Gjermania do të rikthejë përkohësisht kontrollet në kufi në mënyrë që të rrisë sigurinë gjatë organizimit të samitit G20 në Hamburg në muajin korrik, ka bërë të ditur Ministria e Brendshme gjermane. Sipas disa mediave gjermane, ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere ia ka bërë të ditur një plan të tillë Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe vendeve anëtare të BE-së.

Autoritetet gjermane kanë kërkuar gjithashtu ndalimin e grupeve radikale të krahut të majtë nga vende si Italia apo Danimarka që të hyjnë në Gjermani.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe Italia, e cila ka rikthyer kontrollet në kufi deri në fund të këtij muaji, për shkak të shqetësimeve për sulme terroriste, pasi më 26 e 27 maj do të zhvillohet samiti G7.

Mediat raportojnë më tej se aktivistë nga e gjithë bota kanë bërë plan që të organizojnë disa demonstrata në Hamburg për të protestuar kundër këtij samiti. Samiti i 12-të G20 do të mbahet në Hamburg më 7-8 korrik, dhe do të marrin pjesë liderët e SHBA, Britanisë, Kanadasë, Kinës, Argjentinës, Australisë, Francës, Gjermanisë, Turqisë, etj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb