Një banesë në fshatin Mbolan në ish/njësinë administrative Sinjë të Beratit është përfshirë nga flakët.

Gazetarja Eneida Petova raporton për “BalkanWeb” se shkak për zjarrin e rënë në banesë është bërë “rrufeja”. Mësohet se zjarri ka rënë në mesin e shtëpisë ku jetonin bashkë dy vëllezërit Artan dhe Agim Ajazi dhe më pas është përhapur me shpejtësi në të gjithë banesën.

Pas njoftimit të marrë nga banorët e zonës, në vendngjarje kanë shkuar 3 mjete zjarrfikëse, të cilët kanë bërë të mundur lokalizimin e flakëve të zjarrit dhe fikjen e tij, ndërkohë që familjarët kishin dalë më herët nga banesa, pikërisht në momentin kur edhe u shfaqën flakët e para të zjarrit.

Mësohet se zjarrfikësit kanë hyrë mes flakëve dhe kanë nxjerrë pa djegur nga një nga sirtarët e dhomës së gjumit paratë e familjes së Artan Ajazit, rreth 20 mijë euro.

Në banesën që u shkrumbua totalisht nga flakët jetonin dy vëllezërit Ajazi. Artani me bashkëshorten dhe dy fëmijët dhe të katër dolën pa asnjë lëndim nga banesa, ndërkohë që Agimi me familjen e tij jetojnë prej disa muajsh jashtë shtetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: