Ushtria izraelite të premten u bëri thirrje të gjithë civilëve në qytetin e Gazës që të evakuohen “në drejtim të jugut”, ndërsa vazhdon bombardimet e saj në enklavën bregdetare në përgjigje të sulmeve terroriste të Hamasit që vranë më shumë se 1200 njerëz. “IDF bën thirrje për evakuimin e të gjithë civilëve të qytetit të Gazës nga shtëpitë e tyre në drejtim të jugut për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre dhe të lëvizin në zonën në jug të Wadi Gazës”, thanë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit në një deklaratë.

Kombet e Bashkuara paralajmëruan të enjten se një urdhër ushtarak i izraelit për të evakuuar të gjithë popullsinë 1.1 milionëshe të Gazës veriore në jug të enklavës së rrethuar ishte “e pamundur” pa shkaktuar pasoja të mëdha humanitare. Në deklaratën e saj të premten, IDF tha se civilët e evakuuar do të jenë në gjendje të kthehen në qytetin e Gazës “vetëm kur të bëhet një njoftim tjetër”. “Terroristët e Hamasit fshihen në qytetin e Gazës brenda tuneleve poshtë shtëpive dhe brenda ndërtesave të populluara me civilë të pafajshëm”, tha IDF, duke pretenduar se militantët e Hamasit “po përdorin” civilët si “mburoja njerëzore”.

“Mos iu afroni zonës së gardhit të sigurisë me Shtetin e Izraelit,” tha IDF, duke shtuar se “do të vazhdojë të operojë në mënyrë të konsiderueshme në qytetin e Gazës dhe të bëjë përpjekje të gjera për të shmangur dëmtimin e civilëve”. Izraeli ka grumbulluar më shumë se 300,000 rezervistë përgjatë kufirit të tij jugor me Gazën, por nuk ka konfirmuar nëse po planifikon një operacion të intensifikuar ushtarak. Kriza humanitare e Gazës thellohet mes paralajmërimeve nga ekspertët e OKB-së se njerëzit janë në rrezik nga uria nën bombardimet e Izraelit. Më shumë se 1500 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë. Sulmet ajrore kanë zhvendosur gjithashtu qindra mijëra njerëz.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb