Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji deklaroi se në mbledhjen e sotme të Komisionit të Sigurisë duhet të ishin thirrur institucione që duhet të jepnin llogari për çështjen ‘McGonigal’. Ai pohoi se ngjarja në fjalë ka ‘bërë lëmsh të gjithë dynjanë’.

Po ashtu ai kërkoi që në Komision të diskutohej dhe aksioni i policisë ‘Fijet’ për sekuestrimin e kamerave në disa qytete të vendit, që dyshohet se janë vendosur nga banda kriminale.

“Komisioni i Sigurisë sa herë që ka ngjarje që kanë të bëjnë me sigurinë merret me ngjarje sporti.
Në Shqipëri ka shpërthyer një skandal i madh me ish-drejtorin e kundërzbulimit në SHBA dhe një rast tjetër ku policia njofton se do vijmë t’ju heqim kamerat, kamera në gjithë Shqipërinë që nuk dihet se prej sa vitesh.
Në këto kushte duhet të kishim thirrur institucionet. Nëse nuk vjen ministri të japë llogari në parlament, të paktën thërrisni ndonjë punonjës të japë llogari para qytetareve dhe para nesh.

Të kërkojmë informacionin e nevojshëm nga institucionet e sigurisë për një person që është bërë kryelajm në mediat botërore, McGonigal që në takim me kryeministrin dhe dy këshilltare privat bënë lëmsh gjithë dynjanë, korruptohet, jepen miliona euro vetëm për interesa politike të kryeministrit dhe kësaj qeverie. Ky komision nuk është komision që mat meritat sportive”, pohoi Salianji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb