Shtëpia e Bardhë ka publikuar një video në platformën sociale X, ku presidenti amerikan, Donald Trump, flet mbi ecurinë e Samitit të NATO-s të zhvilluar në Turqi, duke e vlerësuar atë si një sukses të jashtëzakonshëm dhe duke vënë theksin te roli udhëheqës i SHBA-së në arenën ndërkombëtare.
Në mesazhin e tij, kreu i Shtëpisë së Bardhë shprehu vlerësime të larta për mikpritësin e samitit, presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, si dhe për Sekretarin e Përgjithshëm të aleancës, Mark Rutte.
“Sapo përfunduam një Samit shumë të suksesshëm të NATO-s këtu në Turqi dhe dua të falënderoj presidentin Erdogan, i cili është vërtet një njeri i madh. Ai është një udhëheqës i shkëlqyer. Dua gjithashtu të falënderoj Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Mark është një person i jashtëzakonshëm, i zgjuar dhe një udhëheqës i madh. Nuk është e lehtë të drejtosh kaq shumë liderë”, dëgjohet të thotë Trump në video.
Më tej, presidenti amerikan bëri me dije se gjatë qëndrimit në samit ka zhvilluar bisedime të ngjeshura me disa liderë botërorë. Ndër to, ai veçoi takimet dypalëshe me presidentin Erdogan, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe me liderin sirian Ahmed al-Sharaa.
Sipas Trump, përshtypja e përbashkët në të gjitha këto takime ishte e qartë dhe lidhej me pozicionin aktual të SHBA-së. Ai nënvizoi se në çdo bisedë u vu re se “Amerika është rikthyer” dhe se ajo tashmë është “më e fortë, më e madhe dhe më mirë se kurrë më parë”.
Në mbyllje të videomesazhit, presidenti i SHBA-së u shpreh optimist për frymën që karakterizoi takimet e nivelit të lartë mes aleatëve. “Ky ishte një samit jashtëzakonisht i suksesshëm. Dua vetëm të say se në atë sallë kishte një ndjenjë të jashtëzakonshme miqësie dhe vullneti të mirë”, përfundoi Trump.
