Në raportin e fundit për ekonomitë e Ballkanit perëndimor pranverë 2023, ku bën pjesë edhe Shqipëria, Banka Botërore thotë se inflacioni në rajon u rrit ndjeshëm në vitin 2022 duke arritur nivelin më të lartë të dy dekadave të fundit dhe presionet në kahun e rritjes së çmimeve vijojnë të jenë të larta edhe në fillim të vitit 2023.

Sipas raportit, kjo rritje e çmimeve që ka prekur veçanërisht rëndë familjet me të ardhura të ulëta, e shoqëruar me një rritje të dobët të ekonomisë rezultoi në një ritëm shumë më të ngadaltë të uljes së varfërisë. Një nga hartueset e raportit thotë se rritja e inflacionit po ndikon veçanërisht tek familjet e varfra, të cilat po përballen me rritjen e kostos së jetesës.

“Familjet më të varfra shpenzojnë një përqindje shumë më të lartë të të ardhurave të tyre për energji dhe ushqime, dy artikujt e shportës së konsumit me rritjen më të lartë të çmimeve. Kjo do të thotë se rritjet në koston reale të jetesës me të cilat përballen njerëzit e varfër në Ballkanin Perëndimor janë shumë më të larta sesa sugjerojnë shifrat zyrtare të inflacionit të çmimeve të konsumit. Për të hartuar politika efektive për të mbrojtur njerëzit më të varfër dhe për të nxitur rritjen ekonomike, është e rëndësishme të merren parasysh normat e ndryshme të inflacionit me të cilat përballen kategori të ndryshme të familjeve”, u shpreh Sanja Madzarevic-Sujster, Ekonomiste e Bankës Botërore.

Duke u ndalur tek Shqipëria, raporti parashikon se inflacioni do të ulet gradualisht në vitin 2023 dhe të kthehet në objektivin 3 për qind të BSH-së në mesin e vitit 2024. Por nëse lufta Rusi-Ukrainë do të zgjasë këto tensione mund të rrisin më tej inflacionin. Ndërkohë sipas Bankës botërore skema e pensioneve në Shqipëri është nën efektin e plakjes, ku kontribuuesit po pakësohen dhe po shtohen pensionistët.

“Shqipëria ka bërë përpjekje për të përmirësuar qëndrueshmërinë fiskale të sistemit të pensioneve, por ka një raport të ulët mbështetjeje, që nënkupton se përqindja e të punësuarve kontribuues në një plan pensioni është e ulët, në krahasim me përqindjen e popullsisë së moshuar që përfiton pension”, thuhet në raport. Analiza evidentoi se pavarësisht kësaj sistemet e pensioneve në Ballkanin Perëndimor thithin shumicën e fondeve për mbrojtjen sociale, atyre iu duhet të luftojnë me qëndrueshmërinë dhe përshtatshmërinë financiare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb