Protesta masive përpara Kryeministrisë, e cila po vijon pandërprerë, ka pasur mes folësve të saj edhe ambientalistin Sazan Guri.
Gjatë fjalës së tij para qytetarëve, Guri ka lëshuar mesazhe të forta qëndrese, duke bërë thirrje për një radikalizim demokratik të protestës dhe duke kërkuar bllokimin fizik të institucioneve kryesore të vendit për të ndalur vendimet e qeverisë.
“Ky vend që ka mbërritur në këtë ditë, ku përballë nesh ndodhet vetëm një anije, do iki ose ky që as në emër nuk e meriton t’i thërrasësh ose ne! Ne qytetarë shqiptarë që nuk duam të shqetësohemi se në dukje jemi në shesh 2, 3, 5 apo 10% e popullit,” deklaroi Guri, duke e vënë theksin te rëndësia e vendosmërisë dhe jo te shifrat e pjesëmarrjes. Ai kërkoi një angazhim total nga çdo pjesëmarrës, duke përdorur një metaforë të fortë historike: “Nuk ka qeveri që nuk rrëzohet por ka qytetarë që tërhiqen. Nuk ka kauza që nuk fitohen por ka qytetarë që lenë kauzën përgjysmë. Çdo njeri t’i japë fjalën vetes kur vjen në këtë shesh, tamam si gjeneralët që dogjën anijet. Të puthim fëmijët dhe gratë dhe në këtë luftë të gjatë rezistence do t’i mundim ata avash avash, me moral.”
Më tej, Guri u ndal te skandalet me pronat dhe ligjet që sipas tij kanë ligjëruar vjedhjen e pasurisë kombëtare, duke sqaruar se kjo lëvizje shkon përtej mbrojtjes së zonave të veçanta bregdetare si ato të faunës. “Do t’i bëjmë ata që te zhvishen, të mos kenë sy e faqe të dalin para popullit shqiptar, aq më tepër një kryeministër që ka zhbërë pronat e ligjshme me kushtetutë dhe në vitin 2015 me një ligj investimi strategjik ai vendosi të vjedhë këtë popull. Mos vallë ne dalim për të mbrojtur vetëm flamingot? Më tepër se kaq!” u shpreh ai para turmës.
Në mbyllje të fjalës së tij, Guri prezantoi atë që ai e konsideron si hapin e fundit dhe vendimtar të kësaj qëndrese qytetare, duke propozuar bllokimin e plotë të zyrtarëve të lartë. “Këtë kryeministër e kemi rrethuar demokratikisht dhe moralisht. Rrethimi i tretë për mua është rrethimi fizik! Të rrethohet parlamenti dhe kryeministri që ata të mos marrin vendime për kauzat tona!” përfundoi ai.
