TIRANË – Miratohet nga Qeveria, shpronësimi për interes publik i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Lushnjë – Berat”

Vendimi është firmosur mbrëmjen e sotme nga Zv.Kryeministri Niko Peleshi, në mungesë të z.Rama. Në të thuhet se “pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë për tokë “arë”, “truall”, “ullishte (tokë bujqësore)” dhe “objekte”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi 95 193 711 lekë, nga të cilat:

Për “arë”, “truall”, “ullishte (tokë bujqësore)”, me sipërfaqe shpronësimi 189 744 m2, në vlerën 67 912 764 lekë. Për “objekte”, në vlerën 27 280 947 lekë.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë tokë “arë”, “truall”, “ullishte (tokë bujqësore)” dhe “objekte”, prej 95 193 711 lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015 (zëri “Shpronësimet”), planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimin e pronarëve, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6, dhe 7, të këtij vendimi. Brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Kuçovë, Lushnjë dhe Berat, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.

Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Kuçovë, Lushnjë dhe Berat të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb