TIRANË

Eksperti i Ekonomisë Pano Soko ka folur sot në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço në News24 për rritjen e çmimit të energjisë. Ai ka shpjeguar se sa do të jetë rritja dhe hilet e tarifimit.

Soko tha se nëse faturisti vonohet me 1 ditë me leximin e matësit, tarifa ekstra është 2 mijë lekë të reja.

“Është rritur tarifa e shpërndarjes. Për të bërë një saktësim, nuk është rritur me 4 herë, por me 5 herë. Duhet marrë çmimi me TVSH. Ajo tarifa e re është 42 lekë pa TVSH. Qytetarët duhet të kuptojnë se do të paguajnë 500 lekë më tepër për çdo kilovat.
Sot për shkak të infrastrukturës së çmimit ia kemi falur këtë rritjen.
1 kilovat 500 lekë, 10 kilovatë 5 mijë lekë. Një familje harxhon 200 kilovatë në ditë.
Nëse faturisti vonohet me 1 ditë, tarifa ekstra është 20 mijë lekë.
Sot këto që të rriten sot, nuk mund t’i zbresësh muajin tjetër. Sot është një nga gjërat më të rëndësishme, të ndahet fiks dita. Unë duhet të matem në muaj, në 30 ditë. Kur është ndërmarrë kjo iniciativë duhet të ishte menduar kjo gjë.
Më vjen keq që ERE në mbledhje nuk u soll si një autoritet, por si një organ i varur nga Kryeministri. Po të kishim një autoritet të varur, nuk ishte nevoja fare të ishte ERE”, tha Soko.

Sipas tij, një nga gjërat që duhej shqyrtuar, është operacionaliteti. Soko tha se numri i abonentëve që preken është rreth 25%.

“Qeveria në shifrat që dha tha se rritja i referohet çmimit mesatar. Por kjo nuk po bëhet në mars apo qershor, kur konsumi pakësohet. Ne presim dimër. Për ngrohjen nuk ke çfarë të bësh. Nuk mund të marrësh mesataren vjetore për muajt më të ashpër të vitit. Duhet të jetë mbi 25% e familjeve.
Këto familje që kanë sahate të bashkuar do të kenë probleme më shumë. Familjet me shumë kurora që kanë zgjedhur të jetojnë bashkë, sepse do ta superojnë 800 kilovat orë, ata duhet të ndahen në 4 matësa të veçantë.
Sasia e kohës që duhet aplikuar për të ndarë matësit, për të marrë një tjetër, iku tetori e nëntori. Nuk i dha kohë qytetarit”, tha Soko.

Sipas tij, qeveria i ka marrë lekët nga qytetarët që prej 2015 kur nisi reforma në sistemin energjetik dhe ku u deklaruar se do të bëhet shkëputja e sistemit nga buxheti i shtetit dhe do të rriten kapacitetet që Shqipëria të mos jetë e varur nga importi.

“Gjithë kjo është produkti i kësaj qeverie. Rritëm çmimin nga 2015. U tha atëherë do na jepni ca lekë më tepër sepse ne kërkojmë që sistemi energjetik të shkëputet nga buxheti i shtetit, e dyta për të rritur kapacitetet tona, që Shqipëria të prodhojë dhe të jetë e pavarur. Jemi 7 vjet pas reformës, ku jemi? Pse 7 vjet pas reformës, sot kemi arkëtime në nivel 90%. Ato që nuk arkëtohen janë institucionet shtetërore. Lekët ua merr qytetarëve, ku është pavarësia që duhet të kishte Shqipëria për energjinë. Ne kemi në 100% e konsumit të energjisë në Shqipëri, 80% nga prodhimi, 20% nga importi”, tha eksperti i ekonomisë.

Lidhur me prodhimin e energjisë nga dy anijet në Vlorë si dhe deklaratat e zv.kryeministres Ballukut se sa do të jetë çmimi në bursë në vitin 2023, Soko tha se nuk mund të parashikohet bursa as për nesër. Ai pyet se çfarë ka bërë qeveria për të pavarësuar sistemin energjetik.

“Parashikon bursën zonja Balluku? Le të na e thotë të gjithëve që të hedhim ca lekë. Në qoftë se zonja Balluku ka filluar të parashikojë bursat të na e thotë. Këtë rezultante qesharake logjike nuk e kuptoj, nuk e di askush si do jetë në 2023, nuk e dimë as nesër sa do jetë. Këto janë budallallëqe.
Ti si qeveri çfarë ke bërë për ta pavarësuar energjinë në Shqipëri. Lekët i kanë marrë, ku është energjia. Ne sot duhet të gëzonim sot që është rritur energjia në bursë se do shisnim nëse qeveria do kishte bërë atë që ka premtuar. S’ke çfarë t’i bësh sot, po lekët i ke marrë”, tha ai.

Sipas Sokos, nuk do të ketë ndërprerje energjie pasi do të ketë reshje të vazhdueshme.
“Nuk besoj se do kemi ndërprerje energjie. Ne këtu do flasim për përmbytjet. O kemi thatësire e kemi probleme me energjinë, o kemi përmbytje”, tha ai.

Sa i përket këshillave për kursim energjie, Soko mendon se qeveria duhet të kursejë vetë 10 mln euro dhe të mos shkoj te qytetari për ta goditur me vendosjen e fashës.
“Është e pazbatueshme. Nëse e mban 20 gradë celsius kondicionerin në dimër në shtëpi do e kesh 12 gradë. Përjetoje këtë situatë kur ke të moshuar, fëmijë, apo të sëmurë në shtëpi.
Po bëjmë llaf për 1.5 mld lekë, 10 mln euro.
Ti po i kërkon gjithë këto qytetarëve dhe iu ke vendosur fashën, të tria kompanitë që merren me sistemin e energjisë qarkullojnë 600 mln euro. Pse është kaq e vështirë të shkosh te xhepat e tu. A mund të kursesh 10 mln euro. Mund të kursesh dhe më shumë. Pse e ke kaq të lehtë të shkosh te qytetari.
Nëse ka nevojë të kursesh, ok, por jo fashë se është goditje ajo, i shkon shtresës së mesme, motori i motorit. E kemi goditur me taksa shtresën e mesme”, deklaroi Soko.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb