Ish-deputeti i Kosovës, Rexhep Selimi i cili po gjykohet në Hagë, ka thënë se pret që bashkë me të akuzuarit e tjerë të shpallen të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Ai ka bërë një deklaratë pa betim para trupit gjykues në Hagë, ku sërish ka deklaruar se nuk ka të bëjë asgjë me krimet e pretenduara.

“Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë”, ka thënë Selimi.

Ai tutje ka përmendur disa nga masakrat që forcat serbe i kanë kryer në Kosovë, ndërsa ka thënë se fëmijët janë vrarë edhe në gjirin e nënës.

“E nëse flasim për krime, le të flasim për krimet që në të vërtetë kanë ndodhur. Të flasim për të gjitha masakrat që kanë ndodhur në Kosovë. Le të flasin për masakrën e Reçakut, Mejës, Poklekut, Izbicës, Krushës apo edhe qindra masakra të tjera ku janë vrarë fëmijët edhe në gjirin e nënës”.

Selimi më tej ka përmendur edhe vrasjet e shqiptarëve, dëbimet me dhunë, dhunimet e djegiet e shtëpive nga serbët.

“Lufta nuk është e mirë asnjëherë për askënd. Ne luftën nuk do ta zgjidhnim kurrë as si profesion e as si pasion, por ajo ishte domosdoshmëri për mbijetesën si komb e si shoqëri, ndërkohë dhuna agresive dhe shtypja vazhdonte kundër popullatës në Kosovë. Serbia kreu qindra masakra ku siç të gjithë e dinë, vrau mbi 12 mijë shqiptarë pa kursyer gra, pleq e fëmijë e të sëmurë”.

“Përveç vrasjeve, forcat serbe dhunuan mijëra vajza e gra të pambrojtura shqiptare. Ata dogjën me qindra e mijëra shtëpi. Dëbuan me dhunë më shumë se gjysmën e popullatës e ne nuk iu përgjigjëm në të njëjtën formë Serbisë”, është shprehur mes tjerash ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb