Deputeti i PD, Gjin Gjoni i ftuar në emisionin “Studio24”, në News24, ka folur për zhvillimet e brendshme në selinë blu, duke u ndalur te gara për drejtimin e partisë dhe përjashtimet nga procesi zgjedhor.
Sipas tij, gara për kryetar është një proces normal dhe brenda rregullave statutore të partisë, ndërsa theksoi se askujt nuk i është mohuar e drejta për të garuar, por se çdo kandidat duhet të respektojë kornizat e përcaktuara. “PD ka rregulla dhe një statut që përcakton qartë kufijtë. Dy figura që janë përjashtuar nga gara janë përjashtuar më parë edhe nga partia”, u shpreh Gjoni, duke iu referuar vendimeve të brendshme të strukturave drejtuese.
Ai komentoi gjithashtu lëvizjen dhe qëndrimet e ish-deputetit demokrat Ervin Salianji, duke deklaruar se, sipas tij, individë që përdorin siglën e PD-së ndërkohë që sulmojnë partinë dhe drejtuesit e saj nuk mund të jenë pjesë e një gare për drejtim.
Gjoni tha se statuti i vitit 2021 parashikon edhe mundësinë e fraksioneve brenda partisë, duke e cilësuar këtë si një hap që lejon grupe të ndryshme të shprehin qëndrimet e tyre politike.
Deputeti u ndal edhe te nevoja për hapje dhe reformim të partisë, duke pranuar se PD nuk i ka bërë të gjitha gjërat siç duhet dhe ka nevojë për përmirësim të vazhdueshëm.
“Partia Demokratike ka nevojë për reformim dhe për hapje. Duhet të përfshijë edhe atë që quhet ‘pjesa gri’ e elektoratit për t’u bërë konkurruese për pushtet,” tha ai.
Në të njëjtën kohë, Gjoni theksoi se debati i brendshëm duhet të mbetet politik dhe jo personal, duke shtuar se fyerjet nuk ndihmojnë në krijimin e një klime normale gare për drejtimin e partisë.
Gjin Gjoni: Jam në grupin e PD dhe në diskutimet jopublike mund të jem më i ashpër se zoti Salianji. Por nuk kam dalë të gjuaj PD me topa. Salianji i kishte të gjitha mundësitë. Debati po bëhet për Alesia Balliun dhe Salianjin. Zonja Balliu ka filluar punë në një institucion shtetëror pranë PS. Ka filluar në një institucion shtetëror.
PD ka rregulla që për këdo person që ikën, është atashuar tek një forcë tjetër, të përjashtohen për shkak të një angazhimi tjetër. Partia ka një statut. Zonja Kokalari nuk e di nëse ka një teserë të PD-së. PD thotë mos të jenë në struktura drejtuese. Nuk mundemi, një i punësuar në administratë shtetërore të drejtojë PD.
