Gjykata e Durrësit caktoi dje masën ‘arrest me burg’ për ekuipazhin e anijes libaneze që solli 2275 ton naftë kontrabandë. Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për BalkanWeb se në burg janë lënë shtetasit Zuhair Alkwaifi, Amad Abushala, Muayid Ali Altahir dhe Badr Teezini.

Po ashtu thuhet se sasia e karburantit nuk korrespondonte me dokumentacionin, pasi në anije kishte më shumë litra se sa ishte dokumentuar.

Kapiteni, dy ndihmësit e tij dhe një punonjës i ngarkim-shkarkimit, të gjithë shtetas libianë akuzohen për dyshimet tregti dhe transport i mallrave kontrabandë.

Më herët në dëshminë e tij një prej të arrestuarve, Zuhair Alkwafi tha se kjo është hera e tretë që ai sjell naftë në Shqipëri.

“Jemi të habitur nga kjo që po na ndodh. Ne jemi transportues të rregullt dhe punojmë për kompani të ndryshme që porosisin hidrokarbure. Këtë radhë kompania që e kishte porositur nuk e pranoi ngarkesën dhe në ketë moment erdhi kapiteneria dhe struktura të tjera duke bërë veprimet. Ne jemi konform të gjitha rregullave, nuk bëjmë kontrabandë. Ne funksionojmë në këtë mënyrë: kompania porosit sasinë, e ngarkojmë në vendin ku kemi për ta marrë dhe e transportojmë drejt vendit pritës. Kompania pritëse paguan vetëm pasi ka marrë ngarkesën dhe e ka magazinuar. Në këtë rast, kompania pritëse nuk e pranoi ngarkesën. Arsyen nuk e di. Në këto kushte ne duhet të ktheheshim sërish në bazë në pritje të porosive të tjera dhe orientimit që do merrnim nga pronarët. Por papritur erdhi kapitaneria, rojet bregdetare etj dhe më pas edhe policia. Na arrestuan pa asnjë arsye. Ne jemi të pafajshëm sepse kështu funksionon transporti i hidrokarbureve. Ne kemi ardhur edhe herë të tjera në Shqipëri dhe s’kemi pasur asnjë problem. Këtë radhë nuk e di pse nuk e pranuan ngarkesën që kishin porositur. Neve para se të vinim në Shqipëri kemi lajmëruar 48 orë përpara kompaninë dhe kapitanerinë shqiptare konform të gjitha rregullave. Nëse do bënim kontrabandë do ta lajmëronim kapitenerinë?! Ne erdhëm në Durrës dhe ishim në pritje të dorëzonim mallin. Papritur na mori pronari i kompanisë dhe na tha se do prisni pasi kompania shqiptare kishte kërkuar ulje çmimi. S’kishin rënë dakord për çmimin edhe pse paraprakisht kompanitë ishin dakordësuar. Naftën e ngarkuam në portin e Bengazit në Libi. Atje furnizohemi gjithmonë.”, ka pohuar ai.

Kujtojmë se futja e naftës kontrabandë në Shqipëri është një shkelje e rëndë që i bëhet ligjeve vendase, për të cilën dënohesh nga gjobë deri në burgim.

Por kontrabandimi nuk është e vetmja shkelja, ajo që e bën edhe më të rëndë është se në këtë rast është shkelur Rezoluta e Këshillit të Sigurimit, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, e cila miratoi unanimisht zgjatjen e embargos së naftës dhe produkteve të tjera me Libinë deri në 30 tetor të vitit të ardhshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb