Eksperti i ekonomisë dhe ish-zv.ministër i Financave, Elton Haxhi foli për projekt-buxhetin e vitit 2024 dhe ndarjen e tij në emisionin “Open” në News24.

Ai u ndal te rritja e pensioneve, ku tha se mundësi ka, por kontrata është e përjetshme, ndërsa shtoi se nuk mund të thellohet deficiti buxhetor.

“Çështja është sa janë mundësitë për rritjen e pensioneve. Mundësi ka, por kontrata është e përjetshme. Llogaritë nuk janë në një vit të caktuar buxhetor, por bëhen për gjithë vazhdimësinë. Ka një parim, pensionet janë kontribuuesit çfarë japin, çfarë jep qeveria për shtresat në nevojë, ndaj duhet të dalë një skemë e balancuar. Ndaj do thoja se duhet të jemi më të kujdesshëm.

Ne jemi drejt një konsolidimi fiskal, shpenzimet për interesa në vitin 2024 janë 2.6% e GDP-së. Nuk mund të thellojmë deficitin buxhetor. Në aspektin e shpenzimeve fokusi është te investimet në infrastrukturë. Kjo pasi mbështesin sadopak zhvillimin e sektorit të turizmit, ku jemi identifikuar si ‘motor zhvillimi’.”, u shpreh ish-zv.ministri i Financave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb