Drejtoria e Hekurudhës ka ndërmarrë një vendim drastik për të shkurtuar nga puna 220 punonjës të këtij institucioni në të gjithë vendin.

Vendimi është marrë më datë 1 korrik, por u është komunikuar punonjësve 12 ditë më vonë, më datë 13.

Pavarësisht vendimit, punonjësit nuk janë njohur me motivacionin e largimit nga puna dhe për këtë arsye kanë zhvilluar një protestë pranë drejtorisë së Hekurudhës Shqiptare.

Teksa i druheshin ndonjë mase ndëshkuese nga drejtuesit e institucionit, punonjësit e hekurudhës refuzuan të prononcoheshin për mediat.

Ankesa e tyre tashmë është depozituar në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhës, por përgjigje nga institucioni nuk kanë marrë.

Ndërkohë, në muajin shtator pritet të ndërpriten marrëdhëniet financiare të punonjësve me institucionin.

Prej vitesh, sektori i hekurudhës është në krizë të thellë dhe e vetmja linjë funksionale është ajo e Shkodër-Lezhë-Milot-Gjormë.

Një ditë më parë, u bë publik lajmi se Kuvendi i Kosovës miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt-idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Kostoja totale për realizimin e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë për ndërtimin e linjës hekurudhore parashikohet të jetë mbi 1.9 milion euro.

Për këtë projekt, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se nga buxheti i Kosovës do të ndahen 980 mijë euro, ndërkaq nga buxheti i Shqipërisë do të ndahen 1 milion euro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb