TIRANE- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha në konferencen e organizur sot në Tiranë, në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, se “rregullimi i ri bankar në Eurozonë, në një afat të shkurtër, përfaqëson një sfidë për sistemet bankare në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Guvernatori u shpreh se, normat negative të interesit në Eurozonë kanë sjellë përfitime edhe në rajon, për sa kohë kanë parandaluar deflacionin dhe kanë favorizuar flukset hyrëse të kapitalit, përmes investimeve të huaja. Koeficientët e lartë të rrezikut për investimet në këto tregje kanë bërë që bankat e grupeve të Eurozonës në rajonin tonë të frenojnë kreditimin.

Megjithatë, theksoi ai, normat negative të interesit kanë shkruar edhe sfida serioze, të lidhura me dilemat e përcaktimit të kufurit të poshtëm të normës bazë apo për menaxhimin e likuiditetit nga bankat qendrore dhe ato tregtare të vendeve të rajonit.

Konferenca e nisur të enjten do të ofrojë mundësi për politikëbërësit dhe përfaqësuesit e lartë nga bankat qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor që të shkëmbejnë pikëpamje për sfidat që lidhen me politikën monetare, stabilitetin financiar dhe administrimin e rezervës valutore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb