TIRANE-Nuk ishte nje deklarate me emra konkret, por Gramoz Ruçi nuk kurseu me shprehite e tij, deputetin e jugut, Koco Kokedhima. Kryetari aktual i Grupit Parlamentar Ruci, pa përmendur emrin e Kokedhimes foli për të “ashtuquajtura projekte pilote” brenda partisë dhe reforma, që sipas tij, po dëmtojnë Partinë Socialiste.

“Unë jam për rregulla të forta dhe domosdoshmërinë e zbatimit të tyre, jam për unifikim dhe zbatim të unifikuar të rregullave të partisë në të gjithë territorin dhe jo për të ashtuquajturat projekte pilote në emër të të ashtuquajturave reformë në parti për të krijuar një çorganizim të organizuar që dëmton frymën, dëmton organizimin dhe veprimin politik. Jam për veprim politik të çdo anëtari të Partisë Socialiste”, tha ndër të tjera ai.

Kjo deklaratë e Gramoz Ruçit mbërrin pas asaj të bërë nga Koço Kokëdhima, i cili foli të enjten në Top Story për një strukturë rajonale në Vlorë e Gjirokastër. Ai tha se struktura shërben për të lehtësuar në gjetjen e burimeve njerëzore të afta dhe të kualifikuar në një hapësirë më të gjerë.

Gramoz Ruci është një ndër themeluesit e forcës më të madhe politike në vend, asaj socialiste.

KOKËDHIMA I PËRGJIGJET RUÇIT: REFORMA NË PARTI, THJESHT MADHËSHTORE
Deputeti socialist, Koço Kokëdhima i është përgjigjur kreut të Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi në lidhje me debatin për projektet pilote në emër të së ashtuquajturës reformë në parti.

Ruçi më herët në Kongres tha se projektet pilote kanë krijuar një çorganizim të organizuar që kanë dëmtuar veprimin politik të strukturave të PS­së në Jug të vendit.

Mirëpo Kokëdhima, i cili është një nga ideatorët e këtyre projekteve pilote dhe ndarjes së PS­së sipas një strukture rajonale në Jug të vendit ka thënë se ajo reformë ishte thjesht madhështore.

“Kjo reformë që zhvillojmë aktualisht dhe që realizoi hapjen e partisë, i ka hapur rrugë zhvillimit dhe pajisjen e saj me vizione taktike, plane veprimi dhe mbi të gjitha na jep mundësi të fitojmë zgjedhjet e tjera. I them atyre që e kanë kritikuar këtë reformë se ajo është thjesht madhështore”, tha Kokëdhima.

Ai më tej foli për suksese të PS­së në Jug të vendit, për zgjedhjet brenda partisë dhe për atë që e cilësoi trefishim të anëtarëve të PS­së në Jug të vendit.

(d.b/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: