Nga Gani Kupi

Pjesa e dytë
“Pa ikur gjermanët nga Shqipëria, babai im Shaban Kupi, ishte i arratisur bashkë me vëllanë e tij, Abaz Kupin. Dhe mbasi Abazi iku në Itali, bashkë me dy djemtë e tij (Petritin dhe Rustemin) dhe me disa shokë, baba im, Shabani, vazhdoi të ishte në arrati dhe për shumë kohë. Kështu ai ndodhej gjithë kohës larg shtëpisë e familjes. Më kujtohet një rast: ishte mbrëmje dhe në oborr pashë papritur babën, i cili kishte ardhur fshehtas. Mbasi më pyeti për disa halle të familjes, më kërkoi që t’i përgatisim disa ndërresa dhe ushqime, për t’i marrë me vete. Gjatë bisedës, ai u drejtua drejt një dhome e cila ishte jashtë kulmit të shtëpisë, e ndarë veçmas në oborr, por, pa që dera ishte e mbyllur. Aty ishin 10 partizanë, të cilët, Këshilli i Lagjes, na i kishte caktuar për strehim dhe ushqim.

Një natë, unë dhe Baba Samiu i Kulmakut, i ramë derës dhe i kërkuam rojës që të hapte derën të dilnim për të urinuar. Me t’u hapur dera, roja ia kërciti me shpulla fytyrës Baba Samiut. Pas atij, edhe mua. Ndaj edhe ne po luteshim: “Ishalla është në turn ndonjë polic, që nuk ka dorë”! Për fatin tonë të keq, kishte qenë polic Kasemi prej Gorishti, i cili mbante një shkop 60-70 cm. të gjatë e me kokë. Atë shkop, ai e linte brenda në kosh, dhe sa herë që kishte shërbimin, e gjente aty.

Kur u takova me Samiun më vonë, biseduam rreth hetuesisë dhe torturave e forta. Ai më tregoi, se përveç rrahjeve, ndaj tij kishin përdorur edhe rrymë elektrike, tek duart, në veshë dhe në organet gjenitale. Nga këto tortura të forta, ai u hodh nga dritarja e katit të tretë për të vdekur, por deshi Zoti dhe nuk vdiq. Kur u hodh, Samiu kishte rënë mbi tela me gjemba, me të cilat ka qenë rrethuar vendi. Kur ka rënë mbi telat, ka thyer një dhëmb dhe dorën e djathtë në shpinë, të cilën gjithmonë e ka pasur të ënjtur deri në fund, pse nuk u dërgua tek mjeku i kockave, për t’ia çuar në vend frakturën, por, u la në mëshirë të fatit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Le t’i kthehemi përsëri burgut: ne të katit të parë na çonin të punonim në fermën e Otllakut, që ishte para se të hyje në Berat. Punonim me bela; bënim kanale. Puna në Otllak kishte qenë shumë e mirë, mbasi në mbrëmje, ktheheshim në burg dhe flinim në teshat tona. Ndërsa vitin e dytë, në vitin 1947, na çuan në kanalin e Maliqit, për gjashtë muaj rresht. Drejtori i burgut ishte njëfarë Tasi Marko, i vëllai i Rita Markos. Thoshnin se ka qenë furrxhi më përpara, por, si drejtor kampi kishte gradën “toger” dhe ishte njeri pa autoritet.

Punonim me kovë dore duke nxjerrë dhé dhe llucë në breg të kanalit. Kur ndonjëri nga të burgosurit, për arsye të ndryshme, ndalonte pak, ata që vinin me karrocë mbrapa tij, i binin këmbëve dhe e sakatonin. Kur punonim në gërmim, dheu dhe uji i ftohtë na arrinin deri në brez, e prej kësaj na thartohej ushqimi në stomak. Doktor Pogu që vinte nga burgu i Shkodrës, na këshilloi të vinim gjëra leshi në stomak; kështu që atij që i kishte mbetur ndonjë fanellë, çorape a shall leshi, e vinte në bark.

Kemi fjetur në çadra ngaqë nuk kishte ndërtesa në kamp. Në çadër kam fjetur me dy vëllezër çifutë; quheshin Pepi Levi dhe Moisi Levi, të cilit vinin nga Burgu i Vlorës, ndërsa vëllai im, Samiu, nuk më kujtohet se me kë ishte në çadër. Mbas gjashtë muajsh, të lodhur e të uritur, u kthyem në Burgun e Beratit.

Njëherë kur po bisedonim vëlla me vëlla dhe në mes të tjerash, dolëm prapë tek çështja e hedhjes nga dritarja. Unë e pyeta se ku shkoi, pasi u hodh nga dritarja e burgut dhe si shpëtoi gjallë? Samiu më tha: “Meqë isha shumë i tronditur dhe i dërrmuar, shkova në kodra, aty tek ullishtet e lagjes “Vakëf” dhe nuk di të them se si kam ecur, deri kur hasa një përrua. Aty kishte ca si shpella. I pafuqishëm për të shkuar larg, u futa në përrua, dhe u mbulova me dhé.

Kam ndenjur aty deri kur u err. Kur u err, ashtu i dërmuar e me gjithë dhembjet që kisha, shkova dalëngadalë në shtëpi. Gjeta gjyshen e shumëvuajtur, e cila më futi përnjëherë brenda dhe shkoi e mori pronarin e shtëpisë ku banonim, i cili quhej Sabri Lubesha, një burrë dhe familje shumë e mirë beratase. Më morën pastaj në krahë dhe më kthyen në Degën e Punëve të Brendshme, sepse unë nuk dija as ku të ikja, por, edhe sikur ta dija, isha i pafuqishëm. A e di se çfarë më tha Dan Saliu që ishte roje në Degë, më tha se i kishin dhënë urdhër, që ku ta shihni Samiun, ta vrisni! Unë i thashë Samiut, se kishte qenë një zgjidhje e mirë, që ishte mbuluar me dhè.

“Kur u dorëzova, më torturuan prapë- vazhdoi Samiu, – dhe mbas pak ditëve, më kthyen në burg”. Të nesërmen e ikjes së Samiut, në Degë, morën nënën tonë dhe dy vëllezërit që ishin më të vegjël se unë.

Nënën tonë e kanë torturuar, që të tregonte se ku ishte Samiu. Kanë përdorur korrent, rrymë elektrike dhe e kanë lënë në këmbë, kur dihej që ajo vuante prej zemrës. Dy vëllezërit më të vegjël, i kanë rrahur që të tregonin nëse ka ardhur Samiu në shtëpi apo jo.

Po i kthehem edhe njëherë kohës së hetuesisë, për diçka që mbeti mister: pak ditë pasi mbarova hetimin, më çuan në burg. Në këtë rast prapë u paraqit aspirant Emërlla Kuta. Sa e pashë, m’u kujtua naganti që më drejtoi duke iu dridhur dora. Ai më tha: “Bëhu gati se do të të çoj në burg”. Unë u bëra gati, ulëm shkallët e tri kateve dhe u nisëm, por, jo përmes rrugës që ishte më afër, por, duke zgjedhur një rrugë tjetër, që i binte shumë më gjatë, nga lagja “Vakëf”.

Emërllai më tha: “Nuk po t’i lidh duart, por, shiko para dhe mos flit me asnjë njeri”, ndërkohë që nagantin e kishte në dorë dhe rrinte pas meje. Nuk e di edhe sot se pse m’i zgjidhi duart e lidhura me hekura gjermani. A mos vallë që të tentoja të ikja dhe ai të më vriste? Më në fund, më çuan në burg dhe qysh atëherë, nuk e kam parë më Emërlla Kutën.

Zymer Halili, ka qenë kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, në kohën që jemi arrestuar unë dhe Samiu. Një grua po prej Gurëzi (një katund i rrethit të Krujës, bashkëfshatare me Zymerin) e cila ishte gjithashtu e internuar ngaqë kishte të birin e arratisur, mbasi u hodh Samiu nga dritarja (histori që bëri bujë atëkohë në Berat), i thotë Zymerit: “O Zymer, mos u merr me kalamajtë. Liroji prej burgu se është gjynah”! Kjo zonjë, me sa mbaj mend, e kishte emrin Katrinë Tonja.

Për kujtesë: unë kam qenë 16 vjeç dhe Samiu 18 vjeç, kur na arrestuan. Ne kujtonim se Zymeri ishte kosovar, por, pas 8-9 vitesh, këtu në SHBA-ës, kur isha për darkë tek një miku im prej Plave ku ishin të thirrur 15-16 vetë, në bisedë e sipër, doli që Zymeri kishte qenë prej Plave a Gucie, diku prej një katundi atje, dhe jo nga Kosova. Prej nipit të Zymerit, që ishte në këtë darkë, mësova se një vëlla, Zymerit, ia kishte pushkatuar Enveri, për inate të ndryshme, kurse unë e kam ditur qysh herët, se i vëllai i Zymerit, ishte pushkatuar sepse kishte dalë 1 milion e gjysmë defiçit në dyqan, ngaqë punonte shitës.

Por, ai, i vëllai, kryente edhe disa punë sekrete: atë e çonte qeveria e atëhershme në Jugosllavi me mision. Këtë ia kishte treguar babës tim, një mik i yni, i cili dilte në Jugosllavi bashkë më vllain e Zymerit. Këta dy persona, çonin flamurë shqiptarë dhe disa letra. Sipas mikut, ata asnjëherë nuk kishin dalë nga Shqipëria nga pikat kufitare që i urdhëronin drejtuesit, sepse zakonisht, ata që kalonin kufirin e Jugosllavisë andej nga ishin instruktuar të kalonin, binin në pritat e serbit, dhe shumë prej tyre u vranë në kufi.

Duke iu kthyer periudhës së burgut: pas Maliqit, na çuan në Beden të Kavajës, për tharjen e kënetës së Zhabjakut. Kampi ishte i rrethuar me tela me gjemba (siç ndodhte në të gjitha kampet e burgjet), dhe ishte aq i dendur, saqë as skilja nuk mund të dilte prej andej. Në çdo 30-40 metra, ishte një kullë vrojtimi me policë ose ushtarë të armatosur, a thua se ne ishim kriminelë të mëdhenj, kur rrallë, ose asnjëri prej nesh, nuk ishte kriminel, por, njerëz që nuk kishin bërë asnjë të keqe, vetëm që nuk u pëlqente regjimi komunist. Dhe pikërisht për këtë “faj”, po punonim në Kanalin e Bedenit.

Na caktuan në brigada, dhe mua më takoi Brigada e Qazim Osmanit, që ishte i burgut të Shkodrës. Skuadra ku punoja unë, ishte e mbushur me priftërinj katolikë të Shkodrës dhe një Shefqet Muka, po shkodran. Një ditë krisi pushka e mitralozi. Ne po punonim në kanal, po njëherazi u ulëm që të mbroheshim nga plumbi. Shyqyri Rjolli, komandant i trupave ushtarake, prej së largu u duk me mbathje të shkurtra, sikur të ishte ngritur nga shtrati, duke ecur dhe duke u bërtitur rojeve që rrethonin kampin “Mos shtini!

Mos shtini”, disa herë, derisa u qetësua gjendja. Atëherë u ngritëm dhe filluam përsëri punën. Drejtori i kampit, Haxhi Pela prej Lushnje, nuk u pa në atë ngjarje dhe unë nuk e kuptoj edhe sot, pse ngjanë ato të shtëna.

Priftërinjtë dhe Shefqet Mukën i mundonin veçanërisht. Pra, brigadën tonë e çonin në parcelat më të vështira, me ujë dhe baltë. Kam parë me sytë e mi kur i thoshte polici, Shefqetit: “Shtrihu në llucë!” sërish e sërish. Ashtu vepronin edhe me priftërinjtë. Norma e gërmimit ishte 8 metra kub për njeri, por, kishte të burgosur që bënin edhe 25 metra kub në gërmim dheu me bel.

Më kujtohet një djalë e ri vlonjat, të cilit, nga puna e tepërt, i doli vjamthi në të dyja anët, dhe të këpuste shpirtin kur fillonte të qante prej dhimbjes dhe komanda e kampit nuk interesohej fare për ta çuar në spital. Më kujtohet edhe një i burgosur nga Lushnja, Hasan Spaho, i cili gërmonte me bel deri në 25 metra kub dhé, që njëkohësisht duhej hedhur jashtë, në bankinën e kanalit. Toka ishte e fortë dhe kishte edhe mina.

Gjatë punës, pa e ditur se kishte mina, njëri prej vëllezërve Agaçi nga Lushnja, u plagos dhe humbi vetëdijen, dhe nuk u mor vesh se si përfundoi fati i tij.

Një ditë, brenda në kamp gjatë kohës së pushimit, po më kërkonte brigadieri im, i cili ishte prej bregut të detit (nga Himara a Dhërmiu); më parë ai kishte qenë anëtar partie dhe tani ishte i burgosur ordiner. Ai më urdhëroi që të shkoja për të mbushur bidonë me ujë për komandën e kampit, me një shok tjetër që nuk e njihja fare, punë, të cilën, zakonisht, e bënin të burgosur me dënime të lehta. Megjithëse unë u mundova të mos dal, Nikua (kështu quhej brigadieri), nuk më la vend duke më kërkuar, dhe qe e pamundur t’i shmangesha. Si përfundim, dola bashkë me atë shokun tjetër dhe me nga një bidon në sup, u nisëm për tek çezma.

I mbushëm bidonët dhe u kthyem në kamp. Gjatë kësaj kohe na shoqëronte një rreshter, i cili ka qenë shumë djalë i urtë, e që kishte një automatik për armë. Pas disa ditësh, një i burgosur më tha që: “Ty të kanë nxjerrë gjoja për të mbushur ujë, e duke pretenduar se ke dashur të ikësh, rreshteri të të vriste”. Por kjo gjë nuk ngjau. Ai më tregoi që rreshterit i kishin thënë: “Pse nuk e vratë Ganiun”? Rreshteri i ishte përgjigjur: “Nuk tentoi të ikte, dhe unë kot, nuk vras njeri”!

Në të njëjtën kohë për të cilën po flas, në kampin e Maliqit, në të njëjtën mënyrë, u vra Muharrem Xhixha, nipi i familjes Kupi. Më kujtohet një herë: një natë më parë, ra pak shi dhe rruga, ku do të kalonim, vende-vende ishte e mbytur në ujë. Kur ktheheshim prej pune për në kamp, duhej të ecnim shpejt, sepse ata që ngelnin të fundit, i rrihnin. Unë, për t’u ruajtur që të mos më lageshin këmbët, kalova anës së rrugës, kështu që u vonova pak.

Një burrë i madh në trup, më kapi e më futi nën sqetull, deri sa kaluam lagështirën, e pastaj më lëshoi.

Ishte pikërisht Ymer Sakati prej Hasi. Duke ecur më tha: “I paske ngjarë të parëve të tu”! Ymeri ishte një burrë i gjatë, i fuqishëm, me mustaqe disi të gjata. Në jakën e gjysmë palltos së tij kishte një gëzof, i cili, më duket, se ishte gëzof ujku. Kur u kthyem në kamp, më fali një palë çorape të reja leshi. Unë e falënderova për këtë dhuratë, mbasi sandalet më ishin prishur qysh në burgun e Beratit, dhe zakonisht, ata që nuk kishin këpucë, merrnin këpucët e të tjerëve. Dhe Ymerin, qysh prej kampit të Bedenit, nuk e kam parë më.

Diku, kanalit i takonte të çante përmes tokave bujqësore. Ishte kanali ujë-mbledhës. Atje të burgosurit mblidhnin kikut, spinaq të egër, recin, etj., për t’i ngrënë, sepse nuk u dilte ushqimi dhe të pangrënë, nuk mund të mbroheshin as nga sëmundjet. Unë kisha një tas alumini, një lloj gavete me dy vesha teli. Në tas kisha shkruar emrin dhe datën kur mbërritëm në Beden. Më kujtohet, se një ditë m’u mbush mendja, të numëroja se sa kokrra groshë më ranë për drekë në racion. I numërova; ishin 9 kokrra groshë gjithsej, e pjesa tjetër, veç ujë me ngjyrë. Ky ishte ushqimi ynë i zakonshëm. Rrallë ndonjërit, mund t’i vinte dikush e t’i sillte ushqim në kamp.

Një ditë pushimi, po rrija në shtrat si të gjithë. Atëherë, më drejtohet njëri dhe më pyet: “A pe njeri këtu”? Ishte 4-5 shtretër larg meje. “Pse, – e pyeta unë, çfarë ka ngjarë”? Ai më tregoi se i kishin vjedhur bukën, të cilën, siç e kuptova, e kishte lënë jashtë, pa e futur në trastë. Dhe kam parë edhe burra shumë të mirë, të cilët mblidhnin duqe duhani dhe i thithnin. Gjithashtu kam parë njëherë një të burgosur, i cili mbasi shikoi anash me kujdes, që të mos ta shihnin të tjerët, kapi një lëkurë bostani në gropën e mbeturinave, i ra dy herë pantallonave me të për ta fshirë, dhe filloi ta hante.

Para se të prisheshim me Titon, na bërtisnin dhe na shanin me çfarë t’u vinte për goje, e mbasi u prishëm me Titon, ndërroi klima. Drejtori i kampit, Haxhi Pela, zuri të thoshte: “Hej, vllazën, punoni sa të mundeni”, dhe atëherë, disa policë që kishin qenë më brutalët, filluan të zverdheshin. Atë moment, sikur të burgosurit t’i urdhëronin: “Hidhe përdhe automatikun”! ata, me siguri, do të ishin gati që ta hidhnin.

Mbasi u lidhën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, ndërroi sërish situata në kamp. Një ditë pushimi, që ishte e diel, drejtori i kampit, dha urdhër që të dilnim të gjithë jashtë kazermës dhe na grumbulloi në oborr, ku ai do të na mbante një fjalim. Ai tha: “Këtu ka shumë armiq të Pushtetit Popullor…” e shumë fjalë të egra fyese, pasi një i burgosur nga Vlora, kur u prishëm më Titon, gjoja paskësh thënë se; “Tani këta do të vijnë si cjapi tek kasapi”.

Mbasi mbaroi fjalimin, në sy të të gjithë të burgosurve, atë vlonjatin, i cili mundet edhe ta kishte thënë atë fjalë, e morën dhe dy police, e rrahën me dru derisa i thyen gishtat e duarve, dhe e bënë në atë gjendje, saqë s’mund të ngrihej më në këmbë. Aty e kam parë atë njeri fatzi, të ecte me katër këmbë si bagëtia, ose siç i themi ne në Krujë, të ecte këmbadoras, si foshnjat. Mbas gjithë kësaj torture, e lidhën pas një shtylle dhe e lanë aty të lidhur, deri vonë në mbrëmje. Aty e kam kuptuar se njeriu, qenka shumë i fortë.

Një mesnatë, dëgjuam një zë të fortë që thërriste mesa fuqi kishte: “I bëfsha nënën Stalinit dhe Enver Hoxhës”, prej çatisë së kampit, ku kishte hipur. Ky i burgosur, ishte prej katundeve katolike të Shkodrës. Policët hynë brenda në kamp, me armë dhe shkopinj, dhe e urdhëruan që të ulej, derisa e zbritën me forcë.

Çatia ishte e mbuluar me fuçi zifti. E morën, e nxorën jashtë kampit, dhe ai njeri nuk u pa më kurrë. Kushedi se çfarë i kishin bërë; me siguri e kishin mbytur me dru.

Këtë ngjarje e kam dëgjuar me veshët e mi. Kur u gdhi, e pyeta tim vëlla, Samiun, nëse kishte dëgjuar gjë natën, dhe ai më tha se po. Biseduam edhe për fatin e të shkretit djalë, dhe vëllai im pohoi të njëjtën gjë: që mund ta kishin mbytur me dru. Zërin e tij e kemi dëgjuar mirë, shumë prej nesh, të burgosurve, sepse kapanoni ishte i veshur me hasër (rrogoz). Mbas afërsisht 6 muajsh, u kthyem prej Bedeni, në burgun e Beratit. Si zakonisht, ishim dobësuar e katandisur në skelete nga vuajtja, saqë familjarët mezi na njihnin.

Atëherë, filloi të përmirësohej disi gjendja fizike; pak prej ushqimit që na çonte familja (të cilët ishin të internuar atë kohë) e pak prej ullinjve, filluam ta merrnin veten disi. Por unë u ktheva i sëmurë nga Bedeni, shumë i sëmurë, saqë për 15 ditë rresht, nuk i kam mbyllur sytë një orë të vetme. Kur çohesha të shkoja në banjo, duhet të mbështetesha pas muri, duke u tërhequr zvarrë. Duke parë gjendjen time shumë të rëndë, vëllai im Samiu, rastin e parë që erdhi drejtori i burgut (i cili quhej Nikolla Kule, dhe ishte nga Myzeqeja), gjeti guximin dhe i tha: “E kam vëllanë shumë sëmurë. Të lutem, bjeri një mjek që ta vizitojë”!

Dhe në të vërtetë, brenda dy ditëve, erdhi një mjek italian, të cilin ne e njihnim shumë mirë, dhe na njihte shumë mirë. Mbasi më vizitoi, më dha disa kokrra dhe dy shishe me vaj peshku me një ngjyrë si në të verdhë, të cilin e pija direkt nga shishja, e jo me lugë. Pra, vëllai im Samiu, nuk mori parasysh torturat që do t’i bënin pas kësaj, pasi polic Kasemi, ishte shumë i gatshëm dhe e kishte shumë për zemër përdorimin e atij shkopit me gunga.

Ishte ligj që, kushdo i burgosur që i del drejtorit përpara, për t’i kërkuar ndonjë gjë, e kishte mëse të sigurt rrahjen dhe torturën. E pas kësaj, të gjithë me keqardhje të madhe, prisnin se kur do të fillonte druri pasi të ikte drejtori, por për fat të mirë dhe për çudinë tonë, polic Kasemi, nuk e thirri dhe nuk i tha asgjë Samiut. Vëllai im Samiu, të cilin unë e kam njohur më mirë qoftë në burg ashtu edhe jashtë, bënte shumë për njerëzit e vet edhe për shokët. Ishte njeri i vetë sakrificës. /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: