytë pas zjarrit, gjakut, urrejtjes dhe kujës shoqërore të asaj përmbysjeje dhe atij çlirimi real prej dy zgjedhave. Epidemia komuniste ishte utopia nanuritëse e jona… Ajo kishte pushtuar mendjen njerëzore në një pjesë të madhe të botës. Ish koha kur pas fjalës bukë vinte pushka, liria dhe drita e dijes. Ne kemi folur fjalët e para në këtë tingëllimë. Kushtet historike, mundësitë e një drite të re që u hapën, më morën prej një strehe të varfër, në një mjedis shkollimi ushtarak e rritjeje, që kish model shoqërinë sovjetike. Tani jemi në gjendje që të gjykojmë se në cilën placentë kemi frymuar. Ata që e bënë këtë luftë ishin shqiptarë, që s’dinin se ç’ish komunizmi, por u lidhën me të si pjesa më e madhe e botës. Qenia njerëzore, në secilin kusht të ndodhet, kërkon të jetojë, të luftojë për ekzistencën e tij. Ne ishim brenda një shoqërie parafabrikate dhe u mjedisuam brenda diktaturës së proletariatit dhe luftës së klasave, të cilat i kanë lënë shumë plagë Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ne që përfituam, duke qenë në syprinën e fitimtarëve klasorë, u bëmë pjesë e doktrinës dhe nuk ishim dot në gjendje që të vepronim ndryshe. Kishim brenda vetes dhe humbjen e madhe që kish pësuar Shqipëria në plagët që mori. Enver Hoxha i ngritur në kult, siç ndodh edhe sot me dëshirat njerëzore dhe kultin e pushtetit, rritej në mendjet tona gjer në idhullim. Kjo duhet thënë e duhet pranuar. Këtë nuk mund ta mohoj askush. Gjymtyrët trupore dhe shpirtërore të miat shtrihen në dy sisteme. E mira dhe e keqja vërtiten te raca njerëzore, e cila ndërton dhe prish sisteme, kërkon luftë dhe përmbysje, padrejtësi e konflikte, kështu dhe në pafund, çka është në natyrë të Homo Sapiensit. Tundja pas rrëzimit e përmbysjes së viteve ’90 të shekullit që shkoi, në pikëpamje emocionale nuk kanë qenë të lehta, për secilin prej nesh.

Ç’ka ngelur tek unë prej Enver Hoxhës? Figura me sharmin demoniak të një diktatori, që duhet pranuar, është njerëzore, dhe qeniet tona në kuadrate plot ngjyra, duke i kënduar utopisë komuniste që s’vjen kurrë.

Brenda meje ishte dhe mbetet Shqipëria, ideali kombëtar, i cili u përzje keqas me atë ideologjik. Dhe le të citojmë Jose Saramango:

“Pse u bëmë të verbër!? Nuk e di! Ndoshta do ta zbulojmë një ditë arsyen.

U bëmë të verbër!
Ne ishim të verbër!
Të verbër që shohin!
Të verbër që duke parë nuk shohin!”

Ju keni qenë ushtarak, çfarë kujtoni nga periudha e kryqëzimit të gjeneralëve, qe pasqyrohet aq bukur dhe te “Statuja”?

Pa dyshim, kjo ka qenë kryqëzata më e tmerrshme e asaj periudhe. Lindën aq kontradikta, përzierë brenda bashkësisë ushtarake, ideologjia e pushteti,vetizolimi i denatyroi karakteret njerëzore, drejtuese, që nga ushtarakët e thjeshtë deri te gjeneralët, se ideologjia e pushtoi doktrinën ushtarake, krijoi një mendësi dhe frymë izolimi e të atillë qëndrese, sa rasti shqiptar ua kaloi edhe rasteve më epike te të gjitha kohërave. Shqipëria ngriti një “qytetërim” të nëndheshëm fortifikimi, sa edhe ai që lulëzonte sipër… për t’u mbrojtur në atë kala graniti. Doktrina ushtarake shihej në një dritë tjetër. Paranoja e konfliktit bëri të sajën në historinë e Forcave të Armatosura. Ashtu si gjithë shoqëria shqiptare hëngri vetveten, ashtu edhe Ushtria në drejtimin e saj e hëngri vetveten, se kjo ishte logjika e kërkimit të së keqes, dyshimit ndaj armiqve të brendshëm dhe të jashtëm, të armiqve të klasës. Mendimi sipëror ideologjik ushtarak i Enver Hoxhës i vrau gjeneralët me radhë, korri breznitë më të mira historike të tij.

Mendoni vetëm “Tezat e Zeza” ushtarake, që ishin pjellë e mendjes së diktatorit e bëri bashkësinë ushtarake të dublikohej në këtë togfjalësh, që ishte një marrëzi tipike. Kryeura e shkeljes së dheut, në vijë të kufirit apo në buzë të ujit, nga këmba armike ishte guri i provës doktrinare ushtarake, që i rrënoi mendjet studimore dhe atyre udhëheqëse për t’u dhënë përgjigje nëse mund ta analizonin qoftë edhe një rast, kur kjo këmba armike do të shkelte apo jo… tokën shqiptare.

Kaq do të mjaftonte për të dëshmuar marrëzinë. Tani, përfytyroni kur Beqir Balluku thoshte në gjyq: “Janë dy vezë që do të përplasen dhe njëra prej tyre do të thyhet…!” Apo përfytyroni Beqir Ballukun që, kur dërgohej në Roskovec para se të pushkatohej, mbante në dorë sipër makinës portretin e Enver Hoxhës…

Në shumë takime historike, që shpesh kthehen në nostalgjike, dëshmitarët e kohës nuk janë në gjendje që të dëshmojë se kë duhet të mbrojnë e pse ta mbrojnë dhe ideologjia diktatoriale dhe e luftës së klasave ka lënë mbresa që s’shuhen.

A keni një qasje tuajën për debatin e sotëm për Luftën dhe a mendoni se Hoxha e bëri dikur mit atë për të përligjur pushtetin?

Debati për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare është debat për historinë. Dhe historia është çelësi i vetëm i të gjitha të panjohurave dhe të fshehtave të jetës, thotë Borghes. Lufta ishte e pashembullt, jo vetëm një zgjim, sakrificë, një dritë kombëtare, që na ngriti Shqipërinë në kohën e duhur, në luftën e duhur, me aleatët e me fitimtarët. Kjo është kryefjala. Nuk mund të kërkohet pastërti dhe virgjëri në atë kohë të mjegullt, kur luhej me vdekjen, ku ndërthureshin interesa të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare. Që aty ka pasur faje, gabime …dhe krime në luftë e sipër, kjo është e pranueshme dhe e padiskutueshme, por aureola e zgjimit të madh çlirimtar nuk mund të ngatërrohet me ardhjen e epidemisë komuniste, e cila ishte më shumë se në gjysmën e botës. Synimet, dëshirat dhe udha e Enver Hoxhës për të rrokur pushtetin janë të natyrshme, brenda të cilave ka pasur krim dhe makiavelizëm. S’mund të përmbyset kontributi i Enver Hoxhës me një të rënë të lapsit, por figura e tij duhet të pasqyrohet me dritëhijet e saj. Jepi Çezarit atë që i takon…

Dikur jeni ndëshkuar, në çfarë rrethanash dhe si rrodhi jeta juaj më vonë?

Po, ky ishte një ndëshkim tipik epidemie, si për analogji, grupazhe në të gjithë sektorët e jetës. Në Institutin Topografik, unë diskutoja për probleme të ndryshme teknike se kjo ishte fusha e teknologjive hartografike. Shoqëria brenda Institutit, kolektivi kërkonte që të gjente brenda saj kundërshtarët, ata që synonin për t’i goditur si të ishin manifestime ideologjike kur ato ishin teknike dhe pastaj fillonte grotesku i dhimbshëm, ku sipas matematikës kineze, përçahej kolektivi dhe “2 bashkohet me 3”, kurse “1 bashkohet 1,5” për t’i dënuar e qëruar kuadrot. Vuajtja ime dhe e familjes sime nuk mund të krahasohen me korrjen e pashembullt të gjeneralëve. Mua më kanë shpëtuar hartat se aty ishte shpirti im atdhetar deri tash. Brenda hartës se Shqipërisë, ku kanë kontribuar hartografët ushtarakë të Shqipërisë, janë edhe disa dëshmi që trajtohen edhe te romani “Statuja”./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb