Pavarësisht se Basha nuk e dha dorëheqjen për të hapur një garë të barabartë, duket se Partia Demokratike do të ketë një garë. Tre sfidantët e Bashës, megjithëse kërkojnë listën e anëtarësisë që nuk e kanë akoma, megjithëse kërkojnë anëtar në komisionet e votimit, megjithëse kërkojnë që organet ekzekutive të partisë të mos jenë pjesë e organizimit të zgjedhjeve që të mos favorizojnë kryetarin në detyrë, e kanë filluar fushatën dhe kanë arritur të bëhen protagonistë.

Procesi ngjan në parim, jo në detaje më 25 prillin, ku një opozitë me fare pak garanci besonte tek fitorja, vetëm se i mandatuari 2 herë e kishte humbur mbështetjen. Rezultati tregoi se pakënaqësia nuk mjaftoi.

Nuk mjaftoi parandalimi i manipulimit të stilit Stalinist të dalë mode, “nuk ka rëndësi kush voton, rëndësi ka kush numëron”. Sepse në manipulimin modern të Rilindjes, nuk ka më rëndësi as kush numëron, rëndësi ka kush ka më shumë para për të blerë, të fortë për të garantuar pazarin dhe policë për të garantuar të fortët.

Në kushtet që krijon për konkurrentët, pushtetmbajtësi ngjan me atë të 25 prillit dhe krijon rrezikun e një procesi të kontestueshëm, që vetëm sa do të relativizonte tjetërsimin e vullnetit të votuesve, duke e shndërruar një fenomen normal të kudogjendur, që e aplikojnë edhe ata që e denoncojnë kur u ndodh tek vetja.

Në kontekstin e 25 prillit, kandidatët kanë zgjedhur ta ndajnë fajin në dy pjesë: “Masakra elektorale” dhe dobësia e PD. Mbi këto dy linja duket se do të zhvillohet fushata, me shumë pak theks tek e para, që në fakt është më e rëndësishmja.

Asnjë nga 4 kandidatët nuk ka një plan për të mos lejuar zgjedhje si të 25 qershorit 2017 apo 25 prillit 2021. Nuk ka precedentë që mund ta ndihmojnë PD të huazojë një plan për ta zgjidhur nga brenda sistemit, në 2025 apo kurdo qofshin zgjedhjet.

Nëpër botë, këto situata janë zgjidhur me daljen e opozitës nga sistemi, bojkotim të zgjedhjeve dhe bashkim me popullin për të rifituar insitucionet. Përpara ditës së zgjedhjeve, pa e legjitimuar procesin.

Nuk ka asnjë kandidat në PD që mund ta ofrojë këtë zgjidhje. Të 4 kandidatët janë pro hyrjes në parlamentin e ri, ndërkohë që 3 sfidantët i quajnë gabime dorëzimin e mandateve dhe mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale.

Sjellje e pritshme nga një parti që është lindur nga sistemi dhe e ka përshtatur atë për vete, por edhe për katër politikanë të prodhuar nga ky sistem, që në kushte të tjera do të kishin profesionet e tyre jashtë politikës. Në këto kushte, projekti i sfidantëve, duket se është zgjidhja nga brenda sistemit. Përballimi i mekanizmit gjigant të tjetërsimit të vullnetit të votuesve, nëpërmjet krijimit të një fryme.

Teza “1 milionë shuplaka” nuk ka mundësi që të manipulohen, duket sikur e vë në pozitë të vështirë Lulzim Bashën e pafavorizuar nga shifrat e pjesëmarrjes në zgjedhje. Nëse do të kishte frymëzuar më shumë, pjesëmarrja do të ishte më e lartë dhe blerja e votës, sado masive, nuk do arrinte ta ndryshonte verdiktin, por vetëm shifrat, do të zbuste humbjen e PS.

Për të bindur që është faji i Bashës, që fryma mund të krijohej dhe që janë të zotët për ta krijuar vetë frymën, sfidantët duhet më në fund të hapin disa tema të vështira brenda PD. Ndoshta programi social-liberal i Bashës, pavarësht se i punuar me homologët gjermanë për 2 vjet, nuk i bindi kategoritë sociale, u duk i pazbatueshëm, ose i çuditshëm, atipik për një forcë të djathtë.

Heshtja e Bashës ndaj oligarkëve ndoshta i demotivoi votuesit, i bëri të mendojnë se, pavarësisht fituesit, zgjedhjet nuk do ta ndryshonin as ekonominë, as jetën e tyre. Se këta pak biznesmenë të mëdhenj që bëjnë ligjet dhe Ligjin, që ndajnë paratë e buxhetit me një mirëkuptim mbresëlënës, do të jenë qeveritarët e vërtetë edhe nëse i ndërrojnë emrin Kryeministrit. Në këtë mungesë besimi, pranuan ofertën parazgjedhore, në cash, vend pune, dëmshpërblim apo legalizim, si të vetmin përfitim nga një klasë politike e kontrolluar nga Oligarkia.

Nëse do të ndërtohet në këto terma fushata e Shehajt, Harxhit apo Kadillit, sfida do të ishte denoncimi me emër dhe me raste, projekti i shkëputjes së PD nga ndikimi i oligarkëve, paraqitja e një programi, ose disa pikave për çlirimin e ekonomisë nga kthetrat e tyre dhe krijimi i një klime të mirë për biznesin dhe një program që të jetë liberal por njëkohësisht të ngjallë entuziazëm popullor.

Mbledhja e 1 milion votave ka qenë mision i pamundur që nga viti 1997 për secilën parti më vete. Edi Rama, pasi dështoi ta bënte vetëm në 2009, kërkoi ndihmën e Ilir Metës në 2013. Relativizuesit e megablerjes së 25 prillit, thonë që PD hyri në zgjedhje për të dalë e dyta, që të vijë në pushtet, PD duhet, jo vetëm të dalë e para, por të fitojë 1 milion vota për të bërë të pamundur manipulimin. Ai që e ka këtë projekt, me siguri do të dalë fitues./Dosja.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb