Bilanci i viktimave nga zjarri që përfshiu në fillim të kësaj jave kompleksin kimik Amur, në Lindjen e Largët të Rusisë, ka shkuar në 15 persona. Sipas njoftimit të kompleksit, shtatë persona humbën jetën në zjarrin e së mërkurës, mes tyre edhe gjashtë shtetas kinezë.

Në një deklaratë të publikuar në Telegram, kompania bëri të ditur se nga 15 viktimat, 14 ishin shtetas të huaj, pa dhënë detaje të mëtejshme për kombësitë e tyre. Situata mbetet e rëndë edhe për të mbijetuarit. 39 punonjës ndodhen të shtruar në spital, ndërsa nëntë prej tyre janë transferuar për trajtim në Moskë.

Kompleksi Kimik i Gazit Amur, një sipërmarrje e përbashkët mes kompanisë ruse Sibour dhe gjigantit kinez të naftës dhe gazit Sinopec, e përshkruan veten si një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të polietilenit dhe polipropilenit.


Në momentin e incidentit, kompleksi nuk kishte nisur ende operimin dhe po përgatitej për fillimin e prodhimit. Ndërkohë, Komiteti Hetues i Rusisë ka nisur hetimet për shkaqet e zjarrit. Autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë e shkeljes së rregullave të sigurisë industriale. Hetimi pritet të përcaktojë rrethanat që çuan në shpërthimin e zjarrit dhe përgjegjësit e mundshëm për tragjedinë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: