Nga Vasil KURETA
Pas rrëzimit të komunizmit, sistemi i marrëdhënieve ndërkombëtare filloi një cikël të ri ndryshimi. Ishin ndryshime të pritshme. Periudha pa përballjen mes dy sistemeve të kundërta, evidentoi SHBA si superfuqia e vetme, që bashkë me aleatët europianë kontribuan në mbrojtjen e stabilitetit e sigurisë së rendit botëror. Element karakteristik u shfaq tërheqja e Rusisë në një partneritet në kuadër të NATO-s, që funksionoi fillimisht, por që shpejt u konstatua se Rusia ndiqte një strategji konkrete për një rol e status superfuqie botërore, që nuk vonoi të shfaqej. SHBA, duke realizuar përgjegjësitë e saj për garantimin e stabilitetit të rendit botëror, deklaroi e argumentoi qëndrimin apo nevojën e bashkëpunimit me aktorë të tjerë të rëndësishëm botërorë, që dukej se funksionoi. Megjithatë, shpejt u evidentua strategjia e Rusisë, veçanërisht për të mundësuar statusin e një superfuqie botërore, që shfaqej në një bashkëpunim konkret me Kinën e kujdesshme, që ndiqte edhe ajo rrugën e vet karakteristike në plotësimin e ambicies së superfuqisë botërore. Element thelbësor i ndryshimeve u shfaq dhe kriza apo ngecja e ecurisë së projektit europian dhe evidentimi i një problematike konkrete bashkëpunimi brenda Perëndimit apo aleancës euroatlantike.

Analistë e studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare kishin përcjellë opsionet e tyre për një rend apo botë dy apo multipolare, duke folur tashmë edhe për një rend të ri botëror. Kur Presidenti i ri i SHBA Trump, bëri publike sentencën “America first”, tërhoqi vëmendjen e analistëve dhe studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare. Çështja ishte nëse ndodhemi përpara një doktrine të re, të përpunuar, apo ndodhemi përballë një rritjeje të peshës së nacionalizmit në SHBA, sidomos nën ndikimin e problemeve të brendshme ekonomike e sociale. Kishte dhe ka pritshmëri të lartë, sa i përket konkretizimit të kësaj teze në politikën e jashtme të SHBA, që afekton direkt përmbajtjen e sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare e modelin e tij. Që politika e jashtme e SHBA ka në themel të saj interesat e popullit e shtetit amerikan, kjo është e kuptueshme lehtësisht, por me rëndësi të veçantë është çështja e konkretizimit apo ndryshimeve të mundshme, sa i përket vendit, rolit dhe peshës së SHBA në zhvillimet botërore dhe mënyrës së realizimit të saj. Po kështu, rëndësi të veçantë ka të shihet se si do të harmonizohet konkretizimi i kësaj teze me ligjin e të drejtën ndërkombëtare, me rolin e aktorëve të tjerë të rëndësishëm botërorë, apo me aktivitetin e organizmave ndërkombëtarë, ku veçohet OKB; se si do të harmonizohen interesat nacionale me ato ndërkombëtare, se si do të mbrohen sistemi i vlerave, demokracia e sundimi i ligjit nga kërcënimet ekstremiste, antidemokratike e terroriste, por dhe nga kërcënimet natyrore. Po kështu, pritshmëri të lartë ka se si do të funksionojë Perëndimi në situatën e sotme e në konkretizim të tezës “Amerika first”. Kjo lidhet domosdoshmërisht me kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë SHBA në garantimin e stabilitetit e sigurisë së rendit botëror dhe pritshmëritë aktuale, por që do të ndikojë maksimalisht në përmbajtjen dhe formën që do të marrë rendi botëror, modeli i ri i sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare në periudhën post-komuniste.

Sot konstatohet një problematikë e mprehtë që atakon ndjeshëm stabilitetin, sigurinë, paqen e rendit botëror dhe ardhmërinë e njerëzimit. Fenomene të tilla si gara e armatimit e animi nga përdorimi i fuqisë e forcës ushtarake, kërcënimet bërthamore dhe aktiviteti i lartë i terrorizmit shumëformësh, dukuria e shtuar e nacionalizmit e tërheqja pas interesave të shtetit-komb, proteksionizmi e antiglobalizmi, ulja e treguesve të zhvillimit ekonomik botëror, thellimi i ndarjeve rajonale sa i përket zhvillimit dhe i pabarazive sociale, pasha e rëndë e efekteve e pasojave të krizës ekonomike botërore e financiare, vatrat e rrezikshme të krizave, prirjet imperiale e ato të mosrespektimit të ligjit e të drejtës ndërkombëtare të mosrespektimit të marrëveshjeve e traktateve ndërkombëtare, dobësimi i ndjeshëm i rolit të organizmave ndërkombëtarë, përfshi dhe OKB e Këshillin e Sigurimit, një “kryengritje” e vërtetë apo presion i shtuar i nacionalizmit e egoizmit nacional, përfshi dhe krizën e BE dhe një problematikë që po e shoqëron atë etj., po bëjnë trysni shqetësuese komplekse ndaj përmbajtjes e standardeve të qëndrueshmërisë së rendit botëror.

Në kushtet kur ka nevojë të madhe për dialog e bashkëpunim, për bashkërendim të kontributeve, dukuria e egoizmit nacional ushqen ndarjet, kontradiktat, frenon e dobëson angazhimin e veprimin e përbashkët, ushqen filozofinë e përdorimit të forcës e fuqisë, ushqen mosrespektimin e ligjit ndërkombëtar e aventurizmin. Koha e sotme dëshmon se filozofia e egoizmit nacional bëhet pronë edhe e aventurierëve politikë, që edhe pse mund të jenë vende të vogla, zotërojnë armë bërthamore. Historia e rrezikshmërisë së lartë të filozofisë nacionaliste, e egoizmit nacional, nuk është shumë larg nesh. Nazizmi dhe fashizmi nuk lënë shteg as për të harruar e as për nënvleftësim e shkujdesje. Filozofia nacionaliste e përmban mundësinë e lindjes së ekstremizmave të rrezikshëm që duhen parandaluar me çdo kusht. Efektet e krizës ekonomike e ushqejnë egoizmin e ekstremizmin nacional, mbylljen dhe distancimin nga sistemi i vlerave. Zhvillimet e qëndrueshme ekonomike e sociale janë shumë të rëndësishme, por dhe orientimi nga sistemi i vlerave dhe respektimi i ligjit e të drejtës ndërkombëtare merr vlerë të veçantë. Filozofia e forcës nuk mund të ekzagjerohet, edhe pse, në një moment të caktuar, një veprim konkret apo hap praktik ka vlerë më shumë sesa pasiviteti e dialogu shterp.

Nacionalizmi, në formën e sotme të shfaqjes së tij, përveç tërheqjes nga prioriteti i interesave të shtetit-komb, mbylljes etj., duket se po shfaqet si kundërvënie ndaj sistemit të vlerave, ndaj modelit perëndimor që ushqen, mbështet e materializon në jetë vlerat e solidaritetit, humanizmit, të lirive e të drejtat e njeriut, demokracinë e sundimin e ligjit. Zgjedhjet e fundit në Gjermani dhe rezultati që rezultoi është dëshmi sintetike e fakt me interes që kërkon të analizohet me shumë vëmendje për mesazhin që përmban, jo vetëm në Gjermani, por në gjithë hapësirën europiane e perëndimore, në botën e lirë. Ajo që mund të quhet “ngjarja gjermane” përbën një fakt social e politik që kërkon analizë të kujdesshme, që të ndihmon të njohësh një kontradiktë reale, në zhvillim sot, në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Futja në parlament e një partie të ekstremizmit të djathtë, që hapur atakon modelin e sistemit të vlerave apo ky legalizim demokratik i tyre, nuk mund të anashkalohet apo të shihet thjesht si një zhvillim normal.

Vërtet rezultati që mori partia e Merkel nuk ishte ai që pritej, por në thelb tregoi se ka lindur një kontradiktë reale, tregoi situatën në të cilën ndodhet ajo dhe vetë modeli perëndimor i sistemit të vlerave. Madje edhe vetë dalja në vend të parë e CDU/CSU, mund të lexohet vetëm si kontribut real i kancelares Merkel në mbrojtje të sistemit të vlerave, por dhe mbështetjen që gëzon ky model në Gjermani. Po kështu, rezultati i SPD, vërtet është në ulje, në raport me pritshmëritë, por ai nivel që u sigurua, ishte falë pozicionimit të kësaj partie në koalicion e mbështetje të pozicionit të Merkel në mbrojtje të sistemit të vlerave. Sa u përket ambicieve politike të kësaj partie e dështimeve politike të saj, ato kanë të bëjnë me çështje të brendshme të saj dhe të situatës në tërësi që kalon social-demokracia europiane në kushtet e sotme.

Që tashmë ka një kontradiktë reale në pjekje, apo që sistemi i vlerave dhe modeli i tij po luftohet e do të luftohet më ashpër nga kundërshtarë kompleksë e jo vetëm nga format konkrete të nacionalizmit, këtë e dëshmon, jo vetëm një problematikë konkrete në përballjen me egoizmin nacional etj., por edhe futja në parlamentin gjerman, pas 60 vitesh, të një partie të ekstremit të djathtë. Në një farë mënyre kjo situatë e ngritjes së dallgëve të nacionalizmit, ekstremizmit e autoritarizmit në Gjermani, në hapësirën perëndimore e në botë, është pasojë direkte e goditjes së madhe që solli kriza ekonomike e botërore financiare. Ajo u cilësua si një depresion 2, por të mos harrohet se depresioni 1 polli monstrat e nazizmit e fashizmit. Natyrisht që atëherë nuk ekzistonte modeli i ngritur mbi sistemin e vlerave, por kjo nuk lejon asnjë nënvleftësim e shkujdesje, asnjë injorim të historisë dhe shkaqeve që lindin fenomene të tilla. Pikërisht rezistenca efiçente e sistemit të vlerave dhe mbështetja e gjerë që gëzon, është fakt esencial, por gjithsesi kërkon një shkundje të thellë, për njohjen e përmbajtjes së kontradiktës aktuale e ecurisë së saj dhe për një luftë më të organizuar në mbrojtje të modelit të sistemit të vlerave. E majta europiane sot duket se shfaqet shumë deficitare, sa i përket pasurimit të vizionit në mbrojtje të sistemit të vlerave, që të mund të kthehet në një faktor esencial në zhvillimet politike. Nevojitet të shohë përpara dhe duke njohur mirë stadin aktual të zhvillimit. Nevojitet të mësojë më shumë nga përvoja e partive të djathta, që po mbështesin sistemin e vlerave. Natyrisht që, rol të veçantë luan dhe personaliteti udhëheqësve të tipit “Merkel”. Personalitetja e njohur amerikane Klinton ka evidentuar një fakt domethënës e esencial, kur e vlerëson kancelaren Merkel “lideren më të rëndësishme” në dhe për Botën e lirë. Protesta spontane e zhvilluar në Gjermani, pas njoftimit të hyrjes në parlament të partisë së ekstremit të djathtë, është shumë domethënëse, që dëshmon se sistemi i vlerave ka mbrojtës të sigurt popujt.

Siç shihet, zhvillimet e fundit në hapësirën perëndimore, por edhe në botë në tërësi, do ta bëjnë më të mprehtë nevojën për një mbrojtje të mirorganizuar e efiçente të sistemit të vlerave e modelit aktual të shfaqjes së tij, të demokracisë e sundimit të ligjit. Siç duket, ky model do të jetë në një kontradiktë edhe më të ashpër me modelet ekstremiste, autoritariste, diktatoriale, antihumane e të mbytura nga egoizmi nacional, si të tipit aktual të Koresë së Veriut, por edhe të atyre ku popujt janë në mëshirë të orekseve të vendimmarrjes së “njëshit” politik, që vendos për fatin e jetën e tyre. Demokracia, sundimi i ligjit, sistemi i vlerave, humanizmi e solidariteti, sot ndodhen përballë një lufte të vendosur me autoritarizmin, ekstremizmin, format diktatoriale, egoizmat nacionalë laramanë, që përbën një kontradiktë në zhvillim, që pritet të bëhet më e ashpër dhe më e mprehtë dhe që do të ndikojë direkt në mbushjen e përmbajtjes së sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sidomos në cilësinë e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb