Anëtarësimi në Bashkimin Europian i një shteti kandidat nuk mund të arrihet nëse nuk plotësohet një nga kushtet themelore, pavarësia e sistemit gjyqësor. Ky ishte mesazhi i Viviane Reding, ish-zëvendëspresidentes së Komisionit Europian, gjatë një diskutimi me deputetin e Partisë Mundësia Erald Kapri, i cili ndodhet i pranishëm në punimet e Parlamentit Europian.

Në një aktivitet të mbajtur në Strasburg, deputeti Kapri i ka drejtuar Viviane Reding, e cila është gjithashtu edhe ish-komisionere për Drejtësinë e nderuar me Medaljen e Meritës, pyetjen nëse anëtarësimi i Shqipërisë mund të ndodhë brenda vitit 2030.

Deklarata e saj ishte i qartë, kur u shpreh se anëtarësimi në BE nuk është thjesht ngritje dore dhe theksoi se Shqipëria duhet të përmbushë detyrimet e vëna nga BE, një prej të cilave edhe paprekshmëria e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Reding ndër të tjera tregoi se vetëm pak ditë më parë ka qenë në Shqipëri në një sesion të mbajtur për ligjin, për të cilin zbuloi se qëllimi ishte “t’u ndihmojmë për të reformuar sistemin e drejtësisë që ju të realizoni rregullat që duhen për gjyqsor të pavarur, në mënyrë që ju të bëheni shtet anëtar”.

“Isha në Shqipëri para 10 ditësh në Sesionin hapës të Kongresit Botëror të Ligjit. E realizuam në Tiranë sepse duam t’u ndihmojmë për të reformuar sistemin e drejtësisë që ju të realizoni rregullat që duhen për gjyqësor të pavarur, në mënyrë që ju të bëheni shtet anëtar. Duhet të jemi të qartë që nuk është veçse se ju ngrini gishtin lart që të bëheni vend anëtar. Ju duhet t’u bindeni disa detyrimeve për të qënë gati e të përfshiheni në ekonomi, në arsim, në sistemin e drejtësisë. Shumë shpesh sistemi i drejtësisë është pjesa më e vështirë. Duhet një përpjekje nga e gjithë shoqëria”, theksoi Reding.

Sipas deputetit Kapri, shqiptarët kanë dhënë prej kohësh provën më të madhe të dashurisë për Europën, duke emigruar, punuar e jetuar në vendet e BE-së, por u shpreh se sot “sfida mbetet ndërtimi i një shteti që garanton drejtësi, besim dhe standarde europiane brenda Shqipërisë”.

“Unë vij nga Shqipëria, në Ballkan, vend që konsiderohet si më pro perëndimori në rajon. Më shumë se 96 % e shqiptarëve duan të jenë pjesë e BE. Në patëm fatin e keq që pas lufte të binim nën influencën sovjetike dhe të përjetonim një diktaturë komuniste të egër. Por pas ’90, ëndrra europiane u bë sërish e vështirë për shqiptarët. Dhenë fakt po jetojmë në një paradoks. Në çfarë sensi?! Gjysma e shqiptarëve në 35 vite e lanë vendin dhe jetojnë këtu, në BE. Ata e donin kaq shumë Europën sa shkuan në Europë, të jetojnë dhe punojnë në Europë. Sërish sot, mesazhi kryesor nga politikanët, unë i përkas opozitës, është; shumë shpejt do anëtarësohemi në BE. Tani na thuhet, bazuar edhe me zhvillimet pas luftës në Ukrainë, që ndoshta vitin 20130 do jetë viti kur Shqipëria do të bashkohet me BE. Dua të di instiktin tuaj nëse kjo do ndodhë”, u shpreh deputeti i Mundësia Erald Kapri.

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri është ftuar të marrë pjesë në punimet e Parlamentit Europian në Bruksel dhe në Strasburg. Deputeti Kapri është duke zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të Komisionit Europian dhe deputetë të Parlamentit Europian.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb